Go to full page →

4. VALDENZIANËT BZ 67

Në mes të errësirës e cila e mbuloi botën gjatë një periudhe të madhe të pushtetit suprem të papatit, pasqyra e së vërtetës megjithatë nuk u shua plotësisht. Në secilin shekull Zoti i pati dëshmitarët e vet besnikë dhe këta ishin njerëzit që i besonin Krishtit, ndërmjetësuesit të vetëm ndërmjet Zotit dhe njeriut, të cilët Biblën e konsideronin rregull të vetme jetësore dhe të cilët e shejtëronin të shtunen e vërtetë. Se sa bota u ka borxh këtyre njerëzve, brezat e ardhshëm kurrë nuk do të mund ta dijnë. Ata kanë qenë të njollosur si besimtarë të lajthitur, motivet e tyre janë paraqitur rrejshëm, karakteri i tyre është pasqyruar keq, shkrimet e tyre janë asgjësuar, janë shtrembëruar apo janë gjymtuar. Megjithate ata kanë mbetur të paluhatshëm dhe prej brezi në brez e kanë ruajtur fenë në pastërtinë e saj si trashëgimi të shenjtë për brezat e ardhshëm. BZ 67.1

Historia e popullit të Zotit gjatë shekujëve të errësirës nën pushtetin e Romës është shkruar në qiell. Ajo ka pak vend në shkrimet njerëzore. Për ekzistimin e popullit të Zotit gjejmë pak gjurmë përveç në akuzat e ndjekësve të tyre. Politika e Romës ka ecur në drejtim që ta shlyejë çdo gjurmë të mospajtimit me besimin dhe vendimet e saj. Ajo është përpjekur që të shkatërroj çdo gjë që e ka konsideruar besim të lajthitur, qoftë të njerëzve qoftë të shkrimeve. Shprehja e dyshimit apo një pyetje në pikëpamje të autoritetit të dogmave të Romës, kanë qenë arsye e mjaftueshme që t'u merret jeta të pasurëve apo të varfërve, njerëzve me prestigj apo pa prestigj. Roma është përpjekur që të asgjësojë çdo raport për brutalitenin e vet ndaj atyre që kanë besuar ndryshe. Në kuvendet e papatit është vendosur të ndezen librat dhe shkrimet që ngërthenin raporte të tilla. Para shpikjes së shtypit ka pasur pak libra dhe ato për shkak të formës së vet kanë qenë të papërshtatshme për t'ua ruajtur; prandaj ithtarët e Romës nuk e kanë pasur vështirë ta zbatonin vendimin e papatit. BZ 67.2

Asnjë kishë e cila është ndodhur në kufinjët e pushtetit të Romës nuk është lënë që për kohë më të gjatë ta gëzojë lirinë e ndërgjegjes. Posa do të forcohej, papati menjëherë e zgjaste dorën për ta shkatërruar secilin që nuk dëshironte ta pranonte pushtetin e tij. Kishat njëra pas tejtrës i nënshtroheshin pushtetit të tij. BZ 68.1

Në Britaninë e Madhe krishterimi ishte rrënjosur shumë herët. Ungjillin të cilin e kishin pranuar britanikët në shekullin e parë ende nuk ishte prishur nga bjerrja e Romës. Ndjekjet e perandorëve paganë të cilat kishin arritur edhe deri në brigjet e largëta qenë dhurata e vetme të cilën kishat britanike e kishin marrë nga Roma. Shumë të krishterë duke ikur nga ndjekjet në Angli kishin gjetur vendstrehim në Skoci; prej aty e vërteta ishte bartur në Irlandë, dhe në të gjitha këto vende ishte pranuar me gëzim. BZ 68.2

Kur Sasët e kishin pushtuar Anglinë paganizmi kishte mbizotëruar. Pushtuesit kishin refuzuar ta pranonin shkencën e Shpëtimtarit nga skllervërit e tyre, kurse të krishterët qenë detyruar të kërkonin vendstrehime nëpër kodra dhe nëpër vendet e shkreta moçalike. Megjithatë, edhe pse për një kohë e fshehur, e vërteta edhe më tutje kishte ndriçuar. Pas një shekulli e vërteta kishte ndriçuar fuqishëm në Skoci, kurse rrezet e saja kishin depërtuar në vendet më të largëta. Nga Irlanda kishte ardhur Kolumbo i devotshëm me bashkëpunëtorët e vet. Ata i kishin tubuar rreth vetes besimtarët e shpërndarë nëpër ishullin e shkretë Jon dhe prej kësaj ujdhese e kishin krijuar qendrën e veprimtarisë së tyre misionare. Ndër përhapësit e ungjillit ishte edhe një adhurues i të shtunës biblike i cili me të i kishte njohtuar të tjerët rreth vetes. Në ishullin Jon qe themeluar shkolla nga e cila misionarët shkuan jo vetëm në Skoci dhe Angli por edhe në Gjermani, Zvicër bile edhe në Itali. BZ 68.3

Mirëpo Roma e kishte hedhur syrin në Britani dhe kishte vendo¬sur ta nënshtrojë nën pushtetein e vet. Në shekullin e VI misionarët e Romës e ndërmorën një aksion për t'i bërë të krishterë sasët paganë. Pushtetarët krenarë me ëndje i pranuan misionarët e Romës dhe këta me mijëra njerëz i bindën që ta pranonin fenë e Romës. Sa e sa përhapej vepra e tyre, të dërguarit e papatit dhe të konvertuarit e tyre ranë në kontakt me ithtarët e të krishterëve të parë. Ndërmjet atyre të krishterëve dhe konvertitëve të rinjë kishte dallim të madh. Pasardhësit e krishterëve të parë ishin të thjeshtë, të butë dhe për nga karakteri me edukatë Biblike, të prirur për të mësuar dhe me mirësjellje, ndërsa të kthyerit e rinjë në çdo hap tregonin sugjestivitet, shkëlqim dhe e glorifikonin papatin. Misionari i Romës kërkonte që kishat e krishtera ta pranonin pushtetin e papatit. Britanikët me përulje iu përgjegjën se i donë njerëzit e tyre por se papa nuk ka të drejtë në pushtetin suprem në kishë dhe se këta mund t'ia pranonin vetëm përuljen e cila duhet t'i pranohet çdo pasuesi të Krishtit. U bënë edhe tendenca të reja për ta arritur nënshtrimin e tyre ndaj Romës, por këta të krishterë të përulur, të habitur nga fodullëku i të dërguarëve të Romës u përgjigjen me vendosshmëri se nuk pranojnë Zot tjetër përveç Krishtit. Atëherë u zbulua karakteri i vërtetë i papatit. Përfaqësuesi i Romës u tha: “Në qoftë se nuk i pranoni vëllezërit të cilët po ua sjellin paqjen do t'i pranoni armiqët të cilët do t'ua sjellin luftën. Në qoftë se nuk doni të bashkoheni me ne që sasëve t'ua tregojmë rrugën jetësore, prej tyre do të mermi goditje vdekjeprurëse”.7J. H. Merle D'Aubigné, History of the Reformation of the sixteenth Centuri, knj. XVIII, gl. 2. Këto nuk qenë kërcënime boshe. Kundër këtyre dëshmitarëve të fesë biblike u përdorën luftëra, intriga dhe mashtrime, derisa kishat Britanike nuk u shkatërruan apo nuk u detyruan ta pranonin autoritetin e papatit. BZ 68.4

Në vendet jashtë pushtetit të Romës gjatë shumë shekujëve ekzistonin grupe të krishterësh të cilat ishin gati plotësisht të mbrojtur nga amoraliteti papist. Të rrethuar nga paganët, ata gjatë shekujve i pranonin disa nga lajthitjet, por edhe më tutje e konsideronin Biblën rregullë të vetme të fesë dhe i ruanin shumë të vërtetat e saj. Këta të krishterë besonin në amshueshmërinë e Ligjit hyjnor dhe e shenjtëronin të shtunën të cilën e përcakton urdhëri i katërt. Kishat të cilat e ruanin këtë fe dhe këto doke ekzistonin në Afrikën Qendrore dhe ndër armenët në Azi. Ndërmjet atyre të cilët i kundërviheshin pushtetit të papatit në rend të parë kanë qenë valdenzianët pikërisht në vendin ku papati e kishte vendosur fronin e vet. Gënjeshtrat dhe amoraliteti i tij kishin hasur në rezistencën më të fuqishme. Me shekuj kishat e Piemontit e ruajtën pavarësinë e tyre; mirëpo më në fund erdhi koha kur Roma deshti që edhe ato t'i nënshtroheshin. Pas luftërave të pasuksesshme kundër tiranisë së Romës, prijësit e këtyre kishave kundër vullnetit të vet e pranuan pushtetin e papës të cilin siç dukej e pat pranuar e tërë bota. Megjithatë, pati disa që refuzuan ta pranonin pushtetin e papës dhe të prelatëve të tij. Ata vendosën që t'i mbeten besnikë Zotit dhe ta ruajnë pastërtinë dhe thjeshtësinë e fesë së tyre. U shkaktuan përçarje. Ata të cilët e ruanin fenë e vjetër u detyruan të tërhiqeshin; disa duke i braktisur Alpet e veta e ngritën flamurin e së vërtetës në vendet e huaja; të tjerët u tërhoqën në luginat e vetmuara dhe në shpellat e maleve ku e ruajtën lirinë për t'i shërbyer Zotit. BZ 69.1

Feja të cilën e predikonin me shekuj dhe sipas të cilës kishin jetuar të krishterët valdenzianë ishte në kundërshtim të ashpër me shkencën e rrejshme të Romës. Feja e tyre mbështetej në Fjalën e Zotit e cila është burim i vërtetë i krishterimit. Mirëpo këta fshatarë të përulur të cilët jetonin në vendstrehimet e tyre jashtë botës, të zënë me punë rreth grigjeve të tyre dhe vreshtave nuk kishin arritur vetvetiu deri te e vërteta e cila ishte në kundërshitm aq të madh me dogmat dhe besimin e gabuar të kishës së bjerrur. Feja e tyre nuk ishte as kreaturë e re. Ata e kishin trashëguar nga etërit e tyre. Ata luftuan për fenë e kishës apostullike, për “fenë e cila njëherë u ishte dhënë shenjtërve” (Juda 3). “Kisha e shkretirës” dhe jo kierarkia fodull me fronin në qytetin e madh botëror, ka qenë kisha e vërtetë e Zotit, roja e thesarit të së vërtetës të cilën Zoti ia kishte besuar popullit të vet për ta predikuar në botë. BZ 70.1

Njëri ndër shkaqet kryesore i cili e solli ndarjen e kishës së vërtetë nga Roma qe urrejtja e Romës ndaj të shtunës biblike. Ashtu siç e kishte predikuar profetizimi, fuqia e papatit e kishte shkelur të vërtetën. Ligji hyjnor ishte shkelur, kurse tradita dhe doket njerëzore ishin madhëruar. Kishat të cilat ishin nën pushtetin e papatit ishin detyruar herët që ta shenjtëronin të dielen si ditë të shenjtë. Për shkak të lajthitjeve dhe bestytnive që mizotëronin, shumë njerëz bile edhe nga gjiri i popullit me fe të vërtetë ishin habitur aq shumë sa që edhe pse e shenjtëronin të shtunën në të njëjtën kohë nuk punonin të dielën. Mirëpo kjo nuk u mjaftonte prijësve të papizmit. Ata nuk kërkonin që e diela vetëm të shenjtërohej dhe të kremtohej por që edhe e shtuna të shëmtohej; ata me fjalët më të ashpra i sulmonin ata që merrnin guximin për ta rrespektuar. Vetëm ai që arrinte të arratisej nga territori i fuqisë së Romës mundej në qetësi ta mbante Lgjin hyjnor. BZ 70.2

Valdenzianët, të parët ndër popujt e Evropës e fituan përkthimin e Shrimit Shenjt (Shih: Shtojca historike). Qindra vite para Reformacionit ata e kishin dorëshkrimin e Bibles në gjuhën e tyre. Në këtë mënyrë ata e fituan të vërtetën e pandryshueshme dhe kjo i bënte objekt të veçantë të urrejtjes dhe të ndjekjes. Ata e patën shpallur se kisha e Romës është Babiloni i rënë nga Zbulesa dhe duke e rrezikuar jetën ngriteshin për t'iu kundërvënë lajthitjeve të asaj kishe. Deri sa, disa prej tyre nën presionin e ndjekjeve afatgjata hoqën dorë nga feja e tyre dhe dalëngadalë hoqën dorë nga parimet e veta të caktuara, të tjerët fuqishëm e ruajtën të vërtetën. Gjatë periudhës së shekujëve më të errët të devijimeve ka pasur valdenzianë të cilët e patën refuzuar pushtetin suprem të Romës, e patën refuzuar lutjen para figurave duke e konsideruar këtë idhujtari dhe e mbanin të shtunën e vërtetë. Në stuhitë më të rënda të armiqësisë ata e ushtronin fenë e tyre. Edhe pse therreshin nga shtizat e savojasëve dhe ndizeshin në turrët e zjarrta të drurëve, në mënyrë të paluhatshme e mbrojtën Fjalën e Zotit dhe nderin e saj. Prapa kështjellave të larta malore—që u bënë vendstrehime të të ndjekurëve dhe të të shtypurëve në të gjithë shekujt—valdenzianët i gjetën vendstrehimet e mira. Aty ndriçonte drita e së vërtetës në mes të errësirës mesjetare. Aty gjatë njëmijë vjetëve dëshmitarët e së vërtetës e ruajtën fenë e tyre të vjetër. BZ 70.3

Zoti ia përgatiti popullit të vet këtë shenjtërore madhështore e cila i përgjigjej të vërtetave të mëdha të cilat ia besoi. Për këta të persekutuarë besnikë malet u bënë simbol i drejtësisë së paluhatshme të Zotit. Vladenzianët ua treguan fëmijëve të tyre lartësitë të cilat ngriheshin mbi ta në madhështinë e pandryshueshme dhe u flisnin për Atë, në të cilën nuk ka asnjë fije ndryshimi, Fjala e të cilit ishte e bazuar fuqishëm si dhe malet e amshueshme. Zoti i kishte forcuar malet dhe i kishte rrethuar me fuqi. Asnjë dorë përveç fuqisë së pakufishme nuk mund t'i lëvizte nga vendet e tyre. Në të njëjtën mënyrë Ai e përcaktoi ligjin e vet, bazën e pushtetit të vet në qiell dhe në tokë. Dora njerëzore mund t'i kapë njerëzit dhe t'ua shkatërrojë jetën por nuk mund t'i lëvizë malet nga vendet e tyre dhe t'i hedhë në det siç nuk mund të ndryshojë asnjë urdhër të Ligjit hyjnor e as ta shlyejë asnjë premtim për ata që e ushtrojnë vullnetin e tij. Në besimin e tyre ndaj Ligjit të tij, shërbëtorët e Zotit duhet gjithashtu të jenë të fuqishëm si dhe malet e palëvizshme. BZ 71.1

Malet që i rrehtonin luginat e tyre të qeta ishin dëshmitarët e përhershëm të fuqisë krijuese të Zotit dhe garanci e sigurtë e kujdesit të tij atëror. Këta udhëtarë i-dashuruan simbolet e heshtura të pranisë së Zotit. Ata kurnjëherë nuk u ankuan për shkak të pozitës së vështirë të tyre; kurrë nuk u ndienë të vetmuar në mes të vetmisë së maleve. E falenderonin Zotin që ua kishte përgatitur vendstrehimin nga mllefi dhe vrazhdësia njerëzore. Ata gëzoheshin që mundnin të lirë t'i faleshin dhe ta lutnin. Shpeshherë, deri sa armiqët i ndiqnin, malet e fuqishme ua ofronin mbrojtjen e sigurtë. Nga maja e shumë kreshtave të papërshtatshme i këndonin këngë lavdie Zotit, ndërsa ushtarët e Romës nuk mund ta heshtnin këngën e tyre të falënderimit. BZ 71.2

Devotshmëria e këtyre të besimtarëve ka qenë e pastër, e thjeshtë dhe e përzemërt. Parimet e së vërtetës për ta ishin më të vlefshme se shtëpitë, se toka, se miqët, e farefisi e bile më të vlefshme edhe se vetë jeta. Ata me kujdes përpiqeshin që këto parime t'i mbillnin në zemrat e rinisë. Që nga fëmijëria më e hershme i mësonin fëmijët me Shkrimin Shenjt dhe i mësonin që kërkesat e Ligjit hyjnor t'i konsiderojnë të shenjta. Kopjet e Shkrimit Shenjt kanë qenë të rralla prandaj i mësonin përmendësh fjalët e shtrenjta të tij. Shumë prej tyre i mësonin përmendësh fragmentet e Besëlidhjes së Vjetër dhe të Besëlidhjes së Re. Mendimet për Zotin bashkoheshin me skenat madhështore të natyrës dhe me bekimet modeste të jetës së përditshme. Fëmijët e vegjël i mësonin që me falendërim ta shikonin Zotin, dhuruesin e çdo bekimi dhe ngushëllimi. BZ 72.1

Prindërit edhe pse të butë dhe me plotë dashuri megjithatë, me mençuri ishin kujdesur që t'i mësonin fëmijët e tyre për të mos u lazdruar. Para tyre shtrihej një jetë përplot sprova dhe vështirësi e ndoshta edhe vdekja martire. Nga fëmijëria ata edukoheshin për t'u ballafaquar me vështirësi, për t'iu nënshtruar urdhërave e megjithate, të mendonin dhe punonin të pavamr. Qysh nga fëmijëria ata mësoheshin të ishin të përgjegjshëm të kujdesshëm në fjalët e tyre dhe ta kuptonin urtinë e heshtjes. Një fjalë e pakujdesshme të cilën do ta dëgjonte veshi i armikut mund ta sillte në rrezik jo vetëm jetën e atij i cili e kishte thënë por edhe jetërat e qindra vëllezërve të tij; sepse ashtu siç e ndjekin ujqit prenë e tyre ashtu armiqët e së vërtetës i ndiqnin ata të cilët e merrnin guximin për ta kërkuar lirinë e fesë. BZ 72.2

Valdenzianët e sakrifikonin mirëqenien e tyre botërore për dashurinë e së vërtetës dhe me durim këmbëngulës luftonin për bukën e tyre të përditshme. Çdo pjesë të tokës së punueshme ndërmjet maleve e punonin me kujdes; luginat dhe kodrinat me plleshmëri të vogël i bënë të plleshme. Kursimi dhe vetmohimi i ashpër u bënë pjesë përbërëse e edukatës të cilën fëmijët e pranonin si trashëgimi të vetme. Ata mësoheshin se Zoti e kishte caktuar që jeta të ishte shkollë dhe që nevojat e veta mund t'i plotësonin vetëm me punë personale, me mendjeprehtësi dhe me besim. Kjo mënyrë e edukimit ishte e vështirë dhe e mundimshme por e shëndoshë; ishte pikërisht ajo që njeriut i duhej në gjendjen e vet mëkatare—shkolla të cilën Zoti e kishte caktuar për arsimimin dhe edukimin e tij. Deri sa rinia kështu i fitonte shprehitë e punës dhe të përpjekjeve, nuk lehej pas dore as zhvillimi mendor. Rinia mësohej se të gjitha aftësitë e saj i përkasin Zotit dhe se duhet të përsoseshin e të zhvilloheshin për t'i shërbyer atij. BZ 72.3

Kishat valdenziane, për nga pastërtia dhe thjeshtësia kanë qenë të ngjashme me kishën apostullike. Duke e refuzuar pushtetin suprem të papës dhe të peshkopëve ato e mbanin Shkrimin Shenjt si autoritet më të lartë dhe të vetëm të pagabueshëm. Predikuesit e tyre përkundër klerit të Romës e pasonin shembullin e Mësuesit të tyre i cili kishte ardhur “jo për t'i shërbyer, por për t'u shërbyer”. Ata e kullosnin grigjen e Zotit duke e shpënë në kullosat e gjelbra dhe në burimet e gjalla të Fjalës së shenjt hyjnore. Larg nga përmendoret e shkëlqimit dhe të krekosjes njerëzore njerëzit tuboheshin jo në kishat jashtëzakonisht të mëdha dhe në katedralet madhështore por në hijet e kodrave, në luginat e Alpeve ose në kohën e rreziqeve në kështjellat kreshtore për ta dëgjuar fjalën e shërbëtorëve të Zotit. Predikuesit nuk e predikonin vetëm ungjillin por i vizitonin të sëmurët, i mësonin fëmijët, i qortonin të lajthiturit, përpiqeshin t'i pajtonin mosmarrëveshjet dhe ta përsosnin bashkimin dhe dashurinë vëllazërore. Në kohën e paqjes ata jetonin nga ndihmat vullnetare por si edhe Pali i cili i bënte qilimat, secili prej tyre e kishte ndonjë zeje apo profesion me të cilin në rast të nevojës mund ta mbante veten. BZ 73.1

Predikuesit e mësonin rininë. Shkrimi Shenjt ishte lënda kryesore e mësimit, por krahas tij nuk i anashkalonin as degët e ndryshme të shkencës së përgjithshme. Ungjillin sipas Mateut dhe Gjonit e mësonin përmendësh por edhe shumë nga letrat e apostujve. Rinia gjithashtu e kopjonte Shkrimin Shenjt. Disa kopje e përfshinin tërë Shkrimin Shenjt kurse të tjerat vetëm fragmentet e shkurtëra me shpjegime të shkurtëra të atyre të cilët ishin të aftë për ta interpretuar Shkrimin Shenjt. Në këtë mënyrë nxirrej në pah thesari i së vërtetës i cili aq shumë kohë ishte fshehur nga ana e atyre që ishin përpjekur të ngriheshin mbi Zotin. BZ 73.2

Me përpjekjet e mundimshme dhe të palodhshme, ndonjëherë edhe në shpellat e errëta e të thella nëntokësore, në dritën e flakadanëve kopjoheshin shkrimet e shenjta varg për vargu, kaptinë për kaptine. Kështu vepra ecte përpara dhe e vërteta e zbuluar hyjnore shkëlqente si flori; shtrohet pyetja se sa ishte vepra e lavdishme dhe e madhe për ata të cilët e kishin pësuar për shkak të saj dhe kishin marrë pjesë në të! Engjëjt qiellorë i rrethonin këta punëtorë besnikë. BZ 74.1

Satani i kishte nxitur klerikët e papatit dhe peshkopët që ta mbulonin fjalën e së vërtetës nën rrënojat e lajthitjeve, të mësimeve të rrejshme dhe të bestytnive; por megjithatë e vërteta në mënyrën më të mrekullueshme u ruajtë e paprishur nëpër të gjithë shekujt e errësirës. Ajo nuk e bartëte vulën e njeriut, por vulën e Zotit. Njerëzit përpiqeshin në mënyrë të palodhshme ta errësonin kuptimin e qartë dhe të thjeshtë të Shkrimit Shenjt dhe ta tregonin se gjoja ai ishte në kundërshtim me veten. Mirëpo në mënyrë të ngjashme me barkën në detin e shqetësuar, Fjala hyjnore u përballoi të gjitha stuhive të cilat i kanoseshin që ta shkatërrojnë. Siç përmban xeherori fije të pasura të floririt dhe të argjendit nën sipërfaqen e tokës dhe të gjithë ata që dëshirojnë ta zbulojnë thesarin e tij të shtrenjtë duhet të mihin, ashtu edhe Shkrimi Shenjt e përmbanë thesarin e së vërtetës të cilin mund ta zbulojnë vetëm ata që e kërkojnë seriozisht, të përkulur dhe me lutje. Zoti e ka caktuar që Shkrimi Shenjt të jetë tekst i tërë njerëzimit; tekst në fëmijëri, në rini, në vitet e pjekurisë kur gjithnjë duhet të studjohet, ai njerëzve ua ka dhënë Fjalën e vet si zbulesë të vetvetes. Çdo e vërtetë e re të cilën e kemi njohur është zbulesë e re e karakterit të Autorit të saj. Studimi i Shkrimit Shenjt është mjet i caktuar nga Zoti i cili ka për qëllim që njerëzit t'i sjellë në lidhje të ngushtë me Krijuesin e tyre dhe t'ua sqarojë vullnetin e tij. Ai ëshë mjeti i lidhjes ndërmjet Zotit dhe njeriut. BZ 74.2

Valdenzianët e konsideronin frikën nga Zoti fillim të urtisë, por kanë qenë të vetëdijshëm edhe për rëndësinë e mbajtjes së lidhjes me botën, të njohjes së njerëzve dhe të jetës reale për zhvillimin e aftësive të veta intelektuale. Nga shkollat e maleve ata i dërgonin të rinjët e zgjedhur në universitete në France dhe në Itali ku i kishin fushat më të gjera për studime, për meditime dhe për vështrime se sa në gjirin e Alpeve të tyre ku kishin lindur. Këta djelmosha u nënshtroheshin sprovave të ndryshme, ata ishin dëshmitarë të bjenjeve dhe takoheshin me veglat e shkathta të satanit të cilat dëshironin t'i fusnin në lajthitjet më të mëdha dhe në mashtrimet më të rrezikshme. BZ 74.3

Mirëpo edukata e tyre në fëmijëri i kishte përgatitur që të mund t'u kundërveheshin të gjitha këtyre rreziqeve. BZ 76.1

Në shkollat në të cilët shkonin nuk guxonin me askë të ishin të besueshëm. Rrobat e tyre qepeshin në atë mënyrë që në to të mund ta fshehnin thesarin e vet më të madh—dorëshkrimet e vlefshme të Shkrimit Shenjt. Këto dorëshkrime, frytin e mundimeve shumëmujore dhe shumëvjeçare ata e bartnin me vete kudo që kishin mundësi, duke u kujdesur që të mos shkaktonin dyshim, duke e vënë me kujdes një pjesë të këtyre dorëshkrimeve në duart e atyre, zemrat e të cilëve u dukeshin të hapura për pranimin e së vërtetës. Qysh nga gjiri i nënës, rinia valdenziane edukohej me këtë pikëpamje ndaj detyrës së vet jetësore. Në këto qendra shkencore, ata shumëkë e kthyen në fenë e vërtetë dhe parimet e saj shpeshherë e përshkonin tërë shkollën. Prijësit e papatit nuk mund të hynin në gjurmët e heretizmit të ashtuquajtur për ta, edhe pse i bënin hetimet më të ashpra. BZ 76.2

Fryma e Krishtit është fryma misionare. Synimi i parë i zemrës së transformuar është që edhe të tjerët t'i shpiejë te Shpëtimtari. Këtë frymë e kanë pasur besimtarët valdenzian. Ata e kanë ndjerë se Zoti prej tyre pret diçka më tepër se sa ta ruajnë të vërtetën e pastër në kishën e tyre. Në të qëndronte përgjegjësia serioze që drita e së vërtetës të shkëlqente edhe ndër ata që ishin në errësirë. Me forcën e fuqishme të Fjalës hyjnore përpiqeshin që t'i shkëpusnin vargojtë të cilat Roma ua kishte vënë të gjithëve. Predikuesit valdenzianë përgatiteshin për shërbimin misionar. Secili që e kishte ndërmend të hynte në shërbimin e predikimit së pari duhej të arrinte përvojë si përhapës i ungjillit. Secili ishte i detyruar të shërbente tri vjet në ndonjë fushë misionare para se që mund të pranohej në shërbim në ndonjë shërbim në atdhe. Ky shërbim i cili qysh në fillim kërkonte vetëmohim dhe flijim, ishte një përgatitje e denjë për thirrjen e predikuesit në ato kohë të vështira të sprovave. Djelmoshat të cilët i përkushtoheshin këtij shërbimi të shenjtë nuk e kishin para vetës synimin për të arritur pasuri dhe nder në këtë botë, por jetën e punës dhe të rreziqeve e ndoshta edhe vdekjen martire. Misionarët shkonin dy nga dy, ashtu siç i dërgonte Jezusi nxënësit e vet. Me secilin që ishte më ri, rëndom shkonte një përcjellës më i moshuar dhe më me përvojë i cili i shërbente si prijës të riut dhe ishte përgjegjës për edukimin e tij, ndërsa këtij, i riu detyrohej t'i nënshtrohej. Këta bashkëpunëtorë nuk ishin gjithënjë së bashku por shpeshherë takoheshin gjatë lutjeve dhe këshillimeve dhe në këtë mënyrë reciprokisht e forconin besimin. BZ 76.3

Ta zbulosh qëllimn e misionit tënd asokohe nënkuptonte ta shkaktosh dështimin e vetvetes. Për këtë arsye ata me vëmendje e fshehnin detyrën e vet të vërtetë. Çdo predikues e dinte ndonjë zeje dhe kishte ndonjë profesion; këta misoniarë e kryenin punën nën velin e ndonjë thirrjeje botërore. Rëndom vinin si tregtarë apo mjeshtër shtëpiak “shitnin mëndafsh, stoli dhe mjete tjera të cilat mund të gjendeshin vetëm në qendrat më të largëta dhe si tregtarë pranoheshin mirë edhe aty ku si misionarë do të ishin dëbuar”.8Wylie, History of the Waldenses knj. I, gl. 7. Ata vazhdimisht ia hapnin zemrat Zotit duke kërkuar urtinë e nevojshme që të mund ta zbulonin thesarin edhe më të vlefshëm se floriri dhe margaritarët. Në fshehtësi i bartnin kopjet e Biblës në tërësi ose fragmetet e saj dhe kudo që u ofrohej rasti ua tërhiqnin vëmendjen blerësve të tyre lidhur me këto dorëshkrime. Shpeshherë në këtë mënyrë e zgjonin interesimin për leximin e Fjalës hyjnore dhe me ëndje ua lenin ndonjë pjesë të Biblës atyre që e dëshironin këtë. BZ 77.1

Vepritmaria e këtyre misonarëve fillonte në rrafshina dhe lugina në rrëzën e maleve të tyre por përhapej larg këtyre kufijëve. Me këmbë të zbathura, të veshur me rroba të varfëra, të pluhurosur nga udhëtimi, ngjashëm me Mësuesin e vet, këta udhëtarë kalonin nëpër qytete të mëdha dhe arrinin në vende të largëta. Kudo e mbillnin farën e shtrenjtë. Kishat lindnin në shtigjet e tyre dhe gjaku i martirëve ishte dëshmi në favor të së vërtetës. Dita e Zotit e zbulonte korrjen e begatshme të shpirtërave si fryt i përpjekjeve të këtyre njerëzve me besë. E fshehur dhe e heshtur, Fjala hyjnore udhëtonte nëpër krishterim duke hasur në pranimin e gëzueshëm në shumë shtëpi dhe me shumë zemra. BZ 77.2

Për valdenzianët Fjala hyjnore nuk ishte vetëm raport për veprimet e Zotit me njerëzit në të kaluarën dhe zbulesë për detyrat dhe përgjegjësistë aktuale; ajo i zbulonte rreziqet dhe lavdinë e ardhmërisë. Ata besonin se po afrohet fundi i të gjitha gjërave. Duke e studiuar Biblën me lutje dhe lotë ata prekeshin edhe më tepër nga mendimet e saja tepër të vlefshme dhe e shihnin edhe më qartë obligimin e tyre që edhe të tjerëve t'ua shpjegonin të vërtetat shpëtimtare. Në faqet e shenjta të Shkrimit ata e shihnin qartë të zbuluar planin e shpëtimit dhe me besë në Jezusin e gjenin ngushllimin, shpresën dhe paqen. Sa më tepër që drita e së vërtetës e ndriçonte arsyen e tyre dhe u sillte gëzim në zemra aq më tepër synonin që rrezet e saj t'i përhapnin edhe te ata që ishin në errësirën e lajthitjeve të papatit. BZ 77.3

Ata e kishin vërejtur se nën ndikimin e papës dhe të klerikëve populli me kot po përpiqej ta merrte faljen për mëkatet duke i munduar trupat e tyre. Të mësuar që ta kërkojnë shpëtimin në veprat e tyre të mira, njerëzit vazhdimisht e shikonin veten; duke e parë gjendjen e tyre mëkatare, mendonin se i janë nënshtruar mllefit hyjnor, kështu që e mundonin trupin dhe shpirtin e vet, por nuk gjenin kurrfarë lehtësimi. Kështu shpirtërat e ndërgjegjshëm qenë lidhur për shkencën e Romës. Me mijëra sish i braktisnin miqët dhe familjet dhe i kalonin ditët e tyre nëpër vetmitë e manastireve. Me agjërimet, kamçikosjet e vazhdueshme dhe me netë të tëra të zgjuar, duke rënë në gjunjë në gurët e ftohtë dhe të lagështë të qelizave të tyre të mjera, me pelegrinazhet e gjata, me vuajtjet poshtruese dhe me mundimet e tmershme, mijëra prej tyre më kot kërkonin ta qetësonin ndërgjegjen e vet. BZ 78.1

Nën presionin e ndjenjave të mëkateve të veta, duke u dridhur pranë mendimit për mllefin e Zotit, shumë prej tyre kishin vuajtur deri në momentin e rënies dhe të vdekjes as pa një rreze drite dhe shprese dhe kështu ishin varrosur. BZ 78.2

Valdenzianët synonin që këtyre shpirtërave të uritur t'ua ofronin bukën e jetës, tua zbulonin lajmin e paqjes të cilin e përmbajnë premtimet hyjnore që t'i sillnin te Zoti, në shpresën e tyre të vetme të shpëtimit. Ata e konsideronin lajthitje shkencën që me vepra të mira mund të pendohet shkelja e Ligjit hyjnor. Mbështetja në meritat njerëzore e pengon pikëpamjen e dashurisë të paskajshme të Krishtit. Jezusi ka vdekur si flijim për njerëzit, sepse njerëzimi i rënë në mëkate nuk ka mundur të bëjë asgjë që të mund të arsyetohej para Zotit. Meritat e Shpëtimtarit të flijuar dhe të ngjallur nga të vdekurit janë themel i fesë. Varësia e shpirtit nga Zoti është aq e vërtetë dhe lidhja me të patjetër duhet të jetë aq e ngushtë ashtu siç është lidhja ndërmjet organeve të caktuara të trupit ose lidhja ndërmjet hardhisë dhe kalaveshit. BZ 78.3

Mësimet e papës dhe të klerikëve i kishin shtyrë njerëzit të mendonin se karakteri i Zotit e bile edhe karakteri i Krishtit janë të vrazhdët, të errët dhe të pamëshirshëm. Shpëtimtari është pasqyruar se është aq i pandjenja ndaj njeriut të rënë dhe mëkatar sa që patjetër duhet të thirren në ndihmë klerikët dhe shenjtërit si ndërmjetsuesë. Ata, zemrat e të cilëve kanë qenë të ndriçuara me Fjalën hyjnore synonin që këta shpirtëra t'ia dërgonin Jezusit i cili i don dhe bashkëndjenë me ta dhe i cili me krihë të hapur i thërret të gjithë që të vijnë te Ai me barrën e mëkateve të veta, me hallet dhe vështirësitë e tyre. Ata synonin t'i mënjanonin pengesat të cilat i kishte grumbulluar satani në mënyrë që njerëzit të mos i shihnin premtimet dhe të mos vinin drejtpërsëdrejti te Zoti, t'ia rrëfenin mëkatet e veta dhe ta pranonin faljen dhe qetësinë. BZ 79.1

Misionari valdenzian me gëzim ua zbulonte shpirtërave të interesuar të vërtetat e shtrenjta të ungjillit. Me kujdes i paraqiste pjesët e kopjuara të Shkrimit Shenjt. Gëzimi i tij më i madh ishte që ta zgjonte shpresën në shpirtin e ndërgjegjëshëm dhe të lënduar nga mëkati i cili deri atëherë e kishte njohur vetëm Zotin e hakmarrjes i cili pret ta zbatojë drejtësinë e vet. Me buzë të dridhura, me lot në sy, shpesh në gjunjë valdenziani ia zbulonte vëllezërve premtimet e shtrenjta të cilat janë shpresë e vetme e mëkatarit. Kështu drita e së vërtetës depërtoi nëpër shumë zemra të errëta, i shpërndau retë e errëta, ndërsa në zemra lindte dielli i drejtësisë me rrezet që shërojnë. Shpeshë ndodhte që ndonjë pjesë të caktuar të Shkrimit Shenjt ta lexonte disa herë sepse dëgjuesi dëshironte t'i përsëritej sikur donte të bindej se e ka dëgjuar mirë. Sidomos me dëshirë kërkonin që të përsëriteshin fjalët: “Gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.” (1 Gjonit 1,7) “Dhe sikurse Moisiu e lartësoi gjarpërin në shkreti poashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kush do të besojë në të, ta ketë jetën e pasosur.” (Gjoni 3,14.15) BZ 79.2

Shumëkujt në këtë mënyrë iu bënë të qarta kërkesat e Romës. Ata e panë se sa është e kotë të mbështetesh në ndërmjetësimin e njerëzve apo të engjëjve në favor të mëkatarëve. Kur drita e vërtetë e ndriçoi mendjen e tyre ata klithën me gëzim: “Krishti është prifti im; gjaku i tij është flija ime; altari i tij është vendrrëfimi im”. Plotësisht u mbështetën në meritat e Krishtit duke i përsëritur fjalët: “Pa fe nuk është e mundshme t'i pëlqehet Hyut.” (Hebrenjëve 11,6) “S'ka asnjë person në këtë kupë qielli që Zoti ua dha njerëzve me anë të cilit do të mund të shëlbohemi.” (Veprat 4,12) BZ 79.3

Shumë nga këta të mjerë, me shpirtëra të thyer gati nuk mundnin ta kuptonin dashurinë aq të madhe të shpëtimtarit. Aq shumë lehtësim u sollën këto njohuri, aq shumë dritë i ndriçoi shpirtërat e tyre, sa që ndjeheshin si në parajsë. Ata me besim e venin dorën në Krishtin dhe me këmbët e tyre qëndronin fuqishëm në shkrepat e shekujëve. U zhdukë çdo frikë nga vdekja. Ata tani më ishin të gatshëm për burg apo për t'u ndezur në turrë vetëm në qoftëse në këtë mënyrë e lavdëronin Shpëtuesin e tyre. BZ 80.1

Fjala hyjnore ndonjëherë lexohej në vendet e fshehta para një njeriu, ndonjëherë para ndonjë grupi të vogël që digjej për dritën e së vërtetës. Shpeshherë në këtë mënyrë u kaluan netë të tëra. Entuziazmi dhe mrekullia e dëgjuesve ishte aq e madhe sa që lajmëtari i ungjillit ishte i detyruar shpeshherë ta ndërprente leximin në mënyrë që dëgjuesit ta kuptonin lajmin e shpëtimit. Shpesherë shtroheshin këso pyetjesh: “A dëshiron Zoti, vërtetë të pranojë flinë time? A do të më shikojë me mëshirë? A do të ma falë? Këtyre pyetjeve iu jepej përgjegjja: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t'ju çlodhë.” (Mateu 11,28) BZ 80.2

Dëgjuesi më besim e pranonte premtimin e mandej përgjigjej me gëzim: “Nuk ka më pelegrinazhe të gjata, nuk ka më udhëtime të mundimshme deri në vendet e shenjta; unë mund të arrij te Jezusi ashtu çfarë jam: mëkatar, i papërsosur; as Ai nuk do ta refuzojë lutjen time të pendesës. “Të falen mëkatet” edhe të miat, edhe të miat, gjithashtu mund të më falen!” Vala e Gëzimit të shenjtë i plotësonte zemrat kurse emri i Jezusit lavdërohej përmes këngës së lavdërimit dhe të falënderimit. Këta shpirtëra të lumtur ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre për ta përhapur dritën, për t'u shpjeguar të tjerëve se sa dinin, për t'ua sjellë përvojat e reja; për t'u thënë se e kishin gjetur rrugën e vërtetë të jetës. Një fuqi e mrekullueshme dhe madhështore fshihej në fjalët e Shkrimit Shenjt të cilat drejtpërsërdrejti u flisnin zemrave të atyre që digjeshin për të vërtetën. Zëri i Zotit ishte ai i cili i dëshmonte ata që e dëgjonin. BZ 80.3

Lajmëtari i së vërtetës e vazhdonte rrugën e vet; kurse përkushtimi, zelli dhe sinqeriteti ishin subjekt i shumë bisedave. Në shumë raste dëgjuesit nuk e pyesnin prej nga vjen dhe ku shkon. Ishin aq të preokupuar së pari me habinë e mandej me falënderimin dhe gëzimin sa që as nuk u binte në mend për të pyetur për këtë. Kur e lusnin që të shkonte me ta në shtëpi ai u përgjigjej se detyrohej t'i vizitonte delet e humbura të grigjes. Atëherë shumë prej tyre pyesnin: “A nuk është vallë engjëll nga qielli”. BZ 81.1

Në shumë raste, ata më kurrë nuk do ta shihnin lajmëtarin e së vërtetës, ai shkonte në ndonjë vend tjetër, apo e kalonte jetën në ndonjë burg të panjohur; apo ndoshta eshtrat e tij kalbeshin në ndonjë vend ku kishte dëshmuar për të vërtetën. Mirëpo, fjalët që i kishte lënë askush nuk mund t'i asgjësonte. Ata e kryenin veprën e vet në zemrën njerëzore. Vetëm në ditën e gjyqit do të zbulohen plotësisht frytet e tyre të bekuara. BZ 81.2

Misionarët valdenzian kishin depërtuar edhe në mbretërinë e satanit dhe në këtë mënyrë e kishin nxitur pushtetin e errësirës që të jetë më i kujdesshëm. Princi i së keqes e vështronte çdo përpjekje të përhapjes së të vërtetës dhe i nxiste veglat e veta që të frikësohen prej kësaj. Në punën e këtyre udhëtarëve modest prijësit e papatit e shihnin shenjën e rrezikut për çështjen e vet. Në qoftë se do të lejonin që drita e së vërtetës të ndriçonte lirisht, ajo do t'i shpërndante retë e rënda të lajthitjeve në të cilat jetonte populli; atëherë mendimet e njerëzve do të shkonin te vet Zoti dhe në fund do ta shkatërronin pushtetin suprem të Romës. BZ 81.3

Edhe vet ekzistimi i këtij populli i cili e ruajti fenë e kishës apostullike ishte qortim i përhershëm për Romën e bjerrur dhe për këtë arsye ajo i urrente dhe i ndiqte në mënyrë tepër të vrazhdët. Refuzimi i tyre që ta dorëzonin Shkrimin Shenjt gjithashtu ishte fyeije të cilën Roma nuk mund ta përballonte. Prandaj ajo vendosi që t'i shfaroste nga faqja e dheut. Atëherë filluan marshimet më të tmerrshme të kryqzatave kundër popullit të Zotit në shtëpitë e tyre malore. Inkuizitorët i kërkonin gjithkah dhe shpeshherë përsëritej skena e dikurshme kur Abeli i pafajshëm pat rënë në nduart e vrasësit Kainit. BZ 81.4

Shumë herë fushat e tyre pjellore u shkretëruan, shtëpitë dhe kasollat e tyre u rrafshuan me tokë dhe toka e tyre e cila dikur ishte vend pjellor i këtij popullit të zellshëm u shëndërrua në shkretëtirë. Ashtu siç egërsohet bisha kur e shijon gjakun, ashtu edhe ithtarët e Roinës u bënë edhe më të tmerrshëm duke i parë mundimet e viktimave të tyre. Shumë nga këta dëshmitarë me fe të pastër u ndoqën si bisha nëpër male dhe u shtynë në shpellat e maleve për të gjetur vendstrehim të mbuluar me pyje të larta dhe me maje kreshtore. BZ 81.5

Kurrfarë faji nuk mund të gjendej brenda këtij populli me moral të lartë të gjykuar me vdekje. Bile edhe armiqët e tyre dëshmonin se ky ishte një popull paqëdashës, i qetë dhe devotshëm. Faji i tyre i vetëm i madh ishte se ata nuk dëshironin t'i shërbenin Zotit në mënyrë siç kërkonte papati. Për këtë faj detyroheshin t'i përballonin poshtërimin, fyerjet dhe mundimet të cilat vetëm njerëzit dhe djalli mund t'i trillojnë. BZ 82.1

Kur Roma kishte vendosur ta shfarote sektën e urrejtur ajo e lëshoi ediktin me të cilin pjesëtarët e saj i gjykoi si heretikë dhe i dorëzoi që të vriten (Shih: Shotjca historike). Ata nuk u akuzuan si dembelë, të pandershëm apo të pamoralshëm por u tha se kanë asi lloji të devotshmërisë dhe të shenjtërimit të cilët i përçajnë “delet e grigjes së vërtetë”. Prandaj Papa udhëroi: “Në qoftë se kjo sektë e keqe dhe e neveritshme refuzon të heq dorë nga feja e vet duhet të shtypet si gjarpëri i helmueshëm”.9Ibid., knj. XVI, gl. 1. A thua ky pushtetar fodull ka menduar se njëherë duhet të japë llogari për këto fjalë? A e ka ditur se ato janë të shkruara në librat qiellorë dhe se do të dëgjohen në ditën e gjyqit? “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua”, ka thënë Jezusi (Mateu 25,40). BZ 82.2

Ky edikt i papatit i ftonte të gjithë anëtarët e kishës të bashkohen në luftën e kryqëzatave kundër heretikëve. Për t'i nxitur që të merrnin pjesë në këtë vepër të tmerrshme ai “i kishte liruar nga të gjitha qortimet dhe ndëshkimet kishtare, kolektive dhe individuale, i kishte falur ata që i bashkohen këtij marshi të kryqzatave nga çdo mallkim; ua kishte pranuar si të plotëfuqishme të gjithë atë që e kishin fituar në mënyrë të paligjshme dhe ua kishte premtuar faljen e të gjitha mëkateve atyre që do ta vrisnin ndonjë heretik. I kishte shpallur të pavlefshme të gjitha kontratat në favor të valdenzianëve, u kishte urdhëruar shërbëtorëve të tyre që t'i braktisin, ua kishte ndaluar të gjithëve t'u ofrojnë çfarëdo ndihme dhe i kishte autorizuar të gjithë se mund t'i merrnin pasuritë e tyre”.10Ibid., knj. XVI, gl. 1. Ky dokument e zbulon qartë se me idenë e kujt ishte frymëzuar kjo vepër. Kjo ishte një ulurimë e kulçedrës e jo zëri i Shpëtimtarit. BZ 82.3

Prijësit e papatit nuk dëshironin ta përshtatnin karakterin e vet me parimet e Ligjit hyjnor, por i shtronin kriteret që u pëlqenin atyre dhe vendosën që ta detyrojnë secilin t'u përshtatej sepse kështu i pëlqente Romës. Ndodhnin tragjeditë më të tmerrshme. Klerikët e prishur, pa moral dhe blasfemist dhe papët e sendërtonin veprën që ua kishte dhënë satani. Në zemrat e tyre nuk kishte mëshirë. Fryma e këtillë e njëjtë që e kishte kryqëzuar Krishtin dhe i kishte vrarë apostujt, ajo e kishte nxitur Neronin kundër të krishterëve të devotshëm të asaj kohe, po kjo frymë tani ishte ngritur edhe t'i zhdukte nga dheu ata të cilët i donte Zoti. BZ 83.1

Këta njerëz të devotshëm i përcollën ndjekjet nëpër shumë shekuj, por ata i përballuan me durim dhe qëndruan në synimet për ta lavdëruar Shpëtimtarin e tyre. Ata vazhduan ta përhapin të vërtetën e çmueshme krahas luftërave të kryqëzatave që u ngritën kundër tyre dhe vrasjeve brutale me të cilat qenë të gjykuar. Ata i ndoqën deri në vdekje por gjaku i tyre që e vaditi farën e mbjellur nuk mbeti pa fryt. Kështu, valdenzianët e dëshmuan Zotin me shekuj para lindjes së Martin Luterit. Të shpërndarë nëpër vendet e ndryshme ata e mbollën farën e Reformacionit e cila filloi në kohën e Viklifit u përhapë dhe u forcua në kohën e Luterit dhe duhet të vazhdohet në kohën e fundit me punën e atyre që janë të gatshëm të përballojnë çdo gjë për “Fjalën Hyjnore dhe për dëshminë e Jezu Krishtit”. BZ 83.2