Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents

PATRIARKË DHE PROFETË

 - Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    67—“MAGJIA E LASHTË DHE AJO MODERNE”

    *****

    Historia e shkruar në Shkrimet e Shenjta në lidhje me vizitën e Mbretit Saul tek shtriga e Endorit, ka qenë një burim debati për shumë studiues të Biblës. Disa prej tyre janë të mendimit se Samueli ishte vërtetë i pranishëm në atë të ashtuquajtur intervistë me Saulin por vetë Bibla paraqet evidencë të mjaftueshme për të mbështetur një konkluzion të ndryshëm. Në qoftë se, siç pretendohet nga disa, Samueli ishte ngjitur në qiell, ai duhej të kishte ardhur prej andej ose nga pushteti i Perëndisë ose nga ai e Satanit. Askush nuk mund të besojë për qoftë edhe një çast se Satani kishte pushtetin për të thirrur këtë profet të shenjtë të Perëndisë nga qielli për të respektuar yshtjet e një gruaje të braktisur e të mallkuar. Nga ana tjetër, nuk mund të dalim as në konkluzionin tjetër se ishte Perëndia ai që e thirri Samuelit që të paraqitej tek shpella e shtrigës; sepse Zoti, kishte refuzuar prej kohësh që të komunikonte me Saulin, qoftë nëpërmjet ëndërrave, nqoftë nëpërmjet Urim-it apo profetëve -1 Samuelit 28:6. Këto të fundit ishin mjetet e vetme që ishin caktuar në atë kohë nga Perëndia për komunikim; dhe Ai nuk kishte asnjë arësye që t’i anashkalonte ato mjete dhe ta transmetonte mesazhin për Saulin nëpërmjet bashkëpunëtores së Satanit.PPAlb 525.1

    Mesazhi në vetvete përmban evidencë të mjaftueshme që na ndihmon që t’i gjejmë origjinën. Objekti i mesazhit nuk ishte aspak që ta drejtonte Saulin drejt pendesës, por përkundrazi, që ta nxiste atë drejt shkatërrimit; dhe kjo nuk mund të jetë vepër e Perëndisë, por vetëm eSatanit. Për më tepër, veprimi që Sauli ndërmorri, pra konsultimi me një praktikuese të yshtjeve citohen në Shkrimet e Shenjta si njëra nga arësyet se pse ai u hodh poshtë nga Perëndia dhe që u braktis drejt shkatërrimit “Kështu Sauli vdiq për shkak, të mosbesnikërisë së tij ndaj Zotit, sepse nuk kishte respektuar fjalën e Zotit dhe njëkohësisht kishte konsultuar një medium për të marrë këshilla prej saj, dhe përkundrazi, nuk ishte këshilluar me Zotin. Prandaj Zoti e bëri të vdesë dhe ia kaloi mbretërinë Davidit, birit të Jeseit”. - 1 Kronikave 10:13, 14. Në këtë varg të Biblës thuhet shumë qartë se Sauli u konsultua me gruan mediume, dhe jo me frymën e Zotit. Ai nuk komunikoi me Samuelin, profetin e Perëndisë; por nëpërmjet kësaj magjistareje, ai zhvilloi një bashkëbisedim me Satanin. Satani nuk mund ta paraqiste në asnjë mënyrë Samuelin e vërtetë, por mund të paraqiste fare lehtë një Samuel të rremë, që e kishte rezervuar për këtë plan mashtrimi që vuri në funksionim. Pothuajse të gjitha format e yshtarisë dhe magjisë së lashtë ishin të bazuara në konceptin se komunikimi me të vdekurit ishte i mundshëm. Ata që e praktikonin marifetet e nekromancisë pretendonin se kishin bashkëbiseduar me frymëra të njerëzve që kishin vdekur, dhe se mund të merrnin nëpërmjet tyre njohuri se çfarë do të ndodhte në të ardhmen. Zakoni i konsultimit me të vdekurit është referuar në njërën prej profecive të Isaias: “Në rast se ju thuhet: ‘Këshillohuni me mediumet dhe me magjistarët, që murmuritin dhe përshpëritin’, përgjigjuni: A nuk duhet një popull të konsultohet me Perëndinë e tij? A duhet, vallë, t’u drejtohet të vdekurve për llogari të të gjallëve?”‘-Isaia 8:19.PPAlb 525.2

    Kjo praktikë fetare, pra, komunikimi me të vdekurit përbënte gurin themeltar për idhujtarinë pagane. Perënditë e kombeve pagane mbaheshin sikur ishin shpirtrat e hyjnizuar të heronjve të lashtë që kishin vdekur. Në këtë mënyrë, feja e paganëve kishte për bazë adhurimin e të vdekurve. Kjo bëhet më se evidente nga Shkrimet e Shenjta. Në historinë që bën fjalë për mëkatin e Izraelit në Beth-peor, thuhet: Ndërsa Izraeli ndodhej në Shitim, populli filloi të shthurret me bijat e Moabit. Ato e ftuan popullin të kryejë flijime për perënditë e tyre dhe populli hëngri dhe ra përmbys përpara perëndive të tyre. Kështu, Izraeli u bashkua me Baal-Peorin, dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit. - Numrat 25:1-3. Gjithashtu, psalmisti na tregon për sojin e këtyre perëndive të rreme të cilave u bëheshin flijime. Duke iu referuar të njëjtës apostazi të izraelitëve, psalmisti thotë, “Ata (izraelitët) i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve (- Psalmi 106:28); që do të thotë, flijimet që u ishin ofruar të vdekurve.PPAlb 526.1

    Hyjnizimi i të vdekurve ka luajtur një rol dominant në pothuajse të gjitha sistemet e paganizmit, siç ka luajtur edhe i ashtuquajturi komunikimi me të vdekurit. Perënditë besoheshin se gjoja u komunikonin vullnetin e tyre njerëzve, dhe gjithashtu, kur konsultoheshin, u jepnin atyre këshilla, apo konsulta. Të kësaj kategorie ishin edhe orakujt e famshëm të Greqisë dhe Romës.PPAlb 526.2

    Besimi në komunikimin me të vdekurit praktikohet edhe në ditët e sotme, mjerishte, edhe në vende që pretendojnë se janë të krishtera. Nën emrin e spiritualizmit (apo spiritizmit), praktika e komunikimit me qënie që pretendojnë të jenë shpirtëra të të vdekurve është mjaft e përhapur. Ajo është e paramenduar me shumë djallëzi, sepse shfrytëzon ndjenjat dhe mallin që kanë ata njerëz që kanë varrosur të afërmit e tyre të zemrës. Disa qenie frymërore i shfaqen njerëzve ndonjëherë në formën e miqfe apo të afërmve të ndjerë, dhe tregojnë historira që kanë të bëjnë me jetën që kanë jetuar dhe kryejnë veprime të ngjashme më ato që kanë kryer kur kanë qenqë gjallë. Në këtëmënyrë, ata i shtyjnë njerëzit që të besojnë se të afërmit e tyre të vdekur janë engjëj që vërtiten sipër tyre dhe komunikojnë me ta. Ata që në këtë mënyrë aludojnë të jenë shprirtërat e të vdekurve trajtohen me njëfarë idhujtarie, dhe tek shumë njerëz, fjala e tyre mban më tepër peshë se vetë fjala e Perëndisë.PPAlb 526.3

    Megjithatë, ka shumë të tjerë që e konsiderojnë spiritualizmin (apo spiritizmin) si një mashtrim të shëmtuar. Shfaqjet me atë të të cilave pretendohet karakteri i mbinatyrshëm i seancës i atribuohen mashtrimit që kryhet nga mediumi apo mediumja. Por ndërkohë që është i vërtetë fakti që rezultatet e këtij mashtrimi janë konsideruar apo besuar shpesh si shfaqje të vërteta, ka patur evidenca edhe të veprimtarisë së fuqisë së mbinatyrshme. Për rrjedhojë shumë njerëz që e refuzojnë spiritualizmin si një rezultat i mençurisë njerëzore apo të një akti hipnotizues, kur konfrontohen me shfaqje për të cilat nuk dinë se si t’i shpejegojnë, shkojnë deri atje saqë i pranojnë këto pretendime.PPAlb 526.4

    Spiritualizmi modern, si dhe format e magjisë së lashtë dhe të adhurimit të idhujve—të cilat, pa përjashtim, parimin kryesor të përbashkët kanë komunikimin me të vdekurit—kanë për themel atë gënjeshtër të parë të cilën Satani përdori për të mashtruar Evën në kopshtin në Eden: Ju s’keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të bëheni si Perëndia (ose si perënditë) ... - Zanafilla 3:4, 5. Të gjitha këto praktika të lartpërmendura bazohen tek mashtrimi dhe përjetësojnë atë gënjeshtër të madhe të lashtë, sepse të gjitha e kanë origjinën nga Satani, i cili jo më kot është quajtur babai i gënjeshtrave. (- Gjoni 8:44).PPAlb 527.1

    Hebrenjve u ishte ndaluar absolutisht që të mos përfshiheshin në asnjë mënyrë në të ashtuquajturën praktikë e komunikimit me të vdekurit. Perëndia e ka bërë mëse të qartë që kjo portë komunikimi është plotësisht e mbyllur, ndërsa deklaron: “Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet. Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë, dhe ata nuk do të kenë asnjë pjesë në të gjitha ato që bëhet nën diell.” - Predikuesit 9:5, 6. “Kur fryma e [njeriut] ikën, ai i rikthehet dheut (ose pluhurit) dhe po atë ditë planet e tij zhduken” - Psalmi 146:4. Gjithashtu, Zoti i kishte deklaruar Izraelit: “Dhe në rast se një person u drejtohet mediumeve dhe magjistarëve për t’u kurvëruar pas tyre, unë do ta kthej fytyrën Time kundër këtij personi dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij.”- Levitiku 20:6.PPAlb 527.2

    Frymërat që dilnin nga poshtë nuk ishin aspak shpirtrat apo frymërat e të vdekurve, por engjëj të këqinj, lajmëtarë të Satanit. Idhujtaria e lashtë, e cila, siç e kemi parë, përfshin si adhurimin e të vdekurve, ashtu edhe të ashtuquajturin komunikim me të vdekurit, konsiderohet nga Bibla se nuk ka qenë asgjë tjetër përveçse adhurim demonësh. Apostulli Pal, ndërsa u bën një paralajmërim bashkëbesimtarëve që të mos marrin pjesë në asnjë mënyrë në praktikat idhujtare të fqinjëve të tyre paganë, thotë, “Jo, por po them se flijimet që bëjnë paganët, u ofrohen demonëve dhe jo Perëndisë; nuk dua që ju të bëni pjesë me demonët.” - 1 Korintasve 10:20. Psalmisti, duke folur për izraelitët, thotë se ata “ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujt e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.” - Psalmi 106:37, 38. Në të ashtuquajturin adhurim të njerëzve të vdekur, ata në të vërtetë po adhuronin demonët.PPAlb 527.3

    Edhe spiritualizmi modern, i cili qëndron mbi të njëjtin themel, nuk është asgjë tjetër veçse një rringjallje në një formë të re të magjisë, yshtjeve dhe adhurimit të demonëve të cilat Perëndi i ka dënuar dhe ndaluar që në kohët e lashta. Në Shkrimet e Shenjta është bërë një parashikim në lidhje me faktin se “në kohët e fundit disa do të largohen nga besimi, duke iu kushtuar frymëve mashtruese dhe gjërave të mësuara nga demonët” - 1 Timoteut 4:1. Ndërsa në lëtrën e dytë drejtuar bashkësisë së besimtarëve në Selanik, Pali tërheq vëmendjen ndaj veprimtarisë së posaçme të Satanit në spiritualizëm, veprimtari kjo që do të jetë shumë aktive përpara ardhjes së dytë të Krishtit. Duke iu referuar ardhjes së dytë të Krishtit, apostulli deklaron se kjo veprimtari “do të jetë sipas veprimit të Satanit, plot fuqi, shenja dhe mrekulli të rreme.”- 2 Selanikasve 2:9. Gjithashtu, Aostulli Pjetër, ndërsa përshkruan rreziqet me të cilat do të përballej kisha në kohërat e fundit, thotë se ashtu siç kishte profetë të rremë të cilët e shtynë Izraelin drejt mëkatit, kështu do të ketë edhe mësues të rremë, “të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese, madje edhe duke mohuar Zotin që i ka blerë, duke sjellë kështu mbi vete shkatërrim të shpejtë. Shumë do t’i ndjekin shthurjet e tyre dhe për shkak të tyre do të shahet rruga e së vërtetës.” - 2 Pjetrit 2:1, 2. Në këto vargje, apostulli tërheq vëmëndjen tek njëra nga karakteristikat më të dalluara të mësuesve spiritualiste.. Ata nuk pranojnë ta njohin hapur Krishtin si Bir i Perëndisë. Në lidhje me këta mësues të rremë, Gjoni, apostulli i dashur, deklaron, “Kush është gënjeshtari përveç atij që mohon se Jezusi është Krishti? Ky është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin. Kushdo që mohon Birin, nuk ka as Atin. Ai që pohon Birin ka edhe Atin.” - 1 Gjonit 2:22, 23. Spiritualizmi, duke mohuar Krishtin, mohon edhe Atin edhe Birin, dhe Bibla e shpall këtë mohim si një manifestim të antikrishtit.PPAlb 527.4

    Me anë të parashikimit të vdekjes së Saulit, të bërë nëpërmjet shtrigës së Endorit, Satani synonte të mashtronte popullin e Izraelit. Ai shpresonte se ata do të tregonin besim tek yshtësja dhe se do të inkurajoheshin që të vinin të konsultoheshin me të. Kështu, ata do t’i kthenin shpinën Perëndisë, si këshilltarin e tyre, dhe do ta vinin veten nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Satanit. Joshja me anë të së cilës spiritualizmi tërheq turma të tëra njerëzish është se pretendon se ka pushtet për të zbuluar perden e së ardhmes dhe t’u tregojë njerëzve atë që ka fshehur Perëndia. Perëndia ka shpalosur për ne në fjalën e Tij, Biblën, ngjarjet e mëdha të së ardhmes.—gjithçka që është e domosdoshme për t’u ditur prej nesh—dhe Ai na ka dhënë një udhërrëfyes të sigurt për udhëtimin tonë që do të na mbrojë nga rreziqet; por synimi i Satanit është që ta zhdukë besimin e njerëzve tek Perëndia, dhe t’i bëjë ata të pakënaqur me situatën në të cilën ndodhen në jetën e tyre, t’i shtyjë ata që të kërkojnë informacione rreth atyre gjërave që Perëndia, me mençurinë e Tij, i ka mbajtur të mbuluara për të mirën e tyre, si dhe të përçmojnë atë që ai ka zbuluar në Fjalën e Tij të Shenjtë.PPAlb 528.1

    Të shumtë janë njerëzit që shqetësohen e nervozohen së tepërmi nëse nuk marrin vesh se cili do të jetë fundi i gjërave. Ata nuk e durojnë dot pasigurinë, dhe, duke treguar një mungesë të plotë durueshmërie, ata nuk pranojnë që të presin e të shohin shpëtimin e Perëndisë. Parandjenjat e këqija dhe fiksimet i turbullojnë jashtë mase. Për rrjedhojë, ata u hapin rrugën emocioneve rebele dhe vërtiten sa andej-këndej të shqetësuar jashtë mase, për të marrë informacione në lidhje me gjërat që janë mbajtur fshehur. Sa mirë do të bënin sikur të tregonin besim tek Perëndia, dhe të luteshin rregullisht, sepse kanë për të gjetur me siguri ngushëllim dhe qetësi nga Perëndia i qiellit. Fryma e tyre do të qetësohej nga komunikimi me Perëndinë. Njerëzite lodhur e të stërmunduar do të gjenin paqe e prehje për veten e tëre vetëm po të shkojnë tek Jezusi; por kur i lënë në harresë mjetet që Perëndia ka taksur për lehtësinë e tyre, dhe mbështeten në burime te tjera, me shpresën se do të mësojnë atë që Perëndia ka mbajtur fshehur, ata kryejnë pikërisht mëkatin e Saulit, dhe me atë rast marrin vetëm një njohuri të së ligës.PPAlb 528.2

    Zoti nuk është aspak i kënaqur nga veprime të tilla, dhe këtë gjë e ka shprehur në një mënyrë tepër të qartë (eksplicite). Nxitimi dhe padurimi për të hequr vellon prej së ardhmes tregon një mungesë të theksuar besimi në Perëndi, dhe e ekspozon njeriun ndaj këshillave të Satanit, krye-mashtruesit të universit. Satani i shtyn njerëzit që të konsultohen me ata që praktikojnë të ashtuquajturin komunikim me të vdekurit; dhe duke shfaqur gjëra sekrete të së shkuarës, ai mundohet të ndjellë besim tek fuqia e tij për të parashikuar gjërat që do të ndodhin në të ardhmen. Në fakt, në sajë të përvojës së fituar nga njëra epokë në tjetrën, ai mundet të arsyetojë nga shkaku tek pasojat dhe shpesh të parashikojë, me një shkallë saktësie, disa nga ngjarjet e ardhshme të jetës së një njeriu. Në këtë mënyrë atij i jepet një mundësi e artë për të mashtruar njerëzit e gjotë që çohen në rrugë të gabuar dhe nën pushtetin e tij ata kthehen në robër të vullnetit të tij të lig.PPAlb 529.1

    Zoti na e ka dhënë paralajmërimin nëpërmjet profetit të Tij: “Në rast se ju thuhet: ‘Këshillohuni me mediumet dhe me magjistarët’, që murmuritin dhe përshpëritin përgjigjuni: ‘A nuk duhet një popull të konsultojë Perëndinë e tij? A duhet, vallë, t’u drejtohet të vdekurve për llogari të të gjallëve?’ Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë.” - Isaia 8:19, 20.PPAlb 529.2

    Si vallë, ata njerëz që kanë një Perëndi të shenjtë, me urtësi dhe pushtet që nuk njeh fund, të shkojnë tek yshtësit e magjistarët, njëohuria e të cilëve vjen detëm nga intimiteti me armikune Zotit tonë? Vetë Perëndia është drita e popullit të Tij; ai i bën thirrje besimtarëve që t’i fiksojnë sytë e tyre me besim tek gjërat e lavdishme që për momentin mbahen të fshehura ndaj tyre. Krishti, ky Diell i Virtytshmërisë, dërgon rrezet e ndritshme në zemrat e tyre; ata marrin dritë nga vetë froni qiellor, dhe nuk kanë aspak dëshirë që t’i kthejnë shpinën burimit të dritës dhe të shkojnë tek korrierët e bashkëpunëtorët e Satanit.PPAlb 529.3

    Mesazhi i demonit (që mori formën e Samuelit) për Saulin, ndonëse ishte një denoncim i mëkatit si dhe një profeci e hakmarrjes, nuk kishte si synim reformimin e tij, por që ta nxiste edhe me tej drejt dëshpërimit dhe shkatërrimit. Gjithsesi, në shumicën e rasteve, ai i shërben planit djallëzor të tunduesit, për të joshur sa më shumë njerëzit drejt shkatërrimit nëpërmjet kandisjes (bërjes së qejfit) Mësimet e perëndive demoniake në kohërat e lashta inkurajonte një liberalizëm të skajshëm e të ndyrë. Parimet hyjnore që dënonin mëkatin dhe impononin virtytshmërinë hidheshin mënjanë; e vërteta nuk merrej aspak seriozisht, dhe papastërtia morale jo vetëm që lejohej por edhe urdhërohej me ligj. Idhtarët e spiritualizmit deklarojnë se nuk ka vdekje, as mëkat, as gjykim, as hakmarrje; se “njerëzit janë gjysëmperëndi të përsosur;” se dëshira (kupto: epshi) është ligji më i lartë dhe se njeriu duhet t’i japë llogari vetëm vetes së tij dhe askujt tjetri.Në këtë mënyrë, ato pengesa që Perëndia i ka ngritur për të mbrojtur të vërtetën, pastërtinë morale, respektin solemn dhe devotshmërinë, shkatërrohen dhe shumë njerëz bëhen edhe më të mbrapshtë si pasojë e jetesës me mëkatin. A nuk sugjerojnë këto leksione një origjinë të ngjashme me ato të adhurimit të demonëve?PPAlb 529.4

    Zoti i parashtroi qartë përpara Izraelit pasojat që rridhnin nga mbajtja e komunikimit me frymërat e liga (demonët), kur përshkroi fëlliqësitë e kanaanitëve: ata ishin njerëz që nuk e njihin dhembshurinë, ishin idhujtarë, kurorëshkelës, vrasës, dhe të fëlliqur nga çdo mendim i mundshëm shthurrjeje dhe praktike apo riti të urryer. Njerëzit nuk i njohin zemrat e tyre; sepse “zemra është më mashtruese se të gjitha gjërat e tjera, dhe tmerrësisht e ligë. - Jeremia 17:9. Por Perëndia i njeh mirë tendencat e natyrës së korruptuar të njeriut. Atëherë, si edhe tani, Satani synonte që të impononte situata e kondita të cilat favorizonin shthurrjen dhe rebelimin, në mënyrë që populli i Izraelit ta bënin vetveten aq të neveritshëm ndaj Perëndisë sa ç’ishin kanaatitët. Armiku i njerëzve qëndron gjithmonë zgjuar dhe vigjilent duke synuar hapjen e mundësive për rrjedhjen e pakufizuar të ligësisë brenda nesh; sepse ai dëshiron më shumë se gjithçka që ne të shkatërrohemi dhe të dënohemi përpara Perëndisë..PPAlb 529.5

    Satani ishte i vendosur për ta ruajtur dominimin që kishte patur në tokën e Kanaanit, dhe kur kjo e fundit u bë vendbanimi i izraelitëve, ndërsa ligji i Perëndisë u bë ligji i vendit, ai e urreu Izraelin me një inat mizor dhe keqdashës, dhe bëri të pamundurën për të thurrur komplote që ta shkatërronte si komb. Nëpërmjet bashkëpunimit me frymërat e liga (demonët), u prezantuan perëndi të huaja; dhe për shkak të shkeljes e paudhësisë, populli i zgjedhur u shpërnda përfundimisht jashtë Tokës së Premtimit. Satani po bën të pamundurën që ta përsërisë të njëjtën histori në ditët tona. Perëndia po e drejton popullin e Tij prej paudhësive të botës, me qëllim që ata t’i përmbahen ligjit të tij; dhe për këtë arësye, furia dhe inati i Satanit, “akuzuesit të vëllezërve tanë,” nuk njohin cak. “Djalli ka zbritur për tek ju, duke patur një zemëratë të madhe, sepse e di se i ka ngelur veçse një kohë e shkurtër (për të jetuar)” - Zbulesa 12:10, 12. Sot, toka e premtuar ndodhet përpara nesh, dhe Satani është hakërryer që ta shkatërrojë popullin e sotëm të Perëndisë dhe t’i privojë ata nga trashëgimia e tyre. Këshilla “Ruhuni dhe lutini, që të mos bini në tundim” (- Marku 14:38), sot është më e vlefshme se kurrë.PPAlb 530.1

    Fjala e Zotit drejtuar Izraelit të lashtë, i drejtohet sot edhe besimtarëve, popullit të tij në këtë epokë: “Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre, sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti” - Levitiku 19:31; - Ligji i Përtërirë 18:12.PPAlb 530.2

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents