14—“SHKATËRRIMI I SODOMIT”
PATRIARKË DHE PROFETË
- Contents- 1—“PSE U LEJUA MËKATI?”
- 2—“KRIJIMI”
- 3—“TUNDIMI DHE RËNIA NË MËKAT”
- 4—“PLANI I SHPENGIMIT”
- 5—“KAINI DHE ABELI VIHEN NË PROVË”
- 6—“SETHI DHE ENOKU”
- 7—“PËRMBYTJA”
- 8—“PAS PËRMBYTJES”
- 9—“JAVA SHTATËDITËSHE JOSIMBOLIKE”
- 10—“KULLA E BABELIT”
- 11—“THIRRJA E ABRAHAMIT”
- 12—“ABRAHAMI NË KANAAN”
- 13—“PROVA E BESIMIT”
- 14—“SHKATËRRIMI I SODOMIT”
- 15—“MARTESA E ISAKUT”
- 16—“JAKOBI DHE ESAU”
- 17—“LARGIMI DHE MËRGIMI I JAKOBIT”
- 18—“NATA E DYLUFTIMIT”
- 19—“KTHIMI NË KANAAN
- 20—“JOZEFI NË EGJIPT”
- 21—“JOZEFI DHE VËLLEZËRIT E TIJ”
- 22—“MOISIU”
- 23—“MURTAJAT E EGJIPTIT”
- 24—“PASHKA”
- 25—“EKSODI”
- 26—“NGA DETI I KUQ PËR NË MALIN SINAI”
- 27—“LIGJI QË IU DHA IZRAELIT”
- 28—“IDHUJTARI NË MALIN SINAI”
- 29—“ARMIQËSIA E SATAN’S KUNDËR LIGJIT TË PERËNDISË”
- 30—“SHENJTËRORJA DHE SHËRBESAT NË TË”
- 30—“SHENJTËRORJA DHE SHËRBESAT NË TË”
- 31—“MËKATI I NADABIT DHE ABIHUT”
- 32—“LIGJI DHE BESËLIDHJET”
- 33—“PREJ SINAIT NË KADESH”
- 34—“DYMBËDHJETË INFORMATORËT”
- 35—“REVOLTA E KORELIT”
- 36—“NË SHKRETËTIRË”
- 37—“SHKËMBI I RRAHUR”
- 38—“UDHËTIMI PËRQARK EDOMIT’’
- 39—“PUSHTIMI I BASHANIT”
- 40—“BALAAM I”
- 41—“APOSTAZI NË LUMIN JORDAN”
- 42—“LIGJI I PËRSËRITUR”
- 43—“VDEKJA E MOISIUT”
- 44—“KALIMI I JORDAN IT”
- 45—“RËNIA E JERIKOS”
- 46—“BEKIMET DHE MALLKIMET”
- 47—“LIDHJA ME GIBEONITËT
- 48—“NDARJA E KANAANIT”
- 49—“FJALËT E FUNDIT TË JOZUEUT”
- 50—“TË DHJETAT DHE OFERTAT”
- 51—“PËRKUJDESJA E ZOTIT PËR TË VARFRIT”
- 52—“FESTAT E PËRVITSHME”
- 53—“GJYKATËSIT E HERSHËM”
- 54—“SAMSONI”
- 55—“FËMIJA SAMUEL”
- 56—“ELIU DHE BIJTË E TIJ”
- 57—“ARKA MERRET NGA FILISTINASIT”
- 58—“SHKOLLAT E PROFETËVE”
- 59—“MBRETI I PARË I IZRAELIT”
- 60—“MENDJEMADHËSIA E SAULIT”
- 61—“SAULI HIDHET POSHTË”
- 62—“SAULIT HUMB FRONIN”
- 63—“DAVIDI DHE GOLIATHI”
- 64—“DAVIDI NË ARRATI”
- 65—“ZEMËRGJËRËSIA E DAVIDIT”
- 66—“VDEKJA E SAULIT”
- 67—“MAGJIA E LASHTË DHE AJO MODERNE”
- 68—“DAVIDI NË ZIKLAG”
- 69—“DAVID THIRRET PËR T'U KURORËZUAR”
- 70—“MBRETËRIMI I DAVIDIT”
- 71—“MËKATI DHE PENDESA E DAVIDIT”
- 72—“REBELIMI I ABSALOMIT”
- 73—“VITET E FUNDIT TË DAVIDIT”
Search Results
- Results
- Related
- Featured
- Weighted Relevancy
- Content Sequence
- Relevancy
- Earliest First
- Latest First
- Exact Match First, Root Words Second
- Exact word match
- Root word match
- EGW Collections
- All collections
- Lifetime Works (1845-1917)
- Compilations (1918-present)
- Adventist Pioneer Library
- My Bible
- Dictionary
- Reference
- Short
- Long
- Paragraph
No results.
EGW Extras
Directory
14—“SHKATËRRIMI I SODOMIT”
Sodomi ishte një nga qytetet më të bukura të Luginës së Jordanit. Qyteti shtrihej në një zonë fushore, e cila, për nga bukuria dhe pjelloria, ishte si “kopshti i Zotit” (- Zanafilla 13:10). Flora dhe fauna tropikale ishin shumë të mira. Këtu rriteshin palmat, ullinjtë dhe hardhitë e rrushit, ndërsa aroma e luleve kundërmonte gjatë të tëra stinëve. Të korrurat nëpër fusha ishin mjaft të bollshme dhe tufat e bagëtive mbulonin kodrat përreth. Aktivitetet artistike dhe tregtia jepnin një kontribut të çmuar për qytetin krenar të ultësirës. Thesaret e Lindjes zbukuronin pallatet e qendrës, ndërsa karvanët e shkretëtirës sillnin tezga të shumta me sende të çmuara, që pastaj shiteshin në panairet e ndryshme, që zhvilloheshin. Pa u menduar apo munduar shumë, çdo nevojë jetësore mund të plotësohej dhe gjithë viti kalonte si një seri festivalesh. 2Baza p ër këtë kapitu ll është Zanafilla 19.PPAlb 102.1
Gjithandej vërehej bollëk i madh, i cili shumë shpejt do të shkaktonte arrogancë tek banorët e qytetit. Dembelizmi dhe pasuria e ngushtojnë zemrën, që nuk është munduar nga varfëria, apo rënduar nga skamja. Dashuria për qejfe e dëfrime kultivohej nga pasuria dhe koha e lirë, për pasojë banorët iu dhanë ekstravagancës dhe epsheve seksuale. “Ja”, thotë profeti, “kjo qe paudhësia e motrës tënde Sodom: ajo dhe bijat e saj jetonin me kryelartësi, bollëk buke dhe plogështi të theksuar, por nuk përkrahën dorën e të përvuajturit dhe të nevojtarit. Ishin fodulle dhe kryenin veprime të neveritshme para meje, prandaj i shkula kur e pashë me vëmendje këtë gjë.” - Ezekieli 16:49,50. Asgjë nuk lakmohet më shumë nga njerëzit, se sa pasuria dhe qejfi. Por ishin këto të fundit, që krijuan mjedisin e duhur për ato mëkate, që sollën shkatërrimin e Sodomit dhe Gomorrës. Jeta e plogësht dhe parazite e banorëve i bëri këta të fundit pré të tundimeve të Satanit. Ata e shpërfytyruan imazhin e Perëndisë dhe u bënë qenie djallëzore dhe jo shpirtërore. Nuk ka mallkim më të rëndë për njerëzit, sesa parazitizmi. Shthurrja dhe kriminaliteti ndjekin rrugën e parazitizmit. Ai dobëson mendjen, shtrembëron ndërgjegjen dhe qelbëzon shpirtin. Satani qëndron në pozicion sulmi, i gatshëm për të shkatërruar ata, që janë të pambrojtur, plogështia e të cilëve i jep mundësinë për të ndërhyrë, duke përdorur dredhi dhe kurthe të përgatitura mirë. Satani është më i suksesshëm se kurrë gjatë orëve të shumta, gjatë të cilave njerëzit parazitarë e dembelë nuk merren me asgjë.PPAlb 102.2
Në Sodom kishte dëfrime dhe festa pafund. Njerëzit bënin qejf e pinin jashtë mase. Epshet më të ndyra e brutale nuk frenoheshin aspak. Njerëzit sfiduan botërisht Perëndinë dhe ligjin e Tij dhe zgërdheheshin kur kryenin veprime të dhunshme. Megjithëse përpara tyre kishin shembullin e botës së parapërmbytjes dhe e dinin mjaft mirë se zemërimi i Perëndisë ishte bërë mëse i qartë kur bota u shkatërrua, banorët e Sodomit dhe Gomorrës nuk u larguan nga udha e tyre e poshtërsisë dhe e mëkatit.PPAlb 102.3
Në kohën kur Loti, nipi i Abrahamit, u shpërngul për në Sodom, shthurrja në qytet nuk kishte arritur nivele aq alarmante. Kështu, në mëshirën e Tij, Perëndia lejoi që ca rreze drite të ndriçonin, në mes të errësirës morale të qytetit. Kur Abrahami i çliroi robërit e zënë nga Elamitët, vëmendja e njerëzve u përqëndrua për pak kohë tek besimi i vërtetë. Abrahami nuk ishte i panjohur për banorët e Sodomit dhe adhurimi i Perëndisë së padukshëm, nga ana e tij, kishte qenë objekt talljeje ndër ta, por fitorja e tij, e korrur mbi një kundërshtar shumë më të madh në numër, si dhe korrektësia e tij e jashtëzakonshme, përsa u përket robërve dhe plaçkës së luftës, kishte shkaktuar surprizë e admirim. Ndërsa mjeshtëria dhe trimëria e Abrahamit lavdërohej nga të gjithë, askush nuk mund të mohonte faktin se ishte një fuqi hyjnore, që e kishte bërë patriarkun fitimtar. Gjithashtu, fryma e tij fisnike dhe e përulur, e kundërt me arrogancën e banorëve të Sodomit, ishte një provë më shumë për superioritetin e besimit, që Abrahami kishte ndjekur me kurajo dhe besnikëri.PPAlb 103.1
Kur shpalli bekimin e tij mbi Abrahamin, Melkizedeku, mbreti i shenjtë i Salemit, kishte pranuar botërisht Zotin (Jahveh) si burimin e forcës së tij dhe autorin e fitores së korrur: “Qoftë i bekuar Abrami nga Më i Larti Perëndi, zotëruesi i qiejve dhe i tokës! Qoftë i bekuar Më i Larti Perëndi, që ka dorëzuar në dorën tënde armiqtë e tu!” - Zanafilla 14: 19, 20. Ky mesazh vinte nga vetë Perëndia për të gjithë banorët e asaj zone, por edhe kjo rreze e fundit drite do të mohohej, njësoj si të tjerat, në të shkuarën.PPAlb 103.2
Po afrohej nata e fundit e Sodomit. Retë, që përfaqësonin ndëshkimin hyjnor, kishin kohë që kishin lëshuar hijen e tyre të rëndë mbi qytetin kokëfortë, por banorët e tij nuk mundën ta kuptonin. Ndërsa engjëjt afroheshin me misionin e tyre të shkatërrimit, banorët e qytetit ende ëndërronin begati dhe dëfrime të mëtejshme. Dita e fundit ishte për ta si ditët e tjera, që kishin ardhur e shkuar. Kur erdhi mbrëmja, atmosfera dukej e lezetshme dhe e sigurt. Peisazhi i qytetit dhe rrethinave të tij ishte i një bukurie të pashoqe, sidomos kur u përkëdhel nga rrezet e diellit, që po perëndonte. Fresku i mbrëmjes i ftonte banorët të dilnin grupe-grupe dhe të bridhnin sa andej-këndej, për t’u dëfryer e për të shijuar në maksimum orët e natës.PPAlb 103.3
Menjëherë pas perëndimit të diellit, dy të huaj iu afruan portës së qytetit. Me sa dukej, ata ishin udhëtarë, që kishin ardhur për të kaluar natën në qytet. Askush nuk mund të dallonte tek këta udhëtarë lajmëtarët e ndëshkimit hyjnor. Askush, nga pjesëtarët e turmës së shthurrur e të shkujdesur, nuk mund ta merrte me mend se trajtimi i dy udhëtarëve, nga ana e tyre, do të mbushte kupën e fajit, që rëndonte mbi qytetin kryeneç. Por kishte një njeri, që tregoi një mikpritje fisnike ndaj të huajve, duke i ftuar ata në shtëpinë e vet. Loti nuk e dinte identitetin e tyre të vërtetë, por duhet thënë se ai e kishte për zakon mirësjelljen dhe mikpritjen; këto të fundit ishin pjesë e fesë së tij, mësime, që ai i kishte marrë nga shembulli i Abrahamit. Në rast se Loti nuk do të kishte vazhduar të kultivonte këtë frymë mirësjelljeje, ai mund të ishte lënë të merrte fund bashkë me banorët e tjerë të Sodomit. Shumë shtëpi, kur ia mbyllin dyert të huajit, ia kanë mbyllur ato lajmëtarit të Perëndisë, i cili do të sillte bekim, shpresë dhe paqe.PPAlb 103.4
Çdo veprim, që kryejmë në jetë, sado i vogël, ndikon për mirë apo për keq. Besnikëria apo neglizhimi, edhe në ato veprime, në dukje, të parëndësishme, mund të hapin dyert për bekimet më të pasura të jetës, ose fatkeqësi të e saj më të mëdha. Janë gjërat e vogla ato, që vënë në provë karakterin. Perëndia jep miratimin e Tij dhe gëzohet kur sheh veprimet fisnike të vetëmohimit, të cilat kryhen me një zemër të çiltër e të vullnetshme. Ne nuk duhet të jetojmë për veten, por për të tjerët. Ne kemi mundësinë ta bëjmë jetën tonë një bekim, por vetëm me anë të vetëmohimit dhe me anë të dashurisë dhe ndihmës. Kujdesjet e vogla dhe mirësjellja, sado të thjeshta apo modeste, japin një kontribut shumë më të madh, se ç’mendojmë ne, për lumturinë e jetës sonë. Nga ana tjetër, neglizhimi i tyre sjell një pjesë, jo të vogël, të mjerimit njerëzor.PPAlb 104.1
Duke marrë seriozisht mundësitë e abuzimit të dy udhëtarëve, nga turma e epshur sodomase, Loti e mori përsipër, si një detyrë të shenjtë, t’i merrte ata në mbrojtje, që në hyrje të qytetit, duke i ftuar si mysafirë në shtëpinë e tij. Ai ishte ulur tek porta e qytetit në momentin kur dy udhëtarët mbërritën dhe, sa i pa, u ngrit menjëherë për t’i takuar e, duke u përkulur plot respekt, u tha: “Shikoni, Zotërinjtë e mi, ju lutem, hyni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj, kaloni aty natën dhe lani këmbët, pastaj, nesër në mëngjes, mund të çoheni shpejt dhe të vazhdoni udhën tuaj.” Ata dhanë përshtypjen sikur nuk do ta pranonin mikpritjen e Lotit. “Jo, do ta kalojmë natën nëpër rrugë.” - Zanafilla 19:2. Arsyeja e kësaj përgjigjeje ishte e dyfishtë: të provonin sinqeritetin e Lotit si dhe të jepnin përshtypjen se nuk e njihnin reputacionin e sodomasve dhe se nuk do t’i gjente gjë, po të rrinin rrugëve gjatë natës. Përgjigja e tyre e bëri Lotin edhe më të vendosur të mos i linte të vetëm, në mëshirën e turmës. Kështu, Loti e përsëriti me ngulm ftesën, derisa ata pranuan dhe e shoqëruan për në shtëpi.PPAlb 104.2
Loti kishte shpresuar ta mbante synimin e vet të fshehur, që të mos merrej vesh nga të degjeneruarit, që qëndronin tek porta. Për t’i sjellë dy udhëtarët shëndoshë e mirë në shtëpi, Loti zgjodhi një rrugë më të gjatë se ajo, që ndiqte zakonisht, por hezitimi dhe vonesa nga ana e tyre si dhe përgjërimet e tij të vazhdueshme bënë që ata të viheshin re. Kështu, përpara se të ngrysej, një turmë vandalësh dhe të shthurrurish u mblodh përreth shtëpisë. Ishte, në të vërtetë, një turmë mjaft e madhe, të rinhsh e të moshuarisg bashkë, të ndezur nga epshet më të këqija. Dy të huajt kishin bërë shumë pyetje rreth karakterit të qytetit dhe Loti i kishte paralajmëruar të mos dilnin nga shtëpia atë natë. Pikërisht atëherë filluan të dëgjoheshin klithmat e fishkëllimat e turmës, që kërkonte që dy të huajt të dilnin dhe t’u silleshin atyre.PPAlb 104.3
Duke e ditur se, po të provokonte dhunë, turma mund të hynte brenda në shtëpi me forcë, Loti doli tek dera, dhe u përpoq t’i ndryshonte mendjen me të butë: “Ju lutem vëllezër”, tha ai, “mos veproni kaq me ligësi” (Zanafilla 19:7). Ai përdori fjalën “vëllezër” duke nënkuptuar fqinj, për t’i marrë me të mirë dhe që atyre t’u vinte turp për atë, që kërkonin. Por fjalët e tij shërbyen si benzinë për zjarrin.Tërbimi i tyre u rrit edhe më tej, dhe i përngjante një tufani të egër. Ata u tallën me Lotin, e sfiduan se nuk e kishte vënë njeri gjykatës mbi ta dhe e kërcënuan se ai vetë do ta pësonte edhe më keq se sa dy miqtë, që kishte brenda. Kështu, ata u sulën drejt tij dhe do ta vrisnin, po të mos ishte shpëtuar nga engjëjt e Perëndisë. Lajmëtarët qiellorë “zgjatën duart, e tërhoqën Lotin brenda shtëpisë dhe mbyllën derën” (Vargu 10). Në rast se turma nuk do të ishte goditur nga verbëria e dyfishtë, duke qenë zemërgur, goditja nga ana e Perëndisë do t’i kishte bërë të kishin frikë dhe të hiqnin dorë nga vepra e tyre e pështirë. Ajo natë e fundit nuk shënoi mëkate më të mëdha nga ç’kishin kryer më parë, por mëshira hyjnore, aq shumë e tallur dhe e përbuzur, më në fund rreshti së përgjëruari. Banorët e Sodomit i kishin kaluar kufijtë e tolerancës hyjnore, “atë hendek të padukshëm ndërmjet durueshmërisë së Perëndisë si dhe zemërimit të Tij”. Pas pak çastesh, zjarret e hakmarrjes hyjnore do të ndizeshin në mbarë luginën e Sodomit.PPAlb 104.4
Ndërkaq, engjëjt i treguan Lotit qëllimin e misionit të tyre: “ne po bëhemi gati ta shkatërrojmë këtë vend, sepse britma e banorëve të tij është e madhe përpara fytyrës së Zotit dhe Zoti na ka dërguar për ta shkatërruar” (Vargu 13). Dy të huajt, të cilët Loti ishte përpjekur t’i mbronte, premtuan se do të mbronin atë vetë. Bashkë me Lotin, ata donin të shpëtonin të gjithë anëtarët e familjes së tij, të cilët duhet të largoheshin sa më shpejt, bashkë me të, nga ky qytet i zhytur në ligësi. Në ato çaste, turma e verbuar ishte shpërndarë, pasi njerëzit u rraskapitën, në përpjekje për të gjetur derën. Loti doli për të paralajmëruar fëmijët e tij. Ai u përsëriti atyre fjalët e engjëjve: “Çohuni, largohuni nga ky vend, sepse Zoti ka për ta shkatërruar qytetin” (Vargu 14). Por ai u dha përshtypjen atyre se po bënte shaka. Ata qeshën me atë, që ata e quajtën “frikë supersticioze e tij (të nxitur nga bestytnitë)”. Vajzat e tij u ndikuan nga burrat e tyre. Atyre u shijonte niveli i lartë i jetesës aty ku ishin dhe nuk shihnin ndonjë shenjë, që paraqiste rrezik. Asgjë nuk kishte ndryshuar për ta. Ata kishin shumë pasuri e prona dhe as që mund të mendonin se Sodomi i bukur do të shkatërrohej.PPAlb 105.1
Loti u kthye shumë i dëshpëruar në shtëpi dhe u tregoi engjëjve se nuk kishte qënë i suksesshëm. Pastaj, engjëjt i dhanë urdhër të ngrihej, të merrte gruan dhe dy vajzat, që ishin ende në shtëpi me të, dhe të largohej sa më shpejt nga qyteti. Por Loti ngurronte. Edhe pse i kishte ardhur në majë të hundës nga dhuna dhe shthurrja, ai kishte mendime tepër naive mbi fëlliqësinë e ulët dhe të urryer, që praktikohej në atë qytet të lig. Ai nuk e kuptonte domosdoshmërinë e tmerrshme për ndëshkim, nga ana e Perëndisë, për t’i vënë cak mëkatit. Disa nga fëmijët e tij nuk pranonin të shkuleshin prej Sodomit dhe gruaja e Lotit refuzonte të nisej pa ta. Kur Loti mendonte se do të largohej nga ata, që kishte më për zemër në botë, e kapte një dëshpërim, që nuk e përballonte dot. Nuk ishte aspak e lehtë të linte prapa shtëpinë e tij luksoze dhe gjithë pasurinë, që kishte grumbulluar nga puna e gjithë jetës, e të largohej si një endacak varfanjak. I nënshtruar nga dëshpërimi, Loti vazhdoi të ngurronte dhe ende nuk donte të largohej. Po të mos ishte për engjëjt e Perëndisë, ata të gjithë do të merrnin fund, në rrënimin me zjarr të Sodomit. Kështu, lajmëtarët qiellorë morën atë, gruan dhe dy vajzat e tij për dore dhe i drejtuan jashtë qytetit.PPAlb 105.2
Engjëjt i lanë jashtë qytetit, për t’u rikthyer në Sodom, për të përfunduar shkatërrimin e qytetit. Një tjetër, Ai, të cilit i ishte përgjëruar Abrahami, u afrua pranë Lotit. Në të gjitha qytetet e ultësirës, nuk ishin gjetur as dhjetë njerëz të virtytshëm, por, si përgjigje për lutjen e patriarkut (Abrahamit), ai njeri, që i druhej ende Perëndisë, u ruajt nga shkatërrimi. Lotit iu dha një urdhër i rreptë dhe i beftë: “Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të fushës; shpëto në mal që të mos vdesësh!” (Vargu 17). Hezitimi apo ngurrimi, në ato çaste, do të ishte fatal. Hedhja, qoftë vetëm e një shikimi prapa, drejt qyteti, ku kishte kaluar shumë vite të jetës, si dhe ndalesa, qoftë dhe për një çast, e shtyrë nga pendimi se po largoheshin nga ajo shtëpi aq e bukur e luksoze, do t’u kushtonte jetën. Furtuna e ndëshkimit hyjnor ishte gati; thjesht po priste për këta ikanakë të mjerë, që të realizonin shpëtimin.PPAlb 105.3
Por Loti, i çoroditur dhe i tmerruar, u lut të mos shkonte atje ku ishte urdhëruar, kishte frikë se diçka e keqe do ta gjente e do të vdiste. E vërteta është, jetesa në atë qytet të lig, në mes të të pafeve, e kishte venitur besimin e tij. Edhe pse Vetë Princi i qiellit i gjendej pranë, Loti u përgjërua për jetën e vet; a thua se Perëndia, që kishte treguar aq shumë dashuri e përkujdesje për të, do ta linte në baltë? Ai duhet të kishte treguar besim të plotë ndaj Lajmëtarit hyjnor, duke e lënë vullnetin dhe jetën e tij në duart e Zotit, pa treguar asnjë dyshim, pa bërë asnjë pyetje. Por njësoj si shumë të tjerë në ditët tona, ai e kishte mendjen të bënte plane, që i vinin për mbarë: “Ja, ky qyteti këtu është mjaft i afërt për ta arritur dhe është i vogël. Më lër, pra, të iki shpejt aty (a nuk është i vogël?) dhe kështu do të shpëtoj jetën” (Vargu 20). Qyteti, që përmendet këtu, quhej Bela, i cili më vonë u quajt Zoar. Ndodhej disa kilometra larg Sodomit dhe, si ky i fundit, ishte i shthurrur dhe kishte për t’u shkatërruar. Por Loti u lut që ky qytet të kursehej, duke thënë se kjo kërkesë nga ana e tij ishte modeste. Dëshira e tij u plotësua e Zoti e siguroi: “Unë po ta plotësoj edhe këtë kërkesë: që të mos e shkatërroj pra qytetin, për të cilin më fole” (Vargu 21). Oh sa e madhe është mëshira e Perëndisë për krijesat e Tij, që gabojnë!PPAlb 106.1
Edhe një herë, u dha urdhri për të nxituar, sepse furtuna e zjarrtë do të vonohej vetëm për pak kohë. Por njëra nga ikanaket, gruaja e Lotit, guxoi të kthehej e të hidhte sytë prapa, drejt qytetit të mallkuar dhe ajo u shndërrua në një statujë të ndëshkimit të Perëndisë. Në rast se Loti nuk do të kishte hezituar t’i bindej paralajmërimit të engjëjve dhe do të kishte vrapuar me nxitim drejt maleve, pa bërë asnjë fjalë e pa u ankuar, edhe gruaja e tij do të kishte arritur të shpëtonte. Ndikimi i shembullit të tij do ta kishte shpëtuar gruan e tij nga mëkati, që vulosi fatin e saj. Por hezitimi dhe ngurrimi nga ana e Lotit bënë që ajo të mos e merrte paralajmërimin hyjnor dhe aq seriozisht. Ndërsa trupin e kishte jashtë Sodomit, zemrën e kishte brenda tij, kështu ajo mori fund bashkë me të. Ajo rebeloi kundër Perëndisë, sepse ndëshkimi i Tij përfshinte pronat, pasuritë dhe fëmijët e saj, që do të merrnin fund bashkë me qytetin. Edhe pse e favorizuar jashtë mase, duke u marrë prej dore dhe duke u nxjerrë jashtë qytetit të lig, ajo pretendoi se Zoti e kishte trajtuar me ashpërsi, sepse atë pasuri, që e kishte grumbulluar për vite të tëra, po e linte të tërën prapa, që të shkatërrohej. Në vend që të pranonte me mirënjohje shpëtimin, ajo mori guximin të vështronte pas, duke dëshiruar jetën e atyre, që kishin refuzuar paralajmërimin hyjnor. Mëkati, që kishte kryer, e bëri gruan e Lotit të padenjë për jetën, sepse, në të vërtetë, ajo tregoi shumë pak mirënjohje, kur kjo jetë sapo i ishte kursyer.PPAlb 106.2
Ne duhet të bëjmë shumë kujdes që t’i marrim seriozisht masat hirplota, që Perëndia ka ndërmarrë për shpëtimin tonë. Ka të krishterë, që thonë, “Unë nuk kam ndonjë merak të shpëtohem, po nuk u shpëtuan bashkëshorti/ja dhe fëmijët e mi bashkë me mua”. Ata mendojnë se parajsa nuk do të jetë parajsë për ta pa praninë e atyre, që kanë për zemër. Por a kanë vërtet këta njerëz, që mendojnë kështu, një konceptim të saktë të marrëdhënies së tyre me Perëndinë, aq më tepër duke marrë parasysh mirësinë dhe mëshirën e Tij të madhe ndaj tyre? A mos ndoshta ata kanë harruar se janë të lidhur me litarët më të fortë të dashurisë, të nderit dhe të besnikërisë ndaj shërbesës së Krijuesit dhe Shpenguesit të tyre? Me mëshirën e tij, Perëndia u dërgon të gjithëve ftesa dhe, meqë miqtë tanë e refuzojnë dashurinë përgjëruese të Shpëtimtarit Jezus, a duhet ta refuzojmë edhe ne? Shpengimi i njerëzve është tepër i vyer. Krishti ka paguar një çmim të pallogaritshëm për shpëtimin tonë, dhe askush, që e çmon vlerën e kësaj sakrifice, apo edhe vlerën e vetvetes, nuk do ta përbuzë apo hedhë tej mëshirën e ofruar nga Perëndia, meqënëse të tjerët vendosën ta bëjnë këtë. Vetë fakti, se të tjerët po i injorojnë kërkesat e Tij të drejta, duhet të na motivojë ë bëhemi edhe më të zellshëm, në mënyrë që ne vetë ta nderojmë Perëndinë dhe t’i drejtojmë të gjithë ata, tek të cilët kemi ndikim, të pranojnë dashurinë e Tij.PPAlb 107.1
“Dielli ishte ngritur mbi tokë, kur Loti hyri në Zoar.” - Zanafilla 19:23. Rrezet e diellit të mëngjesit sikur përcillnin begati dhe paqe për qytetet e ultësirës. Zhurma e zakonshme e jetës filloi të ndihej nëpër rrugë; njerëzit kishin marrë rrugën, secili në punën e vet, ose për në dëfrimet, që ofronte ajo ditë. Dhëndurët e Lotit ende po talleshin me panikun dhe paralajmërimin, që kishin marrë nga vjehrri i tyre i shkretë që, me sa dukej, kishte rrjedhur pak. Papritur, siç mund të binte një rrufe nga qielli i pastër, nisi furtuna. Zoti bëri të binte squfur dhe zjarr nga qielli, mbi qytetet dhe ultësirën e begatë, mbi pallatet e tempujt e tyre, vilat luksoze, kopshtet dhe vreshtat dhe mbi vandalët e shthurrur e rrugaçë, që vetëm një natë më parë kishin fyer lajmëtarët e qiellit; të gjithë u përpinë e u dogjën. Tymi u ngjit lart dhe i përngjante tymit të një furre gjigante. Kështu, ultësira e bukur e Sodomit u shkretua plotësisht; një vend që nuk do të rindërtohej apo ribanohej më kurrë ishte, në të njëjtën kohë, një dëshmi për gjithë brezat e ardhshëm se ndëshkimi, nga ana e Perëndisë, ndaj mëkatit dhe mosbindjes me siguri do të ndodhë.PPAlb 107.2
Flakët, që dogjën qytetet e ultësirës, vazhdojnë të përhapin dritën e tyre paralajmëruese edhe për kohën tonë. Nëpërmjet tyre na jepet mësimi i frikshëm dhe solemn se, megjithëse mëshira e Perëndisë e duron për një kohë të gjatë, ekziston një kufi, përtej të cilit njerëzit nuk mund të vazhdojnë në mëkat, Kur ky cak kalohet, atëherë ofrimi i mëshirës hyjnore tërhiqet dhe zbatimi i ndëshkimit hyjnor fillon.PPAlb 107.3
Jezus Krishti, Shpenguesi i botës, deklaron se ka mëkate edhe më të mëdha se sa ata, për të cilët u shkatërruan Sodomi dhe Gomorra. Ata, që e dëgjojnë ftesën e ungjillit, i cili u bën thirrje mëkatarëve të pendohen e të kthehen në rrugën e Zotit, dhe nuk i venë vesh kësaj ftese, janë më fajtorë përpara Perëndisë se sa banorët e ultësirës së Sodomit. Akoma dhe më i madh është mëkati i atyre, që pretendojnë se e njohin Perëndinë dhe se i mbajnë urdhërimet e Tij, por që, në të vërtetë, e mohojnë Krishtin me karakterin e tyre dhe gjatë jetës së përditshme. Duke marrë parasysh këtë paralajmërim të Shpëtimtarit tonë, fati i Sodomit duhet të shërbejë si një paralajmërim solemn, jo vetëm ndaj atyre që janë fajtorë për mëkatet e tyre të rënda, por edhe ndaj gjithë atyre, që tallen e shpërdorojnë dritën e së vërtetës dhe privilegjet, që vijnë nga Qielli.PPAlb 107.4
Siç thotë Ai, që është Dëshmuesi i Vërtetë ndaj kishës së Efesit: “Kam diçka kundër teje, sepse ke braktisur dashurinë tënde të parë. Kujtohu, pra, se nga ke rënë dhe pendohu e bëj veprat, që bëje në fillim; ndryshe do të vij së shpejti tek ti dhe do ta lëviz shandanin tënd nga vendi i vet, në rast se nuk pendohesh.” - Zbulesa 2:4, 5. Shpëtimtari ynë është i vëmendshëm me përgjigjet, që vijnë ndaj ofrimit, nga ana e Tij, e dashurisë dhe faljes. Ai e bën këtë me një dhembshuri më të madhe se ajo, që bën zemrën e një prindi njerëzor, të falë djalin apo vajzën, që janë rebeluar ndaj tyre dhe kanë marrë rrugë të keqe. “Kthehuni tek Unë dhe unë kam për t’u kthyer tek ju.” - Malaki 3:7. Por, në qoftë se keqbërësi refuzon, vazhdimisht, të dëgjojë atë zë, që e thërret me një dashuri të ëmbël e përgjëruese, ai, në fund, do të lihet në errësirë. Zemra, që ka refuzuar për një kohë të gjatë mëshirën e Perëndisë, bëhet gur nga mëkati dhe nuk është më në gjendje të kuptojë ndikimin e hirit të Perëndisë. I frikshëm do të jetë fati i atyre, për të cilët Shpëtimtari përgjërues do të deklarojë, në fund: ai apo ajo “është lidhur me idhujt, lëreni vetëm.” - Hosea 4:17. Në ditën e gjykimit, do të jetë më e lehtë për banorët e Sodomit dhe Gomorrës se sa për ata, që e njohën njëherë dashurinë e Krishtit, por i kthyen asaj shpinën, për t’iu dhënë kënaqësive të një bote mëkatare.PPAlb 108.1
Ju, që po refuzoni ofrimet e mëshirës hyjnore, mendoni për faqet e shumta, që shkruhen kundër jush, në librat e qiellit, sepse keqbërjet e kombeve, familjeve dhe individëve mbahen të gjitha shënim. Perëndia mund të durojë gjatë, ndërsa libri vazhdon të mbushet dhe bëhen thirrjet për pendim dhe ofertat për falje; megjithatë, do të vijë një kohë kur libri do të mbushet plot, kur çdo individ e ka marrë tashmë vendimin e tij, atëherë kur fati i këtij individi është vendosur plotësisht me zgjedhjen e vet. Atëherë do të jepet sinjali për ekzekutimin e ndëshkimit.PPAlb 108.2
Ka shkak për alarm, kur marrim parasysh gjendjen e botës fetare të ditëve tona. Mëshira e Perëndisë është shpërdoruar si mos më keq. Shumë njerëz zhvlerësojnë ligjin e Zotit, “duke mësuar si doktrina ato, që janë urdhërime nga njerëzit.” - Mateu 15:9. Mungesa e besimit shihet në shumë institucione fetare; nuk është një mungesë besimi në kuptimin më të gjërë të saj, p.sh. mohim i hapur i Biblës, por një mungesë besimi, që, fatkeqësisht, vishet me rrobën e Krishtërimit, ndërsa minon besimin tek Bibla, si zbulesë nga ana e Perëndisë. Përkushtimi me pasion dhe përulësia e plotë i kanë lënë rrugën formalizmit të cekët. Si rezultat, në këto institucione fetare mbizotërojnë rënia dhe shthurrja. Krishti deklaroi “Siç ndodhi në kohën e Lotit...kështu ka për të qenë edhe atë ditë, kur Biri i njeriut do të shfaqet.” - Luka 17:28,30. Ngjarjet, që ndodhin në jetën e përditshme të këtij planeti, dëshmojnë për përmbushjen e këtyre fjalëve profetike. Bota po shkon me vrull drejt shkatërrimit. Ndëshkimi, nga ana e Perëndisë, nuk do të vonohet gjatë dhe mëkati e mëkatarët do të bëhen hi.PPAlb 108.3
Shpëtimtari ynë ka thënë: “Tani kini kujdes, që zemrat tuaja të mos rëndohen nga grykësia, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete, që ajo ditë të mos ju zërë në befasi, sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata, që banojnë mbi faqen e mbarë dheut”, mbi të gjithë ata, interesat e të cilëve janë të përqëndruara vetëm në këtë botë. “Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë dhe që të shpëtoni nga të gjitha ato, që kanë për të ndodhur dhe të qëndroni përpara Birit të njeriut.” -Luka 21:34-36.PPAlb 109.1
Para shkatërrimit të Sodomit, Perëndia i dërgoi një mesazh Lotit “Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të ultësirës, shpëto në mal, që të mos vdesësh!” - Zanafilla 19:17. I njëjti zë paralajmërues u dëgjua nga dishepujt e Krishtit, përpara shkatërrimit të Jeruzalemit: “Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, dijeni se shkretimi i tij është afër. Atëherë ata, që janë në Jude, të ikin në male; ata që janë në qytet të largohen dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.” - Luka 21:20, 21. Ata nuk duhet të ngurrojnë për të siguruar pasuritë, që kanë lënë pas, por të shfrytëzojnë në maksimum mundësinë për të shpëtuar.PPAlb 109.2
Një zgjedhje duhet bërë: një vendim për t’u ndarë nga të këqinjtë, një largim për të shpëtuar jetën. Kështu ndodhi në ditët e Noeut, kështu ndodhi me Lotin, kështu dhe me dishepujt para shkatërrimit të Jeruzalemit, kështu do të jetë në ditët e fundit të botës. Sërish, zëri i Perëndisë dëgjohet me një mesazh paralajmërues, që u bën thirrje njerëzve të Tij të shkëputen nga fëlliqësia, që mbizotëron kudo.PPAlb 109.3
Situata plot shthurrje dhe çoroditje, që do të ekzistojë në botën fetare, në ditët e fundit, iu paraqit profetit Gjon, në vegimin e Babilonisë, “atij qyteti të madh, që mbretëron mbi mbretërit e tokës.” - Zbulesa 17:18. Përpara shkatërrimit të qytetit, bëhet një thirrje nga qielli, “Dil prej saj, populli Im, që të mos bëheni pjesëmarrës të mëkateve të saj dhe që të mos merrni nga fatkeqësitë, që do të bien mbi të.” - Zbulesa 18:4. Ashtu si në ditët e Noeut dhe Lotit, duhet të ketë një ndarje të qartë nga mëkati dhe mëkatarët. Nuk mund të ketë kompromis ndërmjet Perëndisë dhe botës, nuk duhet të ketë kthim mbrapa, për të siguruar thesare tokësore. “Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit” (idhullit të materializmit).- Mateu 6:24.PPAlb 109.4
Ashtu si banorët e ultësirës së Sodomit, njerëzit sot ëndërrojnë begati dhe paqe. “Ik për të shpëtuar jetën tënde” është paralajmërimi, që na jepet nga engjëjt e Perëndisë, por zëra të tjerë dëgjohen të thonë: “Mos kini frikë, nuk ka arsye për panik”. Turmat thërrasin “Paqe dhe siguri”, ndërsa zëri nga Qielli shpall se shkatërrimi i shpejtë do të bjerë mbi keqbërësin. Natën para shkatërrimit, qytetet e ultësirës dëfreheshin në orgjitë e tyre dhe i përçmuan panikun dhe paralajmërimet e lajmëtarit të Perëndisë, por këta tallës u përpinë nga flakët; pikërisht atë natë dera e mëshirës u mbyll përfundimisht për banorët e pafe e të liq të Sodomit. Perëndia nuk do të tallet përgjithmonë; Ai nuk do të bëhet lojë e të tjerëve. “Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, me indinjatë dhe zemërim të ashpër, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj.” - Isaia 13:9. Shumica e banorëve të botës do ta refuzojnë mëshirën e Perëndisë dhe do të marrin fund, nga një shkretim i shpejtë dhe i pakthyeshëm. Por ata, që do t’i vënë vesh paralajmërimit hyjnor, do të banojnë “në vendin e fshehtë të Më të Lartit” dhe do të qëndrojë “nën hijen e të Plotfuqishmit.” E vërteta e Tij do të jetë mburojë dhe litar sigurie për ta. Për ta është bërë premtimi “Me jetë të gjatë kam për ta ngopur dhe do t’i tregoj shpëtimin tim.” - Psalmi 91:1, 4, 16.PPAlb 109.5
Loti qëndroi vetëm një kohë të shkurtër në Zoar. Fëlliqësia mbizotëronte në këtë qytet, ashtu si në Sodom, dhe Loti kishte frikë të qëndronte më gjatë atje, se mos shkatërrohej edhe ky qytet. Pas pak kohe, edhe Zoari u dogj, siç ishte bërë plan nga Perëndia. Loti mori arratinë drejt maleve dhe zuri strehë në një shpellë. Atje ai nuk kishte më asgjë nga ato gjëra, që e kishin nxitur të merrte vendimin të banonte, bashkë me familjen, në mes të ndikimeve të një qyteti të lig, si Sodomi. Por mallkimi i Sodomit e ndoqi atë edhe këtu. Sjellja e turpshme e vajzave të tij ishte pasojë e drejpërdrejtë e ekspozimit dhe shoqërisë së atij vendi të fëlliqur. Shthurrja morale e Sodomit ishte ndërthurur aq shumë me karakterin e tyre, sa ato nuk mund të dallonin më ndërmjet së mirës dhe së keqes. Pasardhësit e vetëm të Lotit, Moabitët dhe Amonitët ishin fise të këqinj idhujtarësh, vandalë dhe rebelë kundër Zotit, si dhe armiq të betuar të popullit të Tij.PPAlb 110.1
Sa i madh ishte kontrasti ndërmjet jetës së Abrahamit dhe asaj të Lotit! Njëherë e një kohë, ata kishin qenë bashkë, duke adhuruar në të njëjtin altar, duke banuar pranë njëri-tjetrit, në çadrat e tyre të pelegrinëve, por sa shumë larg njëri-tjetrit tani! Loti kishte zgjedhur Sodomin për kënaqësinë dhe përfitimet, që vinin prej tij. Duke lënë altarin e Abrahamit dhe llijimin e përditshëm ndaj Perëndisë, që jeton, Loti lejoi fëmijët e vet të përziheshin e shoqëroheshin me njerëz të shthurrur e idhujtarë, megjithatë, ai e mbajti në zemër druajtjen ndaj Perëndisë, sepse në Shkrimet e Shenjta shkruhet se ai ishte një njeri “i drejtë”. Virtytshmëria e karakterit të tij përplasej përditë me gjërat e liga, që dëgjonte, si dhe me dhunën dhe krimin, të cilët ai nuk kishte asnjë forcë për t’i parandaluar. Në fund, ai u shpëtua si një “urë zjarri, që është shkëputur nga zjarri” (Zekaria 3:2), por, duke mos marrë asnjë pasuri me vete, duke humbur gruan dhe fëmijët e vet, duke gjetur strehë nëpër shpella, si kafshët e egra, i mbuluar me turp në moshë të thyer, ai nuk i dha botës një racë njerëzish të virtytshëm, por dy popuj idhujtarë, në armiqësi me Perëndinë dhe që do të luftonin kundër popullit të Tij, derisa kupa e fëlliqësisë u mbush aq plot, sa solli mbi ta ndëshkimin shkatërrues. Sa të tmerrshme ishin pasojat, që ndoqën një hap të vetëm të pamenduar!PPAlb 110.2
Thotë i urti “Mos puno për t’u pasuruar, hiq dorë nga mënçuria jote.” “Kush është lakmitar i fitimeve, vë në rrezik shtëpinë e vet, kurse ai, që i urren dhuratat, ka për të jetuar.” - Fjalët e Urta 23:4; 15:27. Ndërsa apostulli Pal thotë: “Por ata, që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim dhe në lak dhe në shumë epshe të kota dhe të dëmshme, që i fundosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.” - 1 Timoteut 6:9.PPAlb 110.3
Kur Loti hyri në Sodom, ai synoi ta mbante veten larg fëlliqësisë dhe familjen nën autoritetin e tij. Por ai dështoi. Influencat shthurrëse përreth ndikuan negativisht tek besimi i tij, ndërsa fëmijët e tij i lidhën interesa të shumta me banorët e Sodomit. Dihet çfarë pasoje solli kjo.PPAlb 110.4
Shumë njerëz, sot, bëjnë një gabim të ngjashëm. Kur zgjedhin një shtëpi për të banuar, ata shikojnë avantazhet e përkohshme, që mund të kenë, dhe nënvlerësojnë ndikimet morale dhe shoqërore, që do të rrethojnë ata vetë dhe familjarët e tyre. Ata zgjedhin një vend të bukur e pjellor, me shpresën se do të sigurojnë begati më të madhe, por fëmijët e tyre rrethohen nga tundimi dhe, shumë shpesh, zënë shoqëri të tilla, që ndikojnë për keq në sjelljen e tyre dhe janë të pafavorshme për formimin e një karakteri të mirë e të drejtë. Atmosfera e imoralitetit, e ateizmit, e indiferencës ndaj gjërave shpirtërore, ka tendencë të veprojë kundër ndikimit të prindërve. Shembuj rebelimi ndaj autoritetit prindëror dhe hyjnor janë mëse të pranishme ndër të rinjtë e sotëm; shumë prej tyre zënë shoqëri me njerëz të pafe dhe jobesimtarë dhe, në këtë mënyrë, pozicionohen së bashku me armiqtë e Perëndisë.PPAlb 110.5
Kur zgjedhim një shtëpi për banim, Perëndia dëshiron që ne të marrim parasysh, para së gjithash, natyrën e ndikimeve morale dhe fetare, që do të na rrethojnë ne dhe anëtarët e familjeve tona. Qëllon që edhe mund të vendosemi në kushte jo dhe aq të përshtatshme, sepse jo të gjithë mund të zgjedhin vendbanimin e dëshiruar, por kurdoherë që na thërret detyra, Perëndia do të bëjë të mundur që ne të mbetemi të pakorruptuar, në qoftë se lutemi, duke besuar në hirin e Krishtit. Por, në asnjë mënyrë, nuk duhet të ekspozohemi (kur kjo nuk është e domosdoshme) ndaj ndikimeve, të cilat nuk janë të mira për formimin e karakterit të krishterë. Kur ne, me vullnetin tonë personal, zgjedhim një vendbanim, që gjendet në një atmosferë ku mbizotëron shthurrja dhe ateizmi, ne nuk e kënaqim Perëndinë dhe largojmë engjëjt e shenjtë nga shtëpitë tona.PPAlb 111.1
Ata prindër, që sigurojnë pasuritë e nderet e botës për fëmijët, në dëm të edukimit shpirtëror të tyre, kanë për ta parë se, në fund të fundit, këto përparësi janë, në të vërtetë, një humbje e tmerrshme. Si Loti, shumë prindër përjetojnë rrënimin e fëmijëve të tyre, ndërsa mezi shpëtojnë vetveten. Mundi i punës së tyre shkon dëm, jeta e tyre është një dështim i trishtë. Në rast se do të kishin ushtruar urtësi të vërtetë, fëmijët e tyre mund të kishin pasur më pak begati, nga pikëpamja materiale, por, në të njëjtën kohë, do të siguronin një titull për trashëgiminë e pavdekshme.PPAlb 111.2
Trashëgimia, që Perëndia i ka premtuar popullit të Tij, nuk gjendet në këtë botë. Abrahami nuk kishte pronësi në tokë, “as edhe vend për të vënë një këmbë”. - Veprat e Apostujve 7:5. Ai kishte bollëk të madh dhe këtë e përdori për lavdinë e Perëndisë dhe për të mirën e atyre, që banonin nën të njëjtën strehë me të, por ai nuk e konsideroi këtë botë si shtëpinë e tij të vërtetë. Zoti e thirri Abrahamin të largohej nga farefisi i tij idhujtar, me premtimin e tokës së Kanaanit, si një pronë e përjetshme, megjithatë, as ai, as djali i tij, madje as djali i djalit të tij nuk e morën atë si pronësi. Kur Abrahamit iu desh të zgjidhte një vend si varrezë për të afërmit e tij, atij iu desh ta blinte atë copë toke nga Kanaanitët. Prona e vetme e tij në Tokën e Premtimit ishte varri prej guri, në shpellën e Makpelahut.PPAlb 111.3
Por fjala e Perëndisë nuk kishte dështuar dhe nuk u përmbush plotësisht me pushtimin e Kanaanit nga populli Jude. “Premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij.” - Galatasve 3:16. Abrahami vetë ishte bashkëtrashëgues. Përmbushja e fjalës së Perëndisë mund të duket shpesh e vonuar, “se, për Zotin, një ditë është si një mijë vjet dhe një mijë vjet si një ditë” (2 Pjetrit 3:8), mund të duket e vonuar, por në kohën e caktuar, “sepse, me siguri, do të vijë dhe nuk do të vonojë” (Habakuk 2:3). Dhurata për Abrahamin dhe pasardhjen e tij përshinte jo vetëm tokën e Kanaanit, por krejt tokën. Kështu thotë apostulli, “Në fakt premtimi, për të qenë trashëgimtar i botës, nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet virtytshmërisë së besimit.” - Romakëve 4:13. Gjithashtu, Bibla tregon qartë se premtimet, që iu bënë Abrahamit, e gjejnë përmbushjen e tyre nëpërmjet Krishtit. Të gjithë ata, që janë të Krishtit, janë “pasardhje e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit”, trashëgimtarë të “një trashëgimie të paprishshme, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt...” - Galatasve 3:29; 1 Pjetrit 1:4. Sepse “mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt do t’i jepen popullit të shenjtorëve të Më të Lartit; mbretëria e Tij është një mbretëri e përjetshme dhe të gjitha zotërimet do t’i shërbejnë dhe do t’i binden Atij” dhe “zemërbutët do të trashëgojnë tokën e do të ngazëllehen në bollëkun e paqes.” - Danieli 7:27; Psalmi 37:11.PPAlb 111.4
Perëndia i shfaqi Abrahamit një pamje të kësaj trashëgimie të përjetshme dhe, me këtë shpresë, patriarku ishte më se i kënaqur. “Me anë të besimit, Abrahami udhëtoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim, sepse kërkoi një qytet, që kishte themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.” - Hebrenjve 11:9,10.PPAlb 112.1
Për pasardhësit e Abrahamit është shkruar kështu: “Të gjithë ata vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për së largu dhe u bindën e i përshëndetën ato me gëzim, duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe” (Vargu 13). Ne duhet të banojmë njësoj si shtegtarë e të huaj këtu, nëse dëshirojmë “një atdhe më të mirë, domethënë qiellor (Vargu 16). Ata, që janë fëmijë të Abrahamit, do të kërkojnë të njëjtin qytet, që kërkoi dhe ai, “mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia”.PPAlb 112.2