Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents

PATRIARKË DHE PROFETË

 - Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    1—“PSE U LEJUA MËKATI?”

    *****

    “Perëndia është dashuri.” - 1 Gjonit 4:16. Natyra e Tij, ligji i Tij është dashuri. Gjithmonë ka qenë, gjithmonë do të jetë. “I Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë,” rrugët e të cilit “janë të përjetshme,” nuk ndryshon. Me Të “nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.” - Isaia 57:15; Habakuk 3:6; Jakobit 1:17.PPAlb 7.1

    Çdo manifestim i fuqisë krijuese hyjnore është shprehje e një dashurie që nuk njeh kufi. Sovraniteti i Perëndisë përfshin plotësinë e bekimit për gjithë krijesat. Psalmisti thotë:PPAlb 7.2

    “Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.PPAlb 7.3

    Drejtësia dhe gjykimi përbëjnë bazën e fronit tënd;
    Mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.
    PPAlb 7.4

    Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse do të ecë në dritën e fytyrës sate; Do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.PPAlb 7.5

    Po, Ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd Ti e shton fuqinë tonë.
    Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.”
    -Psalmi 89:13-18
    PPAlb 7.6

    Historia e konfliktit të madh, ndërmjet së mirës dhe së keqes, që prej kohës kur filloi në qiell e deri në përmbysjen përfundimtare të rebelimit dhe shkatërrimit të plotë të mëkatit, është gjithashtu një manifestim i dashurisë së pandryshueshme të Perëndisë.PPAlb 7.7

    Sovrani i universit nuk ishte i vetëm në punën e Tij krijuese. Ai kishte një bashkëpunëtor, i cili i çmonte synimet e Tij dhe ndante gëzimin me Të, duke u dhënë lumturi gjithë krijesave. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (Fjala) ishte në fillim me Perëndinë.” - Gjoni 1:1-2. Krishti, Fjala, i Vetëmlinduri i Perëndisë, ishte një me Atin e Tij qiellor—një në natyrë, një në karakter, një në qëllim—i vetmi që mund të këshillohej dhe mund të arsyetonte me Perëndinë. “Do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.” Isaia 9:6. Origjinat e Tij vijnë “nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë.” - Mikea 5:2. Dhe Biri i Perëndisë deklaron për veten e Tij: “Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta. U vendosa nga amshimi [përjetësia] ... Kur Ai fiksonte qiejtë, unë isha aty ... kur vendoste themelet e dheut... unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e Tij, duke u gëzuar çdo çast para Tij.” - Fjalët e Urta 8:22-30.PPAlb 7.8

    Me anë të Birit te Tij, Ati krijoi të gjitha qeniet qiellore. “Në Të (Birin) u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të Tij dhe në lidhje me Të.” - Kolosianëve 1:16. Engjëjt janë shërbyes të Perëndisë, rrezatues të dritës, që vjen nga prania e Tij dhe shpejtojnë për të zbatuar vullnetin e Tij. Por Biri, i shuguruari i Perëndisë, “duke qenë shkëlqimi i lavdisë së Tij,” “vula e qenies së Tij” dhe “duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së Tij,” ka pushtet të plotë mbi të gjithë engjëjt. - Hebrenjve 1:3. Një fron i lartë, i lavdishëm “që në fillim” ishte vendi i shenjtërores së Tij.” Jeremia 17:12; skeptri i Tij është “skeptër drejtësie.” - Hebrenjve 1:8. “Shkëlqimi dhe madhështia janë para Tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e Tij.” - Psalmi 96:6. Drejtësia dhe gjykimi përbëjnë bazën e fronit të Tij; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës së Tij. - Psalmi 89:14.PPAlb 7.9

    Ligji i dashurisë përbën themelin e qeverisjes së Perëndisë. Si rrjedhim, lumturia e të gjitha qenieve inteligjente varet nga zbatimi i plotë, nga ana e tyre, i parimeve të mëdha të drejtësisë, që përmban ligji. Perëndia dëshiron një shërbim dashurie nga të gjitha krijesat e Tij, një shërbim, që buron nga vlerësimi i karakterit të Tij. Ai nuk kënaqet nga bindja e detyruar, ndaj Ai u ka garantuar të gjithëve vullnet të lirë, në mënyrë që shërbimi i tyre të jetë vetëm i vullnetshëm.PPAlb 8.1

    Për sa kohë që gjithë qeniet e krijuara pranuan aleancën e dashurisë, në gjithë universin e Perëndisë, kishte harmoni të përsosur. Zbatimi i vullnetit të Perëndisë ishte, në të vërtetë, kënaqësia e krijesave qiellore. Ato ngazëlleheshin duke reflektuar lavdinë e Perëndisë dhe duke i kënduar lavde Atij. Dhe ndërsa dashuria për Perëndinë ishte supreme, dashuria për njëri-tjetrin ishte e pastër dhe e çiltër. Nuk kishte asnjë notë të vetme që thyente harmoninë qiellore. Por, kjo gjendje kaq e përsosur do të ndryshonte. Ishte dikush që do të prishte dhe keqpërdorte lirinë, që Perëndia u kishte garantuar krijesave të Tij. Mëkati do të niste pikërisht me të, i cili, pas Krishtit, ishte më i nderuari nga vetë Perëndia dhe gëzonte pushtet të lartë dhe lavdi mes banorëve të qiellit. Luciferi, “biri i mëngjesit,” ishte i pari i engjëjve mbulues kerubinë, i shenjtë dhe i papërlyer. Ai qëndronte në praninë e Krijuesit të madh dhe rrezet e përjetshme të lavdisë, që përshkonin Perëndinë e përjetshëm, binin mbi të. “Kështu thotë Zoti Perëndi: Ti ishe vula e përsosmërisë, tërë dituri dhe i përsosur nga bukuria. Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë; ishte mbuluar me lloj lloj gurësh të çmuar ... punimi i dajreve të tua dhe i flauteve të tua u përgatit për ty ditën, që ti u krijove. Ti ishe një kerubin i vajosur, një mbrojtës. Unë të kisha vënë në malin e shenjtë të Perëndisë dhe ti ecje në mes gurësh zjarri. Ti ishe i përsosur në rrugët e tua qysh nga dita që u krijove, deri sa u zbulua te ti çoroditja.” - Ezekieli 28:12-15. Me kalimin e kohës, Luciferi filloi të ushqente dëshirën për vetëlartësim. Shkrimi i Shenjtë thotë, “Zemra jote ishte ngritur për bukurinë tënde; ke korruptuar diturinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd.” - Ezekieli 28:17. Ti thoje në zemrën tënde: “Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë ... do të jem i ngjashëm me Më të Lartin.” - Isaia 14:13-14. Megjithëse lavdia i vinte tërësisht nga Perëndia, ky engjëll i fuqishëm filloi ta trajtonte sikur e kishte të vetën. I pakënaqur me pozitën e vet, edhe pse nderohej mbi krijesat e tjera qiellore, Luciferi zgjodhi të lakmonte nderimin dhe respektin, që i takonte vetëm Krijuesit. Në vend që të pohonte zotërimin e Perëndisë tek krijesat e tjera, Luciferi synoi të siguronte shërbimin dhe besnikërinë e tyre për veten e tij. Kështu, duke lakmuar lavdinë me të cilën Ati i përjetshëm kishte veshur Birin e Tij, ky princ i engjëjve dëshironte, në të vërtetë, pushtetin i cili i përkiste Krishtit dhe vetëm Krishtit.PPAlb 8.2

    Tashmë, harmonia e përsosur në qiell ishte thyer. Vendimi i Luciferit për t’i shërbyer vetes, në vend të Krijuesit, shkaktoi një ndjenjë keqardhjeje të thellë tek të gjithë ata, që e konsideronin lavdinë e Perëndisë si mbizotëruese. Në këshillin qiellor, engjëjt ngulmuan me Luciferin. Biri i Perëndisë i paraqiti madhështinë, mirësinë dhe drejtësinë e Krijuesit si dhe natyrën e shenjtë e të pandryshueshme të ligjit të Tij. Vetë Perëndia e kishte krijuar rendin qiellor dhe, duke u larguar prej tij, Luciferi po çnderonte Krijuesin e vet, duke sjellë kështu shkatërrimin për veten. Por paralajmërimi i dhënë me një dashuri dhe mëshirë të pakrahasueshme nxiti veçse një frymë rezistimi. Luciferi lejoi xhelozinë që kishte për Krishtin të triumfonte dhe kështu u bë edhe më i vendosur.PPAlb 9.1

    Qëllimi i këtij princi të engjëjve ishte i qartë: të kundërshtonte sundimin e Birit të Perëndisë, duke hedhur poshtë, në këtë mënyrë, urtësinë dhe dashurinë e Krijuesit. Pikërisht drejt këtij qëllimi do t’i kthente tërë energjitë e mendjes, mendje e cila, nga zgjuarsia, vinte fill pas vetë Krishtit dhe e para ndër krijesat qiellore. Por Perëndia, i cili dëshironte që krijesat e Tij të kishin liri të plotë për të zgjedhur, nuk la askënd të pambrojtur, ndaj dinakërisë marramendëse me anë të së cilës rebelimi po justifikohej. Përpara se të ndodhte lufta e madhe, të gjitha krijesat duhet të njiheshin qartë me vullnetin e Perëndisë, urtësia dhe mirësia e së cilit ishin burim gëzimi për to.PPAlb 9.2

    Kështu, Mbreti i universit mblodhi të gjithë engjëjt para Tij që, në praninë e tyre, të qartësonte pozitën e vërtetë të Birit të Tij, si dhe marrëdhënien e Tij me të gjitha qeniet e krijuara. Biri i Perëndisë ndante fronin me Atin dhe lavdia e të Përjetshmit dhe Vetekzistuesit i rrethonte të dy. Engjëjt e shenjtë u mblodhën përqark fronit, një numër i pallogaritshëm, “dhjetë mijëra, dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash” (Zbulesa 5:11), engjëjt më të lartësuar, si shërbyes dhe subjekte, duke ngazëllyer në dritën, që binte mbi ta nga prania e Hyjnisë. Kështu, përpara banorëve të mbledhur në qiell, Mbreti deklaroi se askush përveç Krishtit, të Vetëmlindurit të Perëndisë, nuk mund të merrte pjesë plotësisht në vendimet e Tij. Krishti ishte i vetmi, që mund të vinte në zbatim vendimet e vullnetit hyjnor. Biri i Perëndisë kishte zbatuar vullnetin e Atit në krijimin e të gjitha qenieve qiellore, homazhi dhe aleanca e të cilëve i përkiste vetëm Atij dhe Atit. Krishti do të ishte i vetmi, që do të ushtronte fuqinë hyjnore në krijimin e afërt të tokës dhe të banorëve të saj. Por, gjatë tërë veprimtarisë së Tij, Ai nuk do të kërkonte pushtet dhe lartëskim vetëm për vete, në kundërshtim me planin e Perëndisë, por do të lartësonte lavdinë e Atit dhe vinte në jetë vendimet e tij, plot mirësi dhe dashuri.PPAlb 9.3

    Engjëjt e pranuan me gëzim mbretërimin e Krishtit dhe u përkulën përpara Tij, me dashuri dhe adhurim. Luciferi u përkul bashkë me ta, por, në zemër, ndiente një konflikt të çuditshëm, të ashpër. E vërteta, drejtësia dhe besnikëria po luftonin kundër lakmisë dhe xhelozisë. Ndikimi i engjëjve të shenjtë sikur e përmbajti për një farë kohe. Ndërsa këngë lavdërimi ngriheshin, si melodi të mrekullueshme, nga mijëra e mijëra zëra plot gëzim, fryma e ligësisë tek Luciferi sikur fundosej; një dashuri e patregueshme i mbushte qenien; shpirti i ishte mbushur plot dashuri për Atin dhe Birin, në harmoni me adhuruesit e tjerë të shenjtë. Por, sërish, u mbush me krenari për lavdinë e vet. Dëshira për supremaci iu rikthye dhe lakmia ndaj Krishtit iu rindez përsëri. Nderet e mëdha, që ishin caktuar për Luciferin, nuk u çmuan më si dhuratë e veçantë prej Perëndisë dhe, si rrjedhim, nuk e nxisnin për mirënjohje ndaj Krijuesit të vet. Luciferi përlëvdohej në lavdinë e vet dhe aspironte të ishte i barabartë me vetë Perëndinë. Ai duhej dhe respektohej nga qeniet qiellore, engjëjt ia zbatonin urdhrat me ngazëllim, sepse ishte veshur nga Perëndia me urtësi dhe lavdi mbi gjithë të tjerët. Megjithatë, Biri i Perëndisë ishte më i lartësuar se ai, me pushtet dhe autoritet si të Atit. Krishti merrte pjesë në planet dhe vendimet e Perëndisë, ndërsa Luciferi jo. “Pse,” pyeste ky engjëll i fuqishëm, “Krishti duhet të ketë përparësi? Pse të nderohet mbi Luciferin?”PPAlb 9.4

    Duke lënë vendin e caktuar pranë pranisë së Atit, Luciferi u largua, për të shpërndarë frymën e pakënaqësisë ndërmjet engjëjve. Ai punonte me një fshehtësi të mistershme dhe, për një farë kohe, e mbuloi synimin e vet të vërtetë nën një shfaqje respekti dhe përulësie për Perëndinë. Me kalimin e kohës, Luciferi filloi të hidhte dyshime në lidhje me ligjet, që qeverisnin qeniet qiellore, duke lenë të kuptohej se, edhe pse ligjet mund të ishin të domosdoshme për banorët e botërave, engjëjt, meqë ishin më lart në rang, nuk kishin nevojë për një kufizim të tillë, sepse urtësia e tyre mjaftonte si një udhërrëfyes. Aq më tepër, ata nuk ishin qenie, që mund të çnderonin Perëndinë; të gjitha mendimet e tyre ishin të shenjta; ishte po aq e mundur për ta të gabonin, sa ishte për vetë Perëndinë. Kështu, lartësimi i Birit të Perëndisë, si i barabartë me Atin, u paraqit si padrejtësi ndaj Luciferit, i cili, siç pretendohej, kishte të drejtë të nderohej dhe respektohej. Në qoftë se ky princ i engjëjve do të arrinte pozitën e vet të lartësuar, që ankohej se i takonte, vetëm gjëra të mira do të vinin për tërë krijesat e qiellit; në fund të fundit, synimi, që Luciferi i kishte vënë vetes, ishte të siguronte liri për të gjithë. Por, tashmë, edhe asaj lirie, që kishin shijuar deri atëherë, po i vinte fundi; një Sundues absolut u ishte imponuar dhe të gjithë duhet të nderonin autoritetin e Tij. Të tilla ishin mashtrimet dinake, që po përhapeshin me shpejtësi, nëpër oborret qiellore nga truket plot sharm të Luciferit.PPAlb 10.1

    E vërteta ishte se pozita dhe autoriteti i Krishtil nuk kishin ndryshuar asnjëherë. Por deformimi i tyre nga Luciferi lakmitar, si dhe pretendimet se ai ishte i barabartë me Krishtin, e bënë të domosdoshme bërjen e një deklarate rreth pozitës së Birit të Perëndisë, e cila kishte qenë e njëjtë që në fillim. Megjithatë, shumë nga engjëjt ranë prë e mashtrimeve të Luciferit.PPAlb 10.2

    Duke shfrytëzuar mirëbesimin dhe besnikërinë e engjëjve të shenjtë, që i kishte nën urdhërat e tij, Luciferi shtiu me mjeshtëri në mendjet e tyre mosbesimin dhe pakënaqësinë e tij dhe kjo ndodhi si pa e kuptuar. Luciferi i kishte paraqitur deklaratat e Perëndisë me shtrembërime dhe keqinterpretime, me qëllimin që të ndillte pakënaqësi dhe rebelim. Me një dinakëri të paparë, u vërtitej atyre, që e dëgjonin dhe që shprehnin mendimet e tyre; më vonë këto shprehje do të riprodhoheshin prej tij kur i interesonte atij dhe i paraqiste si provë se engjëjt nuk ishin plotësisht dakort me qeverinë e Perëndisë. Ndërsa për vete pretendonte se ishte krejtësisht besnik ndaj Perëndisë, Luciferi këmbëngulte për ndryshime në rendin dhe legjislacionin qiellor të cilat, sipas tij, ishin të domosdoshme për stabilitetin e qeverisë hyjnore. Kështu, ndërsa punonte që të nxiste kundërshti ndaj ligjit të Perëndisë dhe të ndillte pakënaqësinë e vet në mendjet e engjëjve nën të, Luciferi shtirej sikur përpiqej të shuante pakënaqësitë dhe t’i pajtonte engjëjt e kundërvënë me rendin qiellor. Ndërsa, fshehurazi, nxiste përçarje dhe rebelim, me një mjeshtëri të rrallë, bënte të dukej sikur qëllimi i vetëm, që kishte, ishte prezantimi i besnikërisë ndaj Perëndisë dhe ruajtja e harmonisë dhe paqes.PPAlb 10.3

    Fryma e pakënaqësisë, që tashmë ishte mbjellë, po bënte punën e saj djallëzore. Ndërsa nuk kishte ende kryengritje të hapur, filloi të ndjehej, si pakuptuar, një ndarje në mendimet e engjëjve. Kishte disa prej tyre që i aprovonin nënkuptimet e Luciferit kundër qeverisë së Perëndisë. Edhe pse, deri atëherë, kishin qenë në harmoni të plotë me rendin që kishte krijuar vetë Perëndia, tashmë ata ndiheshin të pakënaqur, për faktin se nuk depërtonin dot në mendjen e paarritshme të Perëndisë; ishin gjithashtu të pakënaqur me lartësimin që i bëhej Krishtit. Këta engjëj ishin gati të mbështesnin kërkesën e Luciferit për autoritet të barabartë me Birin e Perëndisë. Por, engjëjt, që ishin besnikë dhe të vërtetë, ruajtën urtësinë dhe drejtësinë e dekretit hyjnor dhe u përpoqën të pajtonin qeniet e kundërvëna me vullnetin e Perëndisë. Krishti ishte Biri i Perëndisë; Ai kishte qenë një me Të para se engjëjt të ekzistonin. Ai kishte qëndruar gjithmonë në krahun e djathtë të Atit; mbizotërimi i Tij, kaq bekimsjellës për të gjithë ata, që pranuan të ishin nën kontrollin hyjnor, nuk ishte vënë kurrë më parë në dyshim. Kurrë më parë nuk ishte thyer harmonia qiellore; përse duhet të kishte kundërvënie tani? Engjëjt besnikë shikonin pasojat e tmerrshme, që sillte rebelimi dhe, me një apel plot dhembshuri, këshilluan të pakënaqurit që të hiqnin dorë nga synimet e tyre dhe të tregoheshin sërish besnikë ndaj Perëndisë, duke iu përkushtuar qeverisë së Tij.PPAlb 11.1

    Bazuar në karakterin e Tij hyjnor, Perëndia, me një mëshirë të madhe, e duroi për një kohë të gjatë Luciferin. Fryma e pakënaqësisë nuk ishte njohur kurrë më parë në qiell. Në fakt, ishte një element i ri, i çuditshëm, misterioz, i paparë. Në fillim fare, Luciferi nuk e kuptonte vetë natyrën e vërtetë të ndjenjave të tij; për një farë kohe kishte druajtje të shprehte atë që bluante dhe imagjinonte në mendje; megjithatë nuk i mohoi ato. Ky princ i engjëjve nuk e kuptonte se po zhytej poshtë. Shumë përpjekje, që vinin nga vetë urtësia dhe dashuria pafund e Perëndisë, u bënë për ta bindur Luciferin për gabimin, që kishte bërë. U vërtetua se pakënaqësia qe e pabazuar dhe pa asnjë shkak, ndërsa, nga ana tjetër, iu bë e qartë se cili do të ishte rezultati i përshkallëzimit të revoltës. Luciferi u bind që e kishte gabim. Ai e kuptoi që “Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e Tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e Tij” - Psalmi 145:17; që statutet hyjnore janë të drejta dhe që duhet t’i pranonte ato si të tilla përpara gjithë qiellit. Po ta kishte bërë këtë, do të kishte shpëtuar veten dhe shumë engjëj të tjerë. Në atë kohë, Luciferi nuk e kishte hedhur poshtë plotësisht aleancën ndaj Perëndisë. Edhe pse e kishte braktisur pozitën si kerubin, engjëll mbulues pranë fronit të Perëndisë, po të ishte treguar i gatshëm të kthehej sërish tek Perëndia, duke pranuar urtësinë e Krijuesit dhe të ishte i kënaqur me vendin e cakuar për të, në planin madhështor të Perëndisë, Luciferi do të ishte rizgjedhur në pozicionin, që kishte pasur. Kishte ardhur koha për një vendim përfundimtar: ose duhet t’i bindej plotësisht sovranitetit hyjnor, ose duhet ta vendoste veten në rebelim të hapur. Për pak sa nuk e mori vendimin për t’u kthyer, por nuk e lejoi krenaria. Do të ishte sakrificë tepër e madhe për dikë, që ishte nderuar aq shumë, të pranonte hapur se e kishte patur gabim, se imagjinatat e tij ishin të rreme, dhe t’i bindej autoritetit, të cilin kishte punuar aq shumë ta vërtetonte si të padrejtë.PPAlb 11.2

    Krijuesi i dhembshur, me mëshirë dhe simpati të thellë për Luciferin dhe engjëjt, që i vinin pas, kërkoi t’i shpëtonte nga humnera e shkatërrimit drejt së cilës ishin drejtuar. Por mëshira e Tij u keqintërpretua. Luciferi e komentoi dhembshurinë dhe mirësinë e Perëndisë si pasqyrë të mbizotërimit të vet, një shenjë se Mbreti i universit do t’i pranonte kushtet e tij. Kështu, Luciferi deklaroi se, në qoftë se engjëjt do të bashkoheshin me të, mund të fitonin gjithçka dëshironin. Me këmbëngulje mbrojti drejtimin që kishte marrë dhe iu përkushtua plotësisht konfliktit të madh kundër Krijuesit të vet. Kështu ndodhi që Luciferi, “mbajtësi i dritës”, pjesëmarrësi i lavdisë së Perëndisë, roja i fronit të Tij, me anë të mosbindjes, u bë Satan, “armik” i Perëndisë dhe i qenieve të shenjta dhe shkatërruesi i atyre engjëjve, që Perëndia kishte vënë nën kontrollin dhe përkujdesjen e tij.PPAlb 12.1

    Duke refuzuar me përbuzje argumentat dhe lutjet e engjëjve besnikë, Luciferi i akuzoi ata se ishin skllevër të mashtruar. Ai e deklaroi pëlqimin e tyre ndaj Krishtit si një akt të padrejtë ndaj tij si edhe ndaj gjithë qenieve qiellore. Po ashtu, Luciferi deklaroi se nuk do t’i nënshtrohej më dhunimit të të drejtave të tij dhe të tyre. Nuk do ta pranonte më kurrë pushtetin e Krishtit. Vendosi, ndërkohë, që të merrte nderin, që duhet t’i ishte dhënë, si dhe komandën mbi të gjithë ata, që do ta ndiqnin. Dhe, sigurisht, u premtoi atyre, që do të hynin në radhët e tij, një qeveri të re dhe më të mirë, nën të cilën të gjithë do të shijonin lirinë. Një numër i madh engjëjsh dolën hapur me dëshirën për ta pranuar si prijësin e tyre. I shtyrë nga pranimet e shumta të ftesës së tij për rebelim, Luciferi shpresoi, për një farë kohe, të merrte të gjithë engjëjt në anën e vet, të bëhej i barabartë me vetë Perëndinë dhe kështu t’i bindeshin të gjitha qeniet qiellore.PPAlb 12.2

    Megjithatë, engjëjt besnikë iu lutën sërish atij dhe simpatizantëve të vet që t’i nënshtroheshin Perëndisë dhe ia parashtruan qartë pasojën e paevitueshme, në qoftë se do të refuzonin përfundimisht: Ai, që i kishte krijuar, mund ta mposhte fuqinë e tyre dhe kishte për t’i dënuar për kryeneçësinë e tyre rebeluese. Asnjë engjëll nuk mund të kundërshtonte me sukses ligjin e Perëndisë, i cili ishte po aq i shenjtë sa Perendia. Kështu, ata i paralajmëruan të gjithë engjëjt rebelë që të mbyllnin veshët ndaj logjikës mashtruese të Luciferit dhe i apeluan sërish atij dhe ndjekësve të tij, që, pa vonesë, të kërkonin takim me Perëndinë dhe të rrëfenin gabimin: vënien në pikëpyetje të urtësisë dhe autoritetit të Tij.PPAlb 12.3

    Shumë nga engjëjt u treguan të gatshëm ta dëgjonin këtë këshillë, për të hequr dorë nga kundërvënia dhe të kërkonin sërish që të ktheheshin dhe të pranoheshin nga Ati dhe Biri i Tij. Por Luciferi kishte dhe një mashtrim tjetër gati. Revoltuesi i fuqishëm, në këtë situatë, deklaroi hapur se engjëjt, që ishin bashkuar me të, kishin shkuar tepër larg për t’u kthyer prapa; ai e njihte mirë ligjin hyjnor dhe e dinte që Perëndia nuk do të falte. Gjithashtu, u deklaroi se, të gjithë ata, që donin t’i nënshtroheshin autoritetit hyjnor, do të çnderoheshin dhe pozita e tyre do të ulej. Për vete, Luciferi ishte i vendosur që të mos pranonte më kurrë autoritetin e Krishtit. E vetmja rrugë e ngelur për të dhe pasuesit e vet, sipas tij, ishte të mbronin lirinë e tyre dhe të fitonin me forcë të drejtat, që me qëllim nuk u ishin dhënë.PPAlb 12.4

    Përsa i përket vetë Satanit, tashmë ishte e vërtetë se kishte shkuar tepër larg për t’u kthyer prapa. Por nuk qe kështu me ata që ishin verbuar nga mashtrimet e tij. Ndaj tyre, këshillat dhe lutjet e engjëjve besnikë hapën një derë shprese dhe, po t’u kishin vënë vesh paralajmërimeve, mund të ishin shkëputur nga kurthi i Satanit. Por krenaria, dashuria për prijësin e tyre dhe dëshira për liri të shfrenuar u lejuan të sundonin dhe, kështu, ftesat dhe lutjet plot dashuri dhe mëshirë nga Perëndia u hodhën poshtë përfundimisht.PPAlb 13.1

    Perëndia e lejoi Satanin që ta vazhdonte veprimtarinë e tij deri sa fryma e kundërvënies të shndërrohej në një revoltë të hapur. Ishte e domosdoshme që planet e Satanit të shtjelloheshin plotësisht, në mënyrë që natyra dhe tendenca e vërtetë e tyre të dilnin sheshit dhe të shiheshin nga të gjithë. Luciferi, si engjëlli kerubin i shuguruar, kishte qenë shumë i lartësuar; duhej shumë nga qeniet qiellore dhe ndikimi i tij tek ta ishte i konsiderueshëm. Qeveria e Perëndisë përfshinte jo vetëm banorët e qiellit, por të të gjitha botëve, që Zoti kishte krijuar dhe Luciferi kishte llogaritur se, po t’i bënte për vete engjëjt e qiellit në rebelimin e tij, mund të bënte të njëjtën gjë edhe me botët e tjera. Me mjeshtri, kishte paraqitur argumentet e tij, duke përdorur gënjeshtrën dhe mashtrimin që të fitonte terren. Në fakt, fuqia mashtruese, që zotëronte, ishte e madhe. Duke u fshehur pas një manteli të rremë, Luciferi kishte krijuar përparësi. Veprimtaria e tij ishte e veshur me një mister të tillë, që e bënte të vështirë për engjëjt të zbulonin natyrën e vërtetë të punës së tij. Deri kur nxori frutet e veta dhe doli në pah plotësisht, nuk ishte e mundur që të piketohej ligësia në të; kundërvënia e tij nuk dukej si rebelim. Madje edhe engjëjt besnikë nuk mundnin dot të zbërthenin karakterin e tij apo të shikonin qartë drejtimin për nga çonte veprimtaria e tij.PPAlb 13.2

    Në fillim, Luciferi kishte vepruar mbi tundimet e tij duke lënë përshtypjen se ai vetë ishte i pavendosur dhe i paanshëm. Ata engjëj, të cilët nuk ia dilte dot t’i sillte në anën e tij, i akuzonte për indiferencë ndaj interesave të qenieve qiellore. Pikërisht, për punën, që bënte vetë, akuzonte engjëjt besnikë. Praktika e tij ishte të sillte ngatërresa sa më të shumta, duke përdorur argumente të rafinuara, për sa u përkiste planeve dhe vullnetit të Perëndisë. Çdo gjë, që qe e thjeshtë, ai e mjegullonte me mister dhe, me shtrembërime mjeshtërore, hidhte dyshime mbi deklaratat më të drejpërdrejta të Zotit. Sigurisht, pozita e tij e lartë, e lidhur ngushtë me qeverinë hyjnore, i dha më shumë forcë ankesave të tij.PPAlb 13.3

    Nga ana tjetër, Perëndia mund të përdorte vetëm mjete, që ishin në përputhje me të vërtetën dhe drejtësinë. Satani mund të përdorte atë që Perëndia nuk e përdorte dot: lajkatimin dhe mashtrimin. Kështu, ai ishte përpjekur të falsifikonte fjalën e Perëndisë dhe kishte keqpasqyruar planin hyjnor të qeverisjes, duke pretenduar se Perëndia nuk po tregohej i drejtë, meqë po u impononte ligjet engjëjve, që, duke kërkuar nënshtrim dhe bindje nga krijesat e Tij, Perëndia thjesht kërkonte të lartësonte Veten. Për këtë arsye, u bë e domosdoshme të tregohej shkoqur, përpara banorëve të qiellit, dhe të të gjitha botëve, se qeverisja e Perëndisë ishte e drejtë ndërsa ligji i Tij, i përsosur. Satani kishte dhënë përshtypjen se ishte ai vetë që po promovonte të mirën për universin. Karakteri i vërtetë i uzurpuesit dhe qëllimi i tij i vërtetë duhej të kuptohej nga të gjithë. Atij, pra, duhet t’i jepej kohë që të tregonte fytyrën e vet të vërtetë nëpërmjet veprave të tij të liga.PPAlb 13.4

    Përçarjen, që shkaktoi kursi i veprimeve të tij në qiell, Satani ia faturoi qeverisë së Perëndisë. Gjithë ligësia, sipas deklaratave të tij, ishte pasojë e administratës hyjnore. Ndër të tjera, Satani pretendoi se qëllimi i tij ishte përmirësimi i statuteve të Zotit. Prandaj Perëndia e lejoi që të tregonte hapur natyrën e pretendimeve të tij, të bënte të ditur se çfarë fshihej pas propozimeve të tij për ndryshime në ligjin hyjnor. Vepra e vet duhet ta dënonte. Satani pretendoi që në fillim se nuk ishte në rebelim. I gjithë universi duhet ta shikonte mashtruesin me maskë të çjerrë.PPAlb 14.1

    Edhe kur u përzu nga qielli, Perëndia, i Urti në përjetësi, nuk e shkatërroi Satanin. Meqënëse Perëndia mund të pranojë vetëm shërbim dashurie, aleanca e krijesave ndaj Tij duhet të bazohet tek bindja e tyre për drejtësinë dhe mirësinë, që Ai ka. Banorët e qiellit dhe të botëve, duke qenë të papërgatitur të kuptonin qartë natyrën apo pasojat e mëkatit, nuk do të mund ta kuptonin, në atë kohë, drejtësinë e Perëndisë në shkatërrimin e Satanit. Në qoftë se ky i fundit do të ishte asgjësuar menjëherë, disa prej krijesave do t’i shërbenin Perëndisë të motivuar nga frika dhe jo nga dashuria. Në këtë mënyrë, ndikimi i mashtruesit nuk do të shkatërrohej plotësisht dhe fryma e rebelimit nuk do të fashitej tërësisht. Për të mirën e gjithë universit, gjatë epokave pa fund, Satani duhet të lejohet t’i shtjellojë parimet e veta, që akuzave të tij kundër qeverisë hyjnore t’u merret vesh qëllimi i vërtetë nga të gjitha krijesat, dhe që drejtësia dhe mëshira e Perëndisë, si dhe pandryshueshmëria e ligjit të Tij, të vihet një herë e përgjithmonë jashtë çdo pikëpyetjeje.PPAlb 14.2

    Rebelimi i Satanit do të bëhej mësim për universin për epokat, që do të vinin, një dëshmi e vazhdueshme mbi natyrën e mëkatit dhe pasojat e tij të tmerrshme. Ushtrimi i qeverisjes së Satanit, pasojat e saj mbi njerëzit dhe engjëjt do të tregonin se cili qe fruti i vërtetë i refuzimit të autoritetit hyjnor. Gjithashtu, do të dëshmonte se mirëqenia e të gjitha krijesave, që ka bërë Perëndia, është e lidhur vetëm me ekzistencën e qeverisë së Tij. Kështu, historia e këtij eksperimenti të tmerrshëm rebelimi do të shërbente si një masë mbrojtëse e vazhdueshme për të gjithë qeniet e shenjta, duke i parandaluar që të mos mashtrohen nga natyra e mosbindjes, duke i ruajtur nga kryerja e mëkatit dhe vuajta e pagës së tij.PPAlb 14.3

    Ai, që mbretëron në qiej, është Ai, që e sheh fundin nga fillimi, Ai, para së cilit zbulohen njësoj si misteret e së shkuarës, ashtu dhe ato të së ardhmes, Ai, që përtej dëshpërimit, errësirës dhe shkatërrimit, që solli mëkati, shikon përmbushjen e planeve dhe qëllimeve të Tij, qëllime dashurie dhe bekimi. Ndonëse “re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe gjykimi janë në themel të fronit të Tij.” - Psalmi 97:2. Pikërisht këtë do të kuptojnë banorët e universit, besnikë dhe jobesnikë bashkë: “... vepra e Tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e Tij ka drejtësi. Eshtë një Perëndi, që nuk e njeh padrejtësinë; Ai është i drejtë dhe i mirë.” Ligji i Përtërirë 32:4.PPAlb 14.4

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents