Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    33. MASHTRIMI I PARË I MADH

    Qysh në fillim të historisë njerëzore satani ka filluar t'i bëjë përpjekjet e veta për ta mashtruar gjininë tonë. Ai që në qiell e shkaktoi rebelimin, deshti t'i nxisë edhe banorët e tokës të bashkohen me të në luftë kundër pushtetit të Zotit. Adami dhe Eva kanë qenë shumë të lumtur kur i qenë nënshtruar Ligjit të Zotit dhe ky fakt ishte dëshmi e pamohueshme kundër pohimit të satanit në qiell se Ligji i Zotit është i dhunshëm dhe se i kundërvihet lumturisë së qenieve njerëzore. Përveç kësaj xhelozia e satanit u shkaktua kur e pa atdheun e bukur të përgatitur për çiftin jomëkatar. Ai vendosi që ta shkaktojë rënien e tyre në mënyrë që kur t'i shkëpuste nga Zoti të mund t'i fuste nën pushtetin e vet ta merrte botën në pronë dhe këtu ta vendoste mbrtërinë e tij përballë të të Gjithfuqishmit.BZ 504.1

    Në qoftë se satani do ta kishte zbuluar karakterin e vet të vërtetë, ai do të ishte refuzuar menjëherë, sepse Adamit dhe Evës i qe tërhequr vërejtja për këtë armik të rrezikshëm. Mirëpo ai punoi fshehtazi duke e fshehur qëllimin e vet në mënyrë që sa më me sukses ta arrinte atë. Duke e përdorur gjarpërin si vegël i cili atëherë ishte njër ndër krijesat më të mrekullueshme iu drejtua Evës me pyetjen: “A është e vërtetë se Zoti ka thënë të mos hani nga çdo pemë në kopsht?” (Zanafilla 3,1) Sikur të ishte përmbajtur Eva nga biseda me sprovuesin, sigurisht se do të ishte ruajtur nga kurthi i satanit. Mirëpo, ajo e mori guximin të hynte në lidhje me të dhe ra viktimë e dinakërisë së tij. Kështu, edhe sot shumë njerëz bijnë në kurthin e tij. Ata dyshojnë dhe i kritikojnë kërkesat e Zotit dhe në vend që t'i dëgjojnë normat hyjnore i miratojnë botëkuptimet njerëzore prapa të cilave fshihen planet e satanit.BZ 504.2

    “Gruaja iu përgjegj: “Ne i hamë frytat e pemëve që janë në kopsht; por se për frytin e pemës që është në midis kopshtit Zoti na urdhëroi të mos e hamë, as të mos e prekim që të mos vdesim.” Porse gjarpëri i tha gruas: “Nuk do të vdisni asesi, madje Zoti e di se kur të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni por si Zoti duke e njohur të mirën dhe të keqen.” (Zanafilla 3,2-5) Ai pohonte se ata do të bëheshin si Zoti, se do të pajiseshin me dije më të madhe se më parë dhe do të aftësoheshin për jetë më të lartë. Eva ra në grackën e sprovës kurse me ndikimin e saj edhe Adami e bëri mëkatin. Ata i besuan fjalëve të gjarpërit se Zoti nuk kishte menduar ashtu siç kishte thënë. Dyshuan në krijuesin e tyre dhe menduan se Ai po ua kufizonte lirinë dhe se duke e shkelur ligjin e tij do të mund ta arrinin një mençuri dhe pozitë më të lartë.BZ 505.1

    Mirëpo a e kuptoi Adami pas rënies në mëkat domethënien e fjalëve “sepse atë ditë qe ke me ngrënë prej saj do të vdesësh” (Zanafilla 2.17). A i përgjigjej domethënia e këtyre fjalëve asaj që satani i nxiti të besonin se: do ta arrinin një gjendje më të lartë të jetës? Në këtë rast shkelja do të kishte qenë më e mirë, kurse satani do të ishte dëshmuar si mirëbërësi i gjinisë sonë. Mirëpo Adami e mori vesh se ky nuk ka qenë kuptimi i gjykimit hyjnor. Zoti u kishte thënë se për shkak të mëkatit njeriu përsëri do të duhej të kthehej prej nga ishte marrë: “Sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh.” (Dalja 3,19) Fjalët e satanit “sepse e di Zoti se do t'u ... çelën sytë” u dëshmuan të vërteta vetëm në këtë pikëpamje: pasi që Adami dhe Eva nuk e dëgjuan Zotin, iu çelën sytë për ta parë çmendurinë e vet. Ata e njohën të keqen dhe e shijuan fry tin e hidhur të mëkatit të tyre.BZ 505.2

    Në mes të kopshtit ishte rritur pema e jetës, fryti i së cilës e kishte forcën që vazhdimisht ta përtëriste jetën. Sikur Adami ta kishte dëgjuar Zotin ai edhe më tutje do të kishte pasur qasje të lirë te ajo pemë dhe do të kishte jetuar jetë të amshueshme. Mirëpo kur mëkatnoi, më nuk guxoi të hante nga pema e jetës dhe kështu u bë i vdekshëm. Aktgjykimi hyjnor: “Sepse je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh” e thekson shuarjen e plotë të jetës.BZ 505.3

    Me shkeljen që e bëri Adami e humbi pavdekshmkërinë e cila i qe premtuar me kusht që të dëgjonte. Ai nuk ka mundur t'ia bartë trashëgimtarëve të vet atë që vet nuk e ka pasur; ndërsa për gjininë e rënë nuk do të kishte pasur shpresë në qoftë se Zoti pa e flijuar Birin e vet nuk do t'ia kishte mundësuar njeriut pavdekshmërinë. Deri sa “vdekja hyri në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatnuan” Krishti “shkëlqeu në jetë me Ungjillin e pashkatërrueshëm” (Romakëve 5,12; Timoteut 1,10). Vetëm në Krishtin mund të arrihet pavdekshmëria. Jezusi ka thënë: “Kush beson në Birin e ka jetën e pasosur, përkundrazi ai që nuk beson në Birin nuk do ta shoh jetën.” (Gjoni 3,36) Secili njeri mund ta marrë bekimin e çmueshëm në qoftë se i plotëson kushtet. Të gjithë që me qëndresë në vepra të mira e kërkojnë lumturinë, nderin dhe pashkatërrueshmërinë do ta kenë “jetën e amshueshme.” (Romakëve 2,7)BZ 505.4

    Qenia e vetme që i ka premtuar Adamit jetë në padëgjueshmërinë e tij ka qenë mashtruesi i madh. Fjalët e gjarpërit dërguar Evës në parajsë: “Nuk do të vdisni” kanë qenë predikimi i parë për pavdekshmërinë e shpritit. Megjithatë kjo deklaratë që mbëshetet në autoritetin e satanit përsëritet nga predikatoret e krishtera dhe miratohet nga shumica e gjinisë njerëzore, njësoj shpejt siç është pranuar edhe nga stërgjyshrit tanë. Aktgjykimi hyjnor “cili shpirt mëkatnon do të vdes (Ezek. 18,20) interpretohet sikur të nënkuptonte: shpirti që mëkatnon nuk do të vdes por do të jetojë për jetë të jetëve. Ne vetëm mund t'i habitemi nga kjo verbëri e jashtëzakonshme e cila njerëzit i bënë aq naiv ndaj fjalëve të satanit dhe aq të luhatshëm ndaj fjalëve të Zotit.BZ 506.1

    Sikur njeriut, pas rënies t'iu kishte lejuar qasja e lirë në pemën e jetës ai do të kishte jetuar jetë të amshueshme dhe kështu mëkati do të ishte bërë i pavdekshëm. Mirëpo Kerubini me shpatën e zjarrtë e ka ruajtur “rrugën e pemës së jetës” (Zanafilla 3,24) dhe askush nga familja e Adamit nuk ka guxuar ta kalojë atë kufi dhe të marrë nga frytet që japin jetë. Prandaj nuk ka mëkatarë të pavdekshëm.BZ 506.2

    Mirëpo pas rënies së njeriut satani u kishte urdhëruar engjëjve të vet që të bënin përpjekje të posaçme për ta përhapur besimin në pavdekshmërinë e lindur të njeriut dhe pasi që i kishin nxitur njerëzit ta pranojnë këtë lajthitje kishin tentuar që t'i sjellin në konkkluzionin se mëkatarët do të jetojnë në pësime jetike. Tani princi i errësirës përmes veglave të veta e paraqet Zotin si tiran, hakmarrës dhe pohon se Ai të gjithë ata që nuk i ka për qefi i hedh në ferr ku duhet ta përballojnë mllefin e tij të amshueshëm. Dhe deri sa ata i vuajnë mundimet e pashpjegueshme dhe mbështillen nga dhimbja në zjarrin jetik, krijuesi i tyre i shikon prej së larti me kënaqësi.BZ 506.3

    Në këtë mënyrë armiku i përbetuar ia përshkruan Krijuesit dhe mirëbërsit të gjinisë njerëzore ato tipare që i ka vet. Gjakpirësia është veçori e satanit. Zoti është dashuri; dhe çdo gjë që ka krijuar ka qenë e pastër, e shenjtë dhe e përsosur, derisa rebeli i parë nuk e solli mëkatin. Vet satani është armik i cili njeriun e nxitë të bëjë mëkat e më tutje përpiqet ta shkatërrojë nëse mundet. Kur është i sigurt në viktimën e vet i gëzohet shkatërrimit të cilin e ka shkaktuar. Në qoftë se do t'i lejohej, ai tërë gjininë njerëzore do ta kapte në rrjetën e vet. Sikur të mos kishte ndërhyrë Fuqia hyjnore, asnjë bir apo bijë e Adamit nuk do t'i kishin shpëtuar nga dora.BZ 508.1

    Edhe sot satani tenton të ngadhnjejë mbi njerëzit ashtu siç kishte ngadhnjyer mbi pridërit tanë të parë në mënyrë që e kishte luhatur besimin e tyre në Krijuesin, i kishte nxitur që të dyshojnë në urtinë e pushtetit dhe në drejtësinë e ligjit të tij. Satani dhe të dërguarit e tij e paraqesin Zotin edhe më të keq se që janë ata vet, vetëm për ta arsyetuar ligësinë, krimin dhe rebelimn e tyre. Mashtruesi i madh përpiqet që karakterin e tij të tmerrshëm dhe gjakpirës t'ia përshkruaj Atit tonë qiellor, ndërsa vet të tregohet si qenie të cilës me përjashtimin nga qielli i është bërë padrejtësi e madhe sepse nuk ka dashur t'i nënshtrohet një zotëriu aq të padrejtë. Ai e thekson para botës lirinë të cilën ata mund ta gëzojnë nën pushtetin e tij të butë në kundërshtim me shkllavërinë që sjellin urdhërat e ashpra të Jehovës. Në këtë mënyrë ia arrinë që t'i thejë shpirtërat në besimin ndaj Zotit.BZ 508.2

    Si i kundërvehet shkenca çdo ndjenje të dashurisë dhe mëshirës si dhe kuptimit tonë për drejtësi që të vdekurit e këqijë mundohen me zjarr dhe me sulfur në skëterrën jetike dhe që për shkak të mëkateve të bëra gjatë jetës së shkurtër tokësore janë të detyruar të vuajnë deri atëherë kur të ekzistojë Zoti! Megjithatë kjo shkencë është predikuar shumë e bile edhe sot e mësojnë shumë fe të krishtera. Një doktor autoritativ i teologjisë ka thënë: “Shikimi në mundimet e ferrit gjithnjë do ta shtojë bekimin e të shenjtërve. Duke i parë të tjerët që kanë natyrë të njëjtë dhe janë lindur në rrethanat e njëjta, se janë hedhur në tmerrin e tij, ndërsa se këta janë të nderuar me nderin aq të lartë, do ta kuptojnë se sa të lumtur janë.” Një shkenctar tjetër ka thënë: “Deri sa vendimi i mallkimit do të zbatohet në mënyrë jetike në gjyqet e mllefit, tymi i mundimit të tyre do të ngritet në mënyrë jetike në praninë e gjykatave të mëshirës të cilat në vend se të bashkëndjejnë me këta fatkëqinjë do të thonë: “Amin, aleluja! Lavdërojen Zotin!”BZ 508.3

    Ku mund të gjendet mësimi i tillë në Fjalën e Zotit? A thua të shpëtuarit në qiell do të jenë të privuar nga të gjitha ndjenjat e ngushëllimit dhe të dhimbjes e bile edhe të ndjenjave të humanitetit të rëndomtë? A thua ata do të zëvendësohen me indiferencën e stoikëve ose me gjakpirësinë e egërsirave?—Jo, jo! Ky nuk është mësimi i Librit të Zotit. Ata që i kanë shkruar fjalët e cituara mund të jenë njerëz të ditur e bile edhe të sinqertë por janë të mashtruar nga shkenca e rrejshme e satanit. Ai i nxitë që t'i shtrembërojnë dhe rrotullojnë shprehjet e fuqishme të Shkrimit Shenjt dhe që fjalëve t'u japin veçori të hidhësirës dhe të ligësisë që është tipar i djallit jo i Krijuesit tonë. “Ti thuaju. Pasha jetën time thotë Zoti Perëndi—nuk e dua vdekjen e pabesimtarit por dua që ai të kthehet nga rruga e ligë e të jetojë. Kthehuni, kthehuni në rrugët tuaja të këqija. E pse të vdisni!” (Ezekieli 33,11)BZ 509.1

    Çfarë dobie do të kishte Zoti në qoftë se do ta kishim pranuar se ai kënaqet duke i shikuar mundimet jetike dhe kënaqet nga gjëmët, piskamat dhe klithjet e krijesave që mundohen duke i mbajtur në zjarrin e skëterrës? Vallë a do të kishin mundur këto dënesje të jenë muzikë për veshët e Atij që është dashuria e paskajshme? Pohohet se me ndëshkimin e mëkatarëve me mundime jetike, shprehet urrejtja e Zotit ndaj mëkatit i cili e ka çrregulluar paqen dhe rendin e gjithësisë. Çfarë blasfemie e tmerrshme! Sikur urrejtja e Zotit ndaj mëkatit e arsyeton që ai të vëhet në fronin e amshimit! Në bazë të mësimit të këtyre teologëve mundimi i pandrërprerë, pa kurrëfarë shprese për mëshirë e ndezë mllefin e viktimave të mjera e pasi që ky mllef shprehet në mallkime dhe blasfemi atëherë ato vazhdimisht e shtojnë peshën e fajit. Lavdia e Zotit nuk bëhet më e madhe me këtë shtim të vazhdueshëm të mëkatit gjatë shekujve të pafundësisë.BZ 509.2

    Është e pamundshme ta vlerësojmë të keqen që është shkaktuar nga pseudo-shkenca mbi mundimet jetike. Besimi i Biblës plotë dashuri e mirësi dhe e begatshme me mëshirë, është errësuar nga bestytnia dhe është ngarkuar me tmerre. Kur mendojmë se me çfarë ngjyrash të rrejshme satani e ka pasqyruar karakterin e Zotit atëherë a duhet të çuditemi përse njerëzit frikësohen nga Krijuesi ynë i cili është përplotë mëshirë e bile edhe e urrejnë? Nocionet e tmerrshme për Zotin të përhapura nëpër botë nga mësimet nëpër predikatore, kanë krijuar mijëra edhe bile miliona njerëz që dyshojnë dhe nuk besojnë. Mësimi për mundimet jetike është njëra ndër shkencat e rrejshme që e krijon vera e urrejtjes së babilonit shpirtëror me të cilin ai i deh popujt (Zbulesa 14,8; 17,2). Si kanë mundur predikuesit e Krishtit ta pranojnë dhe ta predikojnë këtë shkencë të rrejshme nga vendi i shenjtëruar, vëretetë është misterioze! Ata këtë e kanë marrë nga Roma si dhe të dielen. Është e vërtetë se e kanë predikuar njerëz të shquar dhe të mirë, mirëpo drita për këtë lëndë nuk ka depërtuar deri te ata siç ka depërtuar deri te ne. Ata kanë qenë përgjegjës vetëm për dritën e cila ka ndriçuar në kohën e tyre; kurse ne jemi përgjegjës për dritën që ndriçon në kohën tonë. Në qoftë se mbrapsemi nga dëshmia e Fjalës së Zotit dhe i pranojmë shkencat e rrejshme, për arsye se ashtu kanë bërë edhe etërit tanë, atëherë i nënshtrohemi gjykimit që iu shqiptua Babilonit; pijmë verë nga urrejta e tyre.BZ 509.3

    Një numër i madh i njerëzve që rebelohen kundër shkencës mbi mundimet jetike bijnë në një lajthitje tjetër. Ata e shohin se Shkrimi Shenjt e paraqet Zotin si qenie plotë dashuri dhe mëshirë dhe nuk mund të besojnë se Ai do të lejojë që krijesat e tij të hidhen në zjarrin jetik të skëterrës. Mirëpo duke besuar se shpirti vetvetiu është i pavdekshëm nxjerrin konkluzione se në fund të gjithë njerëzit do të shpëtohen. Shumë njerëz mendojnë se kërcënimet e Biblës janë caktuar vetëm me qëllim që me frikë t'i detyrojnë njerëzit të jenë të dëgjueshëm e jo se ato kërcënime do të zbatohen. Në këtë mënyrë mëkatari mund të jetojë me kënaqësitë egoiste, t'i urrrejë kërkesat e Zotit e megjithatë të presë që në fund do të pranohet me mëshirë. Shkenca që e ngrit mëshirën e Zotit dhe e nënçmon drejtësinë e tij i pëlqen afshit të zemrës dhe i kurajon mëkatarët në padrejtësitë e tyre.BZ 510.1

    Me qëllim që të dëshmohet se ata që besojnë në shpëtimin e përgjithshëm e shtrembërojnë Biblën për ta mbështetur shkencën e tyre fatale, mjafton t'i theksojmë deklaratat e tyre. Gjatë varrosjes së një njeriu të ri i cili nuk kishte besuar por që fatkeqësisht kishte vdekur, një peshkop univerzalist e kishte zgjedhur një tekst nga Bibla i cili kishte të bënte me Davidin: “Zemra e Perandorit pushoi ta urrente Absalomin sepse i ishte lehtësuar dhimbja për vdekjen e Amnonit.” (2 Samuelit 13,39)BZ 510.2

    “Shpeshherë më pyesin kishte thënë oratori “çfarë do të jetë fati i atyre që e braktisin këtë jetë në mëkate, vdesin ndoshta në gjendje të dehur, shkojnë në vdekje me njolla të kuqe të krimit të cilat nuk janë shpërlarë nga rrobat e tyre ose vdesin si ky djalë i ri dhe të cilët kurrë nuk e kanë pranuar ndonjë besim apo nuk e kanë shijuar bekimin e saj. Ne jemi të kënaqur me Shkrimin Shenjt. Përgjegjja e tij e zgjidhë këtë problem të rëndë. Amnoni ka qenë tepër mëkatarë; ai nuk është penduar; është dehur dhe si i dehur është vrarë. Davidi ka qenë profet hyjnor; ai patjetër e ka ditur se a do ta ketë Amnoni në botën tjetër mirë apo keq. Çfarë kanë qenë ndjenjat e zemrës së tij? Mandej perandori David shprehu dëshirën të shkonte të Absalomi, sepse u ngushëllua për Amnonin që ishte vrarë.BZ 510.3

    Çfarë konkluzioni mund të nxjerrim nga këto fjalë? A nuk është se mundimet jetike nuk e kanë përbërë pjesën e besimit të tij? Kështu besojmë edhe ne, dhe këtu e zbulojmë dëshminë ngadhnjyese në favor të botëkuptimeve më të këndshme, më të iluminizuara dhe më fisnike për pastërtinë definitive të përgjithshme dhe për paqjen. Ai ishte ngushëlluar që i biri i kishte vdekur. E përse? Sepse në syrin profetik ka mundur ta ketë parë ardhmërinë e mrekullueshme dhe ta shoh se biri i tij i ndarë nga të gjitha sprovat, i çliruar nga skllavëria dhe i spastruar nga bjerrja mëkatare, pasi që të pastrohet dhe të shenjtëroret sa duhet do të pranohet në grupin e shpirtërave të ngritur në qiell dhe të lumtur. Ngushëllimi i tij i vetëm ka qenë që biri i tij i vetëm i dashur ka qenë i bartur nga gjendja e tanishme e mëkatit dhe halleve dhe ka shkuar atje ku do të derdhet ndikimi më i lartë i Shpirtit Shenjt në shpirtin e tij të errësuar; ku shpirti i tij do të zhvillohet nën ndikimin e urtisë qiellore dhe të frymëzimit të mrekulueshëm të dashurisë së pavdekshme. Dhe, në këtë mënyrë duke u bërë i shenjt do të mund ta gjente paqen dhe shoqërinë e trashëgimtarëve qiellor. Besojmë se na kuptoni, që ne besojmë se bekimi qiellor nuk varet prej asgjëje që mund ta bëjmë në këtë jetë, as nga ndonjë ndryshim i tanishëm i zemrës, as nga feja apo religjioni ynë i tanishëm.”BZ 511.1

    Kështu ky predikues gjoja i Krishtit e përsëriti gënjeshtrën të cilën e ka thënë gjarpëri në parajsë: “Ju nuk do të vdisni ... përveç atë ditë kur ta shijoni do t'u hapen sytë dhe do të bëheni si yje.” Ai pohon se mëkatarët më të mëdhenj—vrasësit—hajnat dhe kurorëthuesit — do të jenë të gatshëm që pas vdekjes ta marrin bekimin e pavdeksisë.BZ 511.2

    Dhe prej nga ky bastardues i Shkrimit Shenjt e nxjerrë këtë konkluzion? Nga një fjali e vetme e cila e shprehë nënshtrimin e Davidit vullnetit të providencës. Shpirti i i tij “dëshiroi të shkonte te Absalomi sepse u ngushëllua për Amonin që u vra.” Pasi që fuqia e dhimbjes së tij me kohë ishte zbutur, mendimet e tij ishin kthyer nga bin i vdekur drejt të gjallit i cili ishte arratisur në një vend të huaj nga frika para ndëshkimit të drejtë për shkak të krimit që kishte bërë. Dhe, ja për të dëshmia se Amnoni i pamoralshëm dhe i dehur është bartur në vendin e bekuar menjëherë pas vdekjes në mënyrë që atje të pastrohej dhe të përgatitej për bashkësi me engjëjt e pagabueshëm! Ky vërtetë është një tregim i këndshëm, i përshtatshëm për ta lehtësuar zemrën. Kjo është shkenca personale e satanit dhe ka mjaft sukses. Atëherë përse të habitemi se me mësimin e këtillë shtohet edhe paudhësia?BZ 511.3

    Mësimi i këtij mësuesi të rrejshëm e ilustron mësimin e shumë të tjerëve. Nga teksti i theksuar ndahen disa fjalë të Shkrimit Shenjt të cilat në shumë raste do të kishin treguar se kuptimi i tyre është i kundërt me interpretimin i cili u jepet; dhe këto vargje të ndara shtrembërohen dhe përdoren si dëshmi për shkencat të cilat nuk janë të mbështetura në Fjalën e Zotit. Dëshmia e përmendur si fakt se Amoni i dehur është në qiell, është konkluzion në kundërthënie të plotë me kuptimin e qartë dhe të caktuar të Shkrimit Shenjt se asnjë pijanec nuk do ta trashigojë Mbretërinë hyjnore (1 Korintasve 6,10). Në këtë mënyrë, ata që nuk besojnë dhe skeptikët e shndërrojnë të vërtetën hyjnore në gënjeshtër dhe shumë njerëz të mashtruar me mësimet e tyre të rrejshme kanë fjetur në djepin e sigurisë trupore.BZ 512.1

    Sikur të ishte e vërtetë se shpirtërat e të gjithë njerëzve në çastin e vdekjes mënjeherë shkojnë në qiell atëherë më me ëndje do ta kishin dëshiruar vdekjen se jetën. Shumë njerëz të mashtruar nga ky besim e kanë vrarë veten. Kur i mbulojnë hallet, vështirësitë dhe dëshprimet u duket më lehtë ta këpusin perin e dobët të jetës dhe të fuluturojnë në bukurinë e botës së amshueshme.BZ 512.2

    Zoti në Fjalën e vet ka dhënë dëshmi të qarta se do t'i ndëshkojë shkelësit e ligjit të tij. Ata që ngushëllohen nga mendimi se Zoti është tepër i mëshirueshëm dhe se ndaj mëkatarëve nuk do ta zbatojë drejtësinë e vet, duhen vetëm ta shikojnë kryqin në Golgotë. Vdekja e Birit të pagabueshëm të Zotit dëshmon se “paga për mëkatin është vdekja” dhe se çdo shkelje e Ligjit të Zotit ndëshkohet sipas drejtësisë. Krishti i cili nuk ka pasur mëkate, i ka marrë mëkatet tona mbi vete. Ai e ka bartur fajin e shkeljes dhe është privuar nga prania e fytyrës së Atit deri sa zemra e tij nuk është këputur dhe nuk është shuar jeta e tij. I tërë ky flijim është bërë me qëllim që mëkatari të mund të shpërblehet dhe shpëtohet. Në asnjë mënyrë tjetër, njeriu nuk ka mundur të çlirohet nga ndëshkimi i mëkatit. Çdo shpirt që refuzon të marrë pjesë në pajtimin aq shtrenjtë të paguar, patjetër duhet personalisht ta bartë fajin dhe ndëshkimin për shkeljen e vet. Ta shohim se çka na mëson Bibla për mëkatarët dhe të papenduarit të cilët ky univerzalist i bartë në qiell si engjëj të shenjtë dhe të lumtur.BZ 512.3

    “Atij që ka etje unë do t'i jap falas nga burimi i jetës.” (Zbulesa 21,6) Ky premtim vlen vetëm për ata që janë të etur. Vetëm ata që e ndjejnë nevojën për ujin e jetës dhe e kërkojnë me çdo kusht do ta marrin. “Ngadhënjyesi do t'i trashigojë këto dhe unë do të jem Zoti i tij dhe ai biri im.” (Zb. 21,7) Edhe këtu gjithashtu janë vendosur kushtet. Për të trashëguar çdo gjë duhet t'i kundërvihemi mëkatit dhe të ngadhnjejmë mbi të. Zoti përmes profetit Isaia ka thënë: “Thuani të drejtit i lumi ti... mjeri i paudhi të këqijat do ta godasin, do ta gjejnë të këqijat që i ka bërë.” (Isaia 3,10.11) “Edhe mëkatari të bëjë njëqind herë keq dhe do t'i shtyhet”—thotë predikuesi—Porse prapëseprapë e kam vrojtur se do të jenë mirë ata që e druan Zotin, që e kanë frikë fytyrën e tij” (Pred. 8,12.13). Kurse Pali dëshmon se mëkatari me kryeneçësinë e vet “grumbullon kundër vetes hidhërim për ditën e dëftimit të gjyqit të drejtë të Zotit i cili do ta shpaguaj secilin sipas veprave të tija ... ndërsa do të ketë zemrim e përbuzje për ata që me kryeneçësi e kundërshtojnë të vërtetën e i binden paudhësisë” (Rom. 2,5.6.8).BZ 513.1

    Asnjë i paudhë, i papastër apo tahmaqar që është idhujtar nuk do të merrë pjesë në mbretërinë e Krishtit dhe të Zotit (Efesianëve 5,5). “Kujdesohuni për paqe me të gjithë dhe për shenjtërim pa të cilin askush nuk do ta shoh Zotin.” (Hebrenjëve 12,14) “Të lumët ata që i lajnë petkat e veta për të pasur pjesë në pemën e jetës dhe të hyjnë nëpër qytet. Përjashta mbesin qejtë, shortarët, flligështarët, idhujtarët dhe të gjithë ata që e duan ose e vënë në zbatim rrenën.” (Zb. 22,14.15)BZ 513.2

    Zoti ua ka shpaullur njerëzve karakterin dhe veprimin e vet me mëkatin “Zoti, Zoti, Perëndi i mëshirshëm dhe i butë, i durueshëm dhe shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë që qëndron besnik me mijëra brezni, që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin por që nuk lë pa ndëshkuar asgjë; që e ndëshkon paudhësinë e etërve në fëmijë, madje në nipa —në tretën dhe të katërtën brezni.” (Dalja 34,6.7) “Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, kurse të paudhët të gjithë do t'i shuaj.” (Psalmi 145,20; 37,38) Pushteti dhe autoriteti i sundimit hyjnor do të përdoren për t'i shuar rebelimet, por megjithatë gjyqet e drejtësisë do të jenë në përputhje të plotë me karakterin e Zotit i cili është i mëshirëshëm, plotë durim dhe mirësi.BZ 513.3

    Zoti nuk e detyron vullnetin apo mendjen e askujt. Ai nuk e dëshiron dëgjueshmërinë e skllavit. Ai dëshiron që krijesat e duarve të tija ta duan sepse është i denjë për ta dashur. Ai dëshiron ta dëgjojnë sepse e çmojnë urtinë, drejtësinë dhe shpirtëgjërësinë e tij. Të gjithë ata që i kuptojnë drejt tiparet e tij do ta duan sepse me bukurinë e karaterit të tij janë tërhequr drejt tij.BZ 514.1

    Parimet e mirësisë, të mëshirës dhe dashurisë të cilat i ka theksuar dhe i ka treguar Shpëtimtari ynë gjatë jetës janë pasqyrë e vullnetit dhe e karakterit të Zotit. Krishti ka thënë: se ai nuk predikon asgjë tjetër përveç atë që e ka pranuar nga Ati i tij. Parimet e pushtetit hyjnor janë në harmoni të plotë me urdhërin e Shpëtimtarit: “duani miqët tuaj.” Zoti e ushtron drejtësinë e vet ndaj të këqijëve për të mirën e gjithësisë e bile edhe për të mirën e atyre ndaj të cilëve bëhen gjyqet. Ai me ëndje do t'i kishte lumturuar sikur të kishte mundur ta bënte në pajtim me ligjet e pushtetit dhe të drejtësisë së karakterit të vet. Ai i rethon me shenjat e dashurisë së tij. Ua ofron njohjen e ligjit të vet dhe ua ofron mëshirën e vet. Mirëpo ata e urrejnë dashurinë e tij, ia shkelin ligjin dhe ia refuzojnë mëshirën. Vazhdimisht i marrin dhuratat por e turpërojnë Dhuratdhënësin. E urrejnë Zotin sepse e dijnë se ai gërditet prej mëkateve të tyre. Zoti e duron gjatë bastardimin e tyre, por një ditë me siguri do të vijë ora kur duhet të vendoset fati i tyre. A do t'i lidhë atëherë Ai këta rebelë për vete? A do t'i detyrojë ta plotësojnë vullnetin e tij?BZ 514.2

    Ata që e kanë zgjedhur satanin për prijës të vetin dhe kanë lejuar që ai t'i mbisundojë nuk janë të gatshëm për t'u gjetur në praninë e Zotit. Fodullëku, mashtrimi, paudhësia dhe vrazhdësia janë rrënjosur në karakterin e tyre. Vallë a mund të hyjnë ata në qiell dhe të jetojnë për jetë me ata që në tokë i kanë urrejtur dhe stërurrejtur? E vërteta kurrë nuk do të jetë e pëlqyeshme për mashtruesin; butësia kurrrë nuk do t'i kënaq njerëzit fodull dhe të krekosur; pastërtia nuk i pëlqen flligështarit, kurse dashuria e pastër nuk është tërheqëse për egoistin. Çfarë gëzimi do t'u sillte qielli atyre që plotësisht janë të preokupuar me motivet tokësore dhe egoiste?BZ 514.3

    Sikur të gjithë ata që jetën e tyre e kanë kaluar në rebelim kundër Zotit, papritur të barteshin në qiell për ta vështruar gjendjen e lartë dhe të shenjtë të përsosshmërisë që atje mbretëron gjithmonë; sikur ta shihnin se çdo shpirt është i mbushur me dashuri; se çdo fytyrë shkëlqen nga gëzimi; se muzika e mrekullueshme me tingujt melodik jehon për nder të Zotit dhe Qengjit, kurse nga fytyra e Atij që qëndron në fron pandërprerë rrjedhë dhe derdhet lumi i dritës në të shpërblyerit—a thua zemrat e atyre që janë mbushur me urrejtje ndaj Zotit, ndaj të vërtetës dhe shenjtërisë munden të përzihen me çetat qiellore dhe t'u bashkohen këngëve të tyre hymnizuese? A thua do të mund ta përballonin lavdinë e Zotit dhe të Qengjit?—Jo kurrsesi! Vitet e mëshirës u janë dhuruar për ta zhvilluar karakterin për qiell, por ata kurrë nuk janë përpjekur ta duan pastërtinë. Kurrë nuk e kanë mësuar gjuhën qiellore—kurse tani është tepër vonë. Jeta rebeluese ndaj Zotit i ka bërë të paaftë për qiell. Pastërtia, shenjtëria dhe paqja e Tij për ta do të ishin vetëm mynxyrë, kurse lavdia e Zotit zjarr që i gëlltitë. Ata do të kishin dashur të arratisen nga ky vend i shenjt. Me ëndje do ta kishin pranuar shkatërrimin vetëm që të mund të fshehen nga fytyra e Atij i cili ka vdekur për t'i shpëtuar. Fati i mëkatarëve është vulosur me zgjedhjen e tyre presonale. Përjashtimi i tyre nga qielli është vendimi i tyre i qëllimshëm kurse nga ana e Zotit i drejtë dhe i mëshirëshëm.BZ 515.1

    Si dikur, ujërat e përmbytjes ashtu edhe zjarri i ditës së madhe do ta shpallë aktgjykimin e Zotit se mëkatarët janë të papërmirsueshëm. Ata nuk duan t'i nënshtrohen autoritetit hyjnor. Vullneti i tyre është mësuar me kundërshtime dhe atëherë kur jetës së tyre i vjen fundi është tepër vonë që rrjedha e mendimeve të tyre të orientohet në drejtim të kundërt, tepër vonë që nga mëkatet dhe rebelimi t'i kthehen dëgjueshmërisë dhe nga urrejtja dashurisë.BZ 515.2

    Me faktin se e ka lënë në jetë Kainin si vrasës, Zoti i ka dhënë shembull botës se çka do të kishte ndodhur në qoftë se mëkatarit do t'iu kishte lejuar të jetonte vazhdimisht në flligështinë e pafrenueshme. Me ndikimin e shkencës së Kainit dhe të shembullit të tij, me mijëra pasardhës të tij janë nxitur të bëjnë mëkat deri sa “paudhesia e njerëzve përmbi tokë ishte aq e madhe dhe sa që çdo mendim i zemrës së tyre nuk synonte tjetër pos të bëjë të keqe.” “Kurse toka ishte prishur para syve të Zotit dhe ishte mbushur me dhunë.” (Zan. 6,5.11)BZ 515.3

    Nga dashuria ndaj botës, Zoti në kohën e Noeut i shkatërroi banorët e bjerrur. Nga mëshira i shkatërroi banorët e këqij të Sodomës. Me fuqinë mashtruese të satanit të paudhët bashkëpjesëmarrin dhe mrekullohen në veprat e këqija dhe kështu vazhdimisht i nxisin edhe tjerët për tu rebeluar. Kështu ka qenë në ditët e Kainit dhe të Noeut si dhe në kohën e Abrahamit dhe të Lotës. Kështu është edhe në ditët tona. Vetëm nga mëshira ndaj gjithësisë Zoti në fund do t'i shkatërrojë ata që e refuzojnë mëshirën e tij.BZ 516.1

    “Sepse paga për mëkat është vdekja kurse dhurata e Zotit është jeta e pasosur në Jezu Krishtin Zotin tonë.” (Romakëve 6,23) Deri sa jeta është trashigimi e të drejtëve, vdekja është pagë e mëkatarëve. Moisiu i ka thënë Izraelit: “Shiko! Unë sot po të lus ndër sy të tu me jetën e lumturinë por edhe me vdekjen e mjerimin.” (Ligji Përtrirë 30,15) Vdekja e përmendur në këtë varg nuk është vdekja që iu shqiptua Adamit, të cilën të gjithë njerëzit duhet ta përballojnë si ndëshkim të shkeljes së tij por është një “vdekje tjetër” e cila përmendet si antinomi e jetës së amshueshme.BZ 516.2

    Si pasojë e mëkatit të Adamit, vdekja kaloi në tërë gjininë njerëzore. Të gjithë pa dallim shkojnë në varr. Mirëpo në saje të planit të shpëtimit, të gjithë do të dalin nga varret e tyre. Sepse “do të ngjallen të drejtit e të këqijët” (Veprat 24,15). “Dhe sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën.” (1 Korintasve 15,22) Mirëpo ndërmjet dy klasave të të ringjallurve është një dallim i dukshëm. “Sepse po vjen koha kur të gjithë ata që pushojnë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë mirë—do të ngjallen për të jetuar, ata që bën keq — do të ngjallen për t'u dënuar.” (Gjoni 5,28.29) Ata të cilët “do të jenë të denjë për t'u ngjallur për të jetuar do të jenë të bekuar, të shenjt dhe të lumtur.” “Mbi ta vdekja e dytë s'ka pushtet.” (Zbulesa 20,6) Mirëpo ata të cilët me pendesë dhe me besim nuk e kanë marrë faljen do ta marrin dënimin për shkelje, “pagën për mëkatin”. Ata do të vuajnë dënime të ndryshme për nga kohëzgjatja dhe fuqia “sipas veprave të veta” të cilat definitivisht do të përfundojnë me vdekjen e dytë. Pasi që Zoti në pajtim me drejtësinë dhe mëshirën e vet nuk mund t'i shpëtojë mëkatarët me mëkatet e tyre, Ai i privon nga jeta të cilën ata e kanë humbur për shkak të mëkateve dhe për të cilën janë dëshmuar të padenjë. Një shkrimtar i frymëzuar thotë: “Edhe pak kohë e keqëbërësi do të sharrojë, tash ia kërkon vendin dhe e s'do t'ja gjesh.” (Psalmi 37,10) Kurse një tjetër përsëri thotë: “Dhe do të duket se as që kanë qenë gjallë.” (Abdiu 16) Të mbuluar nga turpi ata do të batisin pa shpresa në harresën e amshueshme.BZ 516.3

    Kështu mëkati definitivisht do të shkatërrohet me të gjitha vuajtjet dhe tmerret që i ka shkaktuar. Autori i psalmeve thotë: “Ti i qortove paganët, e shuajte të pabesin, emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës ...mbaroi kujtimi i tyre me ta.” (Psalmi 9,5.6) Gjoni në Zbulesë duke e shikuar amshimin e bekuar i kishte dëgjuar hymnizimet e përgjithshme të cilat nuk ishin çregulluar me kurrëfarë disharmonie. Të gjitha krijesat në qiell dhe në tokë e lavdërojnë Zotin (Zbulesa 5,13). Nuk do të ketë shpirtëra të humbur që blasfemojnë duke u mbështjellur në mynxyrat e amshueshme as krijesa të mira në skëterrë, klithmat e dhimbjes së të cilave do të përziheshin me këngët e të shpëtuarve.BZ 517.1

    Në lajthitje të madhe mbi pavdekshmërinë spontane mbështetet shkenca mbi gjendjen e vetëdijshme të të vdekurëve pas vdekjes—shkenca e cila si dhe ajo mbi mynxyrat e amshueshme i kundërvehet mësimit të Shkrimit Shenjt, logjikës së aryses dhe ndjenjave tona njerëzore. Në bazë të besimit që është përhapur në popull, të shpëtuarit në qiell janë të njohtuar me çdo gjë që ndodhë në tokë e sidomos me jetën e miqëve që i kanë lënë pas vete. Mirëpo, çfarë burimi i kënaqësisë do të mund të ishte për të vdekurit njohuria se më të dashurit e tyre në botë vuajnë, se janë duke mëkatuar, se u përballojnë dhimbjeve, dëshprimeve dhe se kanë halle jetësore? Sa lumturi qiellore dhe sa kënaqësi do të mund të përjetojnë ata që vazhdimisht do të fluturojnë duke qëndruar pezull mbi miqët e tyre në botë? Dhe sa është i tmerrshëm besimi se shpirti i të papenduarit, po sa fryma e braktisë trupin t'i dorëzohet zjarrit të skëterrës! Çfarë frike të tmerrshme duhet të përballojnë ata që i shohin miqët se si shkojnë të papërgatitur në varr për të hyrë në amshimin e dhimbjes dhe të mëkatit! Këto mendime të mundimshme shumë njerëz i kanë çmednur.BZ 517.2

    Çka thotë Shkrimi Shenjt për të gjitha këto çështje? Davidi thotë se njeriu nuk është në gjendje të vetëdijshme gjatë kohës së vdekjes:BZ 517.3

    “Njeriu jep shpirt e kthehet në dheun e vet. Brenda një dite humbasin synimet e tija.” (Psalmi 146,4) Solomoni dëshmon të njëjtën gjë: “Sepse të gjallët e dijnë se do të vdesin, kurse të vdekurit s'dinë më asgjë dhe s'do të kenë më asfarë shpërblimi pasi kujtimin e tyre e mbulon harresa. Poashtu edhe dashuria e tyre, urrejtja dhe smira, të gjitha së bashku morën fund e më nuk bëjnë pjesë në këtë shekull as në veprimtarinë që bëhet nën diell.” “Ku do të shkosh, s'ka as veprimtari, as arsye, as urti, as dije.” (Predikuesi 9,5.6.10)BZ 517.4

    Kur jeta e Ezekielit pas lutjes së tij u vazhdua për 15 vjet, perandori mirënjohës e lavdëroi Zotin për mëshirën e tij. Në këngën hymnizuese ai e thekson arsyen përse është gëzuar aq shumë: “Sepse banesa e të vdekurve nuk të lavdëron, vdekja ty lavde s'të këndon, ata që zbresin në gropë nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde. I gjalli, vetëm i gjalli të lavdëron, siç po bëj edhe unë sot: Babai ua mëson fëmijëve besnikërin tënde.” (Isaia 38,18.19) Në popull besimi i përhapur fletë se të drejtit e vdekur gjenden në qiell ku në lumturi e lavdërojnë Zotin me gjuhën e pavdekshme. Mirëpo Ezekieli nuk e kishte parë në vdekje mundësinë e tillë të mrekullueshme. Me fjalët e tij përputhet edhe dëshmia e autorit të psalmeve: “Sepse ndër të vdekur kush të kujton, në nëntokë kush të këndon lavde, “jo nuk janë të vdekurit që të lavdërojnë o Zot, dhe asnjë prej atyre që zbresin në heshtim” (Psalmi 6,5; 115,17).BZ 518.1

    Pjetri në ditën e Rrëshajave i ka thënë patrikut Davidit “Davidi Patrik vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne.” “E pra Davidi nuk qe ngritur në qiell.” (Veprat 2,29.34) Fakti se Davidi qëndron në varr deri në ngjalljen nga të vdekurit dëshmon se të drejtit nuk shkojnë në qiell në çastin e vdekjes. Vetëm pas ringjalljes dhe në saje të ngjalljes së Krishtit, Davidi më në fund do të mund të qëndrojë në anën e djathtë të Zotit.BZ 518.2

    Pali ka thënë: “Po në qoftë se Krishti nuk është ngjallur,e kotë është feja e juaj, ende jeni në mëkatet tuaja. Atëherë edhe ata që vdiqën me Krishtin u zhdukën.” (1 Korintasve 15,17-18) Në qoftë se në kohën prej katërmijë vjetëve, të drejtit do të kishin shkuar menjëherë në qiell në çastin e vdekjes, siç ka mundur të thotë Pali, në qoftë se nuk ka ringjallje, atëherë “edhe ata që kanë vdekur në Krishtin janë zhdukur.” Atëherë ngjalljen nga të vdekurit edhe fare nuk do të duhej të kishte.BZ 518.3

    Martiri Tindali për gjendjen e të vdekurve ka thënë: “Unë e pranoj haptazi se nuk jam i bindur se ata tani jetojnë në lavdinë në të cilën jeton Krishti ose në atë që janë engjëjt e zgjedhur të Zotit. Ky nuk është besimi im sepse në qoftë se të dretjtit do të kishin qenë në qiell, atëherë mendoj se predikimi për ngjalljen e trupit nuk do të kishte pasur kuptim.” (Parathënia e Besëlidhje së Vjetër, 1534).BZ 518.4

    Është fakt i pamohueshëm se shpresa për lumturinë e pasosur në çastin e vdekjes ka shkaktuar lënien e përgjithshme pasdore të shkencës biblike për ngjalljen. Këtë e ka konstatuar edhe dr. Adam Klark i cili ka thënë: “Si duket të krishterët e parë e kanë konsideruar shkencën për ngjalljen nga të vdekurit shumë më të rëndësishme se që ne e konsiderojmë sot! Përse ka ndodhur kështu? Apostujt vazhdimisht e kanë theksuar dhe në këtë mënyrë i kanë nxitur fëmijët e Zotit të jenë të vlefshëm, të dëgjueshëm dhe me gëzim e të zellshëm. Mirëpo pasuesit e tyre në kohën e sotme rrallë e përmendin! Ashtu kanë predikuar apostujt dhe ashtu kanë besuar të krishterët e parë; ashtu predikojmë edhe ne dhe ashtu besojnë edhe dëgjuesit tanë. Në Ungjill nuk ka asnjë mësim që theksohet më fuqishëm; por nuk ka as një shkencë në sistemin e sotëm të predikimit e cila është lënë aq shumë pasdore! (Interpretimi i Besëlidhjes së Re për 1 Korintas. 15).BZ 519.1

    Kjo gjendje ka vazhduar deri sa e vërteta e lavdishme për ngalljen nga të vdekurit nuk është errësuar dhe gati zhdukur krejtësisht në botën e krishterë. Kështu një shkrimtar fetar në vërejtjet e Palit lidhur me 1 Selanikasve 4,13-18 ka thënë: “Për shkak të qëllimit praktik të ngushëllimit, mësimi për pavdekshmërinë e lumtur të të drejtëve e zëvendëson mësimin e dyshimt për ardhjen e dytë të Krishtit. Në momentin e vdekjes sonë Zoti vjen për të na marrë. Kjo është ajo që ne duhet ta presim dhe për të cilën duhet të gjakojmë. Të vdekurit, që tani kanë hyrë në lavdi. Ata e presin borinë për ta pranuar gjykimin dhe lumturinë e tyre.”BZ 519.2

    Mirëpo, kur Jezusi është dashur t'i lë nxënësit e vet ai nuk u ka thënë se ata do të shkonin te ai së shpejti: “Po shkoj t'ua bëjë gati vendin”,—u pat thënë. “Kur të shkoj dhe t'ua bëjë gati vendin, përsëri do të vijë, do t'ju marrë me vete dhe ju do të jeni ku jam unë.” (Gjoni 14,2-3) Kurse Pali më tutje thotë “sepse vet Zoti—kur të jepet urdhëri, në zë të Kryengjëllit, në zë të borisë së Zotit do të zbres nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi në jetë bashkë me të kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin.” Mandej shton: “Pra ngushëlloni njëri tjetrin me këto fjalë.” (1 Selanikasve 4,16-18) Dallimi ndërmjet këtyre fjalëve të ngushëllimit dhe atyre të theksuara të predikuesëve univerzalist është i madh, sepse ai—univeralisti i ka ngushëlluar miqët e pikëlluar me bindjet se të vdekurit sado që të jenë mëkatarë, posa të japin shpirt do të pranohen ndër engjëjt, ndërsa Pali krejt ndryshe i udhëzon vëllezërit e vet në ardhjen e Krishtit vetëm atëherë kur prangat e varrit do të thehen dhe kur “të vdekurit në Krishtin” do të ngjallen për jetë të amshueshme.BZ 519.3

    Para se dikush të mund të hyjë në banesat e të lumturëve, rasti i tij duhet të analizohet, ndërsa karakteri dhe veprat e tij duhet t'i nënshtrohen provimit para Zotit. Të gjithëve do tu bëhet gjyqi në bazë të raportit të shënuar në libra dhe secili do ta merrë pagën në bazë të veprave të veta. Ky gjyq nuk bëhet në çastin e vdekjes. T'i kushtojmë kujdes fjalëve të Palit: “Sepse ai e caktoi një ditë, kur me drejtësi do ta gjykojë botën me anë të një Njeriu të cilin e caktoi për këtë gjë dhe e përforcoi para të gjithëve duke e ngjallur nga të vdekurit.” (Veprat 17,31) Këtu apostulli thotë qartë se gjyqi botës është caktuar në një ditë e cila atëherë ka qenë ngjarje e ardhshmërisë. Juda na shpie në atë kohë: “Mu për ta parakallxoi i shtati pas Adamit, Henoku kur tha: ja po vjen Zoti me dhjetra mijëra engjëjsh të vet, për t'i gjykuar të gjithë të pafetë për të gjitha fjalët fyese që i thanë kundër tij—mëkatarët e pa fe.” (Juda 6.14.15) Gjoni ka thënë se i ka parë “të vdekurit, të mëdhej dhe të vegjël në këmbë para fronit ... të vdekurit u gjykuan sipas shkrimeve që ishin në libra—simbas veprave të tyre” (Zbulesa 20,12).BZ 520.1

    Mirëpo, në qoftë se të vdekurit tani më janë duke e gëzuar lumturinë qiellore ose janë duke vuajtur në flakën e ferrit, përse atëherë është i nevojshëm gjyqi i ardhshëm? Shkenca e Fjalëve të Zotit për këto çështje të rëndësishme nuk është as e paqartë e as kontradiktore. Atë mund ta kuptojnë edhe njerëzit e rëndomtë. Mirëpo, cili shpirt i sinqertë mund t'i shoh urtësitë dhe drejtësitë në besimin e përhapur për shpërblimin menjëherë pas vdekjes? A do ta marrin lavdinë të drejtit pas analizmit të rastit të tyre në gjyq: “Të lumtë shërbëtor i mirë dhe besnik ... hyre në gëzimin e zotërisë tënd.” (Mateu 25,21) Kur të ndodhen në praninë e tij ndoshta pas shumë shekujsh? A do të thirren mëkatarët nga vendi ku janë duke vuajtur ta marrin akgjykimin e Gjykatësit të tërë botës: “Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur.” (Mateu 25,41) Çfarë përqeshje e tmershme!BZ 520.2

    Teoria për pavdekshmërinë e shpirtit është njëra ndër mësimet e rrejshme të cilat Roma i ka marrë nga paganët dhe i ka futur në fenë e krishterë. Martin Luteri i fut në grupin e “trillimeve monstruoze të cilat e përbëjnë baltën e dekretalieve të Romës.” (Petabeli, çështja e pavdekshmërisë fq. 255.) Në vërejtjet e veta ndaj fjalëve të Solomonit, te Kishtari, se të vdekurit asgjë nuk dinë reformatori thotë: “Kjo ëshë edhe një dëshmi se të vdekurit janë të pavetëdijshëm. Atje, thotë Solomoni, nuk ka as punë, as mendime, as dije, as mençuri. Solomoni beson se të vdekurit flejnë dhe se asgjë nuk dijnë. Ata atje qëndrojnë të shtrirë duke mos i llogaritur as ditët e as vitet. Mirëpo kur të zgjohen, do t'u duket se kanë fjetur vetëm një çast.” Luteri “vështrimi i librit të Solomonit—Predikuesi”, fq. 152.BZ 521.1

    Askund në Shkrimin Shenjt nuk thuhet se të drejtit e marrin shpërblimin e vet, apo mëkatarët ndëshkimin në momentin e vdekjes. Patrikët dhe profetët nuk kanë lënë pohime të këtilla. Krishti dhe apostujt e tij për këtë nuk kanë lënë asnjë paralajmërim. Bibla na mëson qartë se të vdekurit nuk shkojnë drejtpërsëdrejti në qiell por se flejnë deri në ngjallje nga të vdekurit (1 Selanikasve 4,14; Jobi 14,1012). Ditën e njëjtë kur të këputet litari i argjendit dhe kur të thehet gota e floririt (Predikuesi 12,6) do të ndërprehen edhe mendimet e njeriut. Ata që zbresin në varr qëndrojnë në qetësi. Ata nuk dijnë më për asgjë që ndodhë nën qiell (Jobi 14,21.) Çfarë qetësie e lumtur për të drejtit e lodhur! Për ata koha, qoftë e shkurtër apo e gjatë është vetëm një çast. Ata flejnë dhe boria e Zotit do t'i zgjojë në pavdekshmërinë e lavdishme. “Sepse do të bjerë boria—të vdekurit do të ngjalien të pashkatërrueshëm ... dhe ky trup i shkatërrueshëm do të veshet me pashkatërrueshmëri dhe ky trup i vdekshëm do të veshet me pavdekshmëri, atëherë do të shkoj në vend fjala e Shkrimit Shenjt: vdekjen e gëlltiti fitorja. Ku është ngadhnjimi yt? O varr ku është fitorja yte?” (1 Korintasve 15,52-55) Kur të vdekurit e drejtë do të thirren nga gjumi i thellë, do të vazhdojnë të mendojnë pikërisht prej aty ku kanë qene të ndërprera mendimet e tyre. Kujtimi i fundit ka qenë frika nga vdekja, mendimi i fundit që t'i nënshtrohen fuqisë së varrit. Kur të ngjalien nga varri mendimi i parë i tyre i gëzueshëm do të shprehet në klithjen ngadhnjyese: “O vdekje ku është ngadhnjimi yt? O vdekje ku është varri dhe thimthi yt?” (1 Korintasve 15,55)BZ 521.2

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents