Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    32.—Kurthet e Satanit

    Kontradiktës së madhe midis Krishtit dhe Satanit, e cila ka vazhduar pothuajse gjashtëmijë vjet, po i vjen fundi dhe Satani i dyfishon përpjekjet e tij për ta penguar punën e Krishtit në të mirë të njerëzimit dhe për t’i mbërthyer shpirtrat njerëzore në kurthet e tij. Qëllimi i tij i vetëm është që t’i mbajë njerëzit në errësirë dhe padije deri sa të përfundojë periudha e ndërmjetësimit të Shpëtimtarit pas së cilës, mëkatin nuk do të mund ta shlyejë më asnjë flijim tjetër.KiM 501.1

    Kur në kishë dhe në botë mbizotëron moskokëçaria dhe nuk bëhet asnjë përpjekje për t’i bërë ballë fuqisë së Tij, satani është i qetë, sepse nuk rrezikon që t’i humbasë ata që po i transformon në robër të vullnetit të vet. Por kur vëmendja e njerëzve përqëndrohet tek gjërat e përjetshme dhe ata pyesin veten: “Çfarë duhet të bëj që të shpëtoj!”, Atij i rrëshket toka nën këmbë, sepse i duhet që të krahasohet me fuqinë e Krishtit dhe t’i kundërpërgjigjet ndikimit të Frymës së Shenjtë. KiM 501.2

    Në Shkrimet e Shenjta thuhet se një ditë, kur engjëjt e Perëndisë u paraqitën para Tij, bashkë me ta erdhi dhe Satani: (Jobi 1:6); jo që të përulej përpara Mbretit të Pavdekshëm, por që të thellonte akoma dhe më shumë përpjekjet e tij keqdashëse kundër njerëzve të drejtë. Të njëjtën gjë ka në mendje ai dhe kur pret të mblidhen njerëzit, që duan të adhuro-jnë Perëndinë. Megjithëse nuk duket asgjëkundi, fshehur diku, ai punon me zell që të vihet në kontroll të mendjeve të atyre që adhurojnë. Si një gjeneral i zoti, përgatit fillimisht planin e vepri-mit. Ndërsa ndjek me kujdes se si lajmëtari i Perëndisë shqyrton me kujdes Shkrimet e Shenjta, ai mban shënim temën që do t’u parashtrohet njerëzve. Pas kësaj, ai përdor të gjithë dinakërinë dhe zgjuarsinë e tij, duke krijuar rrethana të tilla që mesazhin të mos e dëgjojnë njerëzit, që ai po i mashtron pikërisht në atë pikë. Njeriu që ka më shumë nevojë për këtë paralajmërim, do të përfshihet në disa procedura pune, që kërkojnë praninë e tij, apo në një farë mënyre, do t’i paraqiten pengesa që të mos t’i dëgjojë fjalët që mund t’i shpëtojnë jetën.KiM 501.3

    Satani shikon shërbëtorët e Zotit të shqetësuar për shkak të errësirës shpirtërore që ka mbërthyer njerëzimin. Ai dëgjon lutjet e tyre të ethshme që hiri dhe fuqia hyjnore t’i japin fund periudhës së indiferencës, pakujdesisë dhe plogështisë. Më pas, me zell të ri, ai fillon punën për vënien në jetë të planeve të veta. Ai i tundon njerëzit që t’i kushtojnë vëmendje oreksit të tyre apo plotësimit të ndonjë forme tjetër vetëkënaqësie, duke i paralizuar kështu ndjenjat e tyre në atë pikë, sa që ata refuzojnë të dëgjojnë pikërisht ato gjëra, për të cilat kanë më shumë nevojë. KiM 502.1

    Satani e di mirë që pre e sulmeve të tij do të bëhen të gjithë ata, që do të heqin dorë nga lutjet dhe studimi i Shkrimeve të Shenjta, prandaj ai përdor çdo lloj mjeti të mundshëm për të tërhequr vëmendjen e njerëzve. Gjithmonë ka ekzistuar një grup njerëzish që, duke u hequr “të shenjtë”, në vend që të studionin për të gjetur të vërtetën, kërkonin gabime dhe të meta në karakterin dhe besimin e atyre, që nuk binin dakord me ta. Njerëz të tillë janë krahu i djathtë i Satanit. Akuzuesit e të tjerëve nuk janë të paktë dhe sa herë që Perëndia nderohet në të vërtetën nga shërbëtorët e Tij, ata bëhen më aktivë. Ata do të hedhin një vështrim të gabuar në fjalët dhe veprat e atyre që e duan dhe i binden të vërtetës. Ata i skicojnë shërbëtorët më të zellshëm, më të ethshëm dhe më të vendosur të Krishtit, si të mashtruar apo mashtrues. Detyra e tyre është që të keqinterpretojnë motivet e çdo besimtari të vërtetë dhe fisnik, që të përhapin thashetheme dhe të mbjellin dyshim në mendjet e njerëzve pa përvojë. Me gjithfarë mënyrash ata do të përpiqen që ta paraqesin gjithçka të pastër dhe të drejtë, si çmenduri dhe mashtrim.KiM 502.2

    Por askush nuk duhet të mashtrohet prej tyre. Eshtë e lehtë të kuptosh se fëmijët e kujt janë ata, shembullin e kujt ndjekin dhe punën e kujt kryejnë. “Ju do t’i njihni nga frytet e tyre” (Mateu 7;16). Rruga e tyre ngjason me rrugën e Satanit, shpifësit të mallkuar, e paditësit të vëllezërve tanë”. (Zbulesa 12:10)KiM 503.1

    Mashtruesit të madh i shërbejnë shumë agjentë, që janë të gatshëm të mbrojnë me vendosmëri çdo lloj gabimi - grackë njerëzore, gabime, që përbëjnë herezi të përgatitura me kujdes për të kënaqur shijet dhe për t’iu përgjigjur aftësive të atyre njerëzve që ai do të rrënojë. Plani i tij është që të sjellë në kishë elementë të pasinqertë dhe përçarës, që do të përhapnin dy-shim dhe mosbesim dhe do t’ia fshehin punën e Perëndisë të gjithë atyre, që duan të jenë pjesë e saj. Shumë njerëz, që nuk besojnë me të vërtetë tek Perëndia dhe tek Fjala e tij, pranojnë disa parime të së vërtetës dhe vetëquhen të Krishterë, gjë që jua lehtëson paraqitjen e gabimeve si doktrina biblike. KiM 503.2

    Ideja sipas së cilës nuk ka asnjë rëndësi ajo që besojnë njerëzit, është një nga mashtrimet më të suksesshmet të Satan-it. Ai e di mjaft mirë se e vërteta e pranuar me dashuri e shen-jtëron njeriun, prandaj përpiqet që ta zëvendësojë atë me teori të rreme, me përralla të bukura dhe me një Ungjill tjetër. Që në fillim të kohës, shërbëtorët e Perëndisë janë ngritur kundër mësuesve të rremë, duke i konsideruar ata jo vetëm si njerëz me vese, por edhe si mbartës gënjeshtrash fatale për shpirtin njerëzor. Elija, Jeremia, Pali, i kundërshtuan me vendosmëri ata që po i largonin njerëzit nga fjala e Zotit. Këta mbrojtës të shen-jtë të së vërtetës nuk e përkrahën atë lloj liberalizmi, që e quante të parëndësishëm besimin e saktë fetar.KiM 503.3

    Interpretimet e pasakta dhe imagjinare të Shkrimeve të Shenjta dhe teoritë kontradiktore, që kanë të bëjnë me besimin fetar dhe që janë pranuar nga të krishterët përbëjnë themelin e punës së armikut tonë të rrezikshëm për të çorientuar mendjet e njerëzve, në mënyrë që ata të mos të mund ta shquajnë më të vërtetën. Mosmarrëveshjet dhe ndarjet, që ekzistojnë mes kishave të krishtera vijnë në një shkallë të madhe si rrjedhim i luftës që i bëhet Shkrimeve të Shenjta për të mbështetur një teori “interesante”. Shumë njerëz në vend që ta studiojnë fjalën e Perëndisë me kujdes dhe me përulje, që të njihen kështu me vullnetin e Tij, përpiqen vetëm që të zbulojnë diçka të veçantë dhe origjinale.KiM 503.4

    Disa të tjerë me qëllim që të mbështesin doktrinat e tyre të gabuara dhe veprimet antikristiane, kapen fort pas disa pasa-zheve të Shkrimit të Shenjtë, që i zhveshin nga kuptimi, duke cituar ndoshta në mbrojtje të “doktrinave” të tyre një gjysëm verse ndërkohë që gjysma e dytë e kundërshton tërësisht kup-timin e dhënë nga gjysma e parë. Duke përdorur dinakërinë e gjarpërit ata fshihen pas disa thënieve të shkëputura, thënie që i rindërtojnë për t’ju përshtatur dëshirave të tyre trupore. Në këtë mënyrë shumë njerëz “të aftë” i shtrembërojnë fjalët e librit të Perëndisë.KiM 504.1

    Të tjerët që kanë një imagjinatë të zhvilluar shfrytëzojnë simbolet dhe figurat e Shkrimit të Shenjtë, i interpretojnë ato sipas dëshirës së tyre pa marrë parasysh dëshminë biblike dhe më pas u vënë trilleve të tyre titullin: “Mësime të Biblës”.KiM 504.2

    Sa herë që Shkrimet e Shenjta studiohen me mospërfillje, mendjemadhësi, pa dëshirë, si pasazhet e qarta dhe të thjeshta ashtu edhe vargjet më të vështira, do të zhvishen nga kuptimi i tyre i vërtetë. Drejtuesit e papatit zgjedhin ato pjesë të Shkri-meve të Shenjta që iu përgjigjen më mirë qëllimeve të tyre, i interpretojnë ato në përputhje me doktrinat e tyre e më pas ua paraqesin ato të zbukuruara njerëzve, duke u mohuar atyre privilegjin e studimit të Biblës dhe të kuptuarit të së vërtetave të shenjta. Njerëzit duhet ta lexojnë Biblën ashtu siç është shkruar; fjalë për fjalë; versë për versë, kapitull për kapitull. Do të ishte shumë më mirë që njerëzit të mos merrnin fare mësime biblike se sa të dëgjonin keqinterpretime të përmasave të tilla.KiM 504.3

    Bibla u shkrua me qëllim që të ishte udhëzuese për të gjithë ata, që dëshirojnë të njohin vullnetin e Krijuesit të tyre. Perëndia iu dha njerëzve fjalën e sigurtë profetike; engjëjt e madje Vetë Krishti erdhën tek Danieli dhe Gjoni për t’u shpallur atyre ngjarjet, që do të ndodhnin në të ardhmen e afërt dhe të largët.KiM 504.4

    Çështjet e rëndësishme, që lidhen ngushtë me shpëtimin tonë nuk mbetën mistere. Ato nuk dolën nga errësira në dritë që të çorientonin dhe keqdrejtonin studiuesit e sinqertë të së vërtetës. Zoti përmes profetit Habakuk tha: “Shkruaje vegimin dhe gdhënde mbi rrasa, që të mund të lexohet shpejt”. (Habaku-ku 2:2)KiM 504.5

    Fjala e Perëndisë qartësohet përpara syve të atyre që e studiojnë atë, duke u lutur. Drita e së vërtetës do të depërtojë në zemrën e çdo njeriu me të vërtetë të ndershëm. “Drita ka dalë për të drejtin” (Psalmi 97:11). Dhe një kishë mund të përparojë në rrugën e shenjtërisë vetëm kur anëtarët e saj ta kërkojnë të vërtetën me zell si të ishte një thesar i fshehur.KiM 505.1

    Liberalizmi i ka verbuar njerëzit përpara planeve keqdashëse të armikut të tyre, ndërsa ata duhet ta dinë se ai punon me kujdes gjatë gjithë kohës për të arritur qëllimin e tij. Ndërsa ai e zëvendëson me sukses Biblën me spekulimet njerëzore. Ligji i Perëndisë del jashtë “mode” dhe kisha bie nën zgjedhën e mëkatit, duke pretenduar në të njëjtën kohë se është e lirë.KiM 505.2

    Shumë njerëz i quajnë kërkimet shkencore mallkime. Perëndia përmes zbulimeve në shkencë dhe art i ka falur botës një lumë drite, por edhe kokat më të mëdha, në qoftë se nuk drejtohen gjatë këtyre zbulimeve nga fjala e Zotit çuditen dhe çorientohen, kur përpiqen të gjejnë lidhjet mes shkencës dhe zbulesës.KiM 505.3

    Dijet njerëzore mbi problemet materiale dhe shpirtërore janë të pjesshme dhe të pasakta, prandaj shumë njerëz nuk janë në gjendje që të gjejnë një gjuhë të përbashkët mes pikëpamjeve shkencore dhe thënieve Biblike. Disa prej tyre i pranojnë teoritë dhe spekulimet e thjeshta si fakte shkencore dhe janë të mendimit se fjala e Perëndisë duhet të kontrollohet nga të dhënat “e asaj që quhet në mënyrë të rreme, shkencë” (1 Timoteut 6:20). Ata s’mund ta kuptojnë Krijuesin dhe Veprat e Tij, dhe, duke qënë se nuk i shpjegojnë dot këto ligje të natyrës e quajnë historinë e Biblës - përrallë. Të gjithë ata që dyshojnë tek vërtetësia e të dhënave të Dhiatës së Re dhe të Vjetër shpesh nuk mjaftohen me kaq, por dyshojnë tek vetë ekzistenca e Perëndisë dhe e veshin natyrën me fuqi të pafund. Me të prerë litarin e spirancës ata lihen në mëshirën e valëve, që i përplasin tek shkëmbinjtë e tradhëtisë.KiM 505.4

    Kështu ata heqin dorë nga besimi, duke u kthyer në objekte të tundimit satanik. Njerëzit përpiqen që të tregohen më të zgjuar se Krijuesi i tyre, filozofia njerëzore është orvatur që të prekë dhe t’u japë shpjegim mistereve, që nuk do të mund të zbulohen kurrë deri në fund të kohës. Sikur njerëzit të studionin dhe të kuptonin ato gjëra, që Perëndia ka zbuluar mbi Personin e Tij dhe qëllimet që ka për zemër ata do të përfitonin një ide të tillë të lavdisë, madhështisë dhe fuqisë së Perëndisë, që do t’i ndihmonte të kuptonin se sa të vegjël janë përpara Tij dhe se sa të kënaqur duhet të jenë për gjithçka që ka dalë në dritë jo vetëm për ta, por edhe për fëmijët e tyre.KiM 505.5

    Mendjet njerëzore kërkojnë të dinë dhe të marrin me mend gjëra, që Perëndia i ka kthyer në mistere dhe nuk dëshiron që të bëhen të njohura për ta dhe ky fakt, përbën mashtrimin-kryevepër të Satanit. Pikërisht kështu e humbi Luciferi pos-tin e tij në qiell. Ai ishte i pakënaqur, sepse nuk ishte në dijeni të të gjitha qëllimeve të Perëndisë dhe nuk donte t’ia dinte për postin e lartë që i ishte besuar. Ai rrënoi edhe një pjesë të engjëjve, duke mbjellë në zemrat e tyre ndjenjën e pakënaqësisë. Në të njëjtën mënyrë përpiqet që t’i frymëzojë njerëzit me këtë frymë shkatërruese, që ata t’u kthejnë shpinën urdhëresave të drejtpërdrejta të Perëndisë.KiM 506.1

    Të gjithë ata, që nuk duan t’i pranojnë të vërtetat e qarta dhe të prera të Biblës janë të etur që të dëgjojnë përralla të bukura për të qetësuar ndërgjegjen e tyre kondradiktore. Sa më bindëse, të vërteta dhe vetëmohuese të jenë doktrinat e parashtruara përpara njerëzve, aq me më pak entusiazëm do të priten ato. Këta njerëz u vënë shkelmin aftësive të tyre intelektuale në dobi të dëshirave të tyre fizike. Duke menduar se janë tepër të ditur për t’i studiuar Shkrimet e Shenjta përmes lutjeve dhe lotëve të pendimit, ata humbin mburojën e çeliktë, duke mbetur të zhveshur përpara zhgënjimit. Satani është gati t’i përmbushë menjëherë dëshirat njerëzore dhe për këtë arsye, në vend të së vërtetës paraqet mashtrimin. Në të njëjtën mënyrë papati mundi të siguronte kontrollin mbi mendjet njerëzore, por edhe protestantët, duke mohuar të vërtetën sepse kjo mbart në vetvete një kryq Kalvari, i kanë hyrë të njëjtës rrugë. Të gjithë ata që e mohojnë fjalën e Perëndisë për të studiuar diplomaci dhe për të përqafuar atë që i shkon për shtat botës, do ta keqkuptojnë herezinë e mallkuar për të vërtetë fetare. Ata që e mohojnë me vetëdije të vërtetën janë të gatshëm që të pranojnë çdo formë gabimi. Ai që e sheh me tmerr një mashtrim të vetëm do të bëhet sakaq viktimë e një të dyti. Apostulli Pal, duke folur për një grup njerëzish “që nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qënë të shpëtuar” deklaron: “E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një zhgënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata, që nuk i besuan të vërtetës, por përqafuan ligësinë!”. (2 Selanikasve 2:10-12). Me një paralajmërim të tillë në mendje, ne duhet të tregohemi të kujdesshëm në zgjedhjen e doktrinave që pranojmë. KiM 506.2

    Mësimet e rreme dhe çuditë e gënjeshtërta të spiritualizmit përbëjnë dy nga veprimtaritë më të suksesshme të mashtruesit të madh. I maskuar si një engjëll drite, ai i hedh rrjetat atje ku nuk pritet. Sikur njerëzit të luteshin që Fryma e Shenjtë t’u hapte sytë që ata ta kuptonin Librin e Perëndisë gjatë studimit të tij, ata nuk do të liheshin në errësirë dhe nuk do të pranonin doktrina të rreme të asnjë lloji. Por me të mohuar të vërtetën ata kthehen në pre të mashtrimit.KiM 507.1

    Doktrina sipas të cilës mohohet hyjniteti i Krishtit, duke pretenduar se Ai nuk ka ekzistuar përpara ardhjes së Tij në tokë, është një përgënjeshtrim i rrezikshëm. Kjo teori është mirëpritur nga një grup i madh njerëzish, që deklarojnë se i besojnë Biblës e, megjithatë, ata kundërshtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë thëniet më të qarta të Shpëtimtarit në lidhje me marrëdhëniet e Tij me Atin, karakterin e Tij hyjnor dhe ekzistencën e Tij të përjetshme. Një teori e tillë mund të përkrahet vetëm në qoftë se nuk merret aspak parasysh dëshmia e Shkrimeve të Shenjta. Ajo jo vetëm që u vë shkelmin koncepteve njerëzore mbi aktin e shpëtimit, por edhe minon besimin se Bibla është një libër i frymëzuar nga Perëndia. Kjo jo vetëm që e bën çështjen të rrezikshme, por edhe më të komplikuar. Në qoftë se njerëzit e hedhin poshtë dëshminë e frymëzuar të Shkrimeve të Shenjta në lidhje me Hyjnitetin e Krishtit është e kotë që të përpiqesh t’ua shpjegosh këtë pikë, sepse asnjë argument, sado i pamohueshëm të jetë ai, nuk do të jetë bindës për ta. “Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Shpirtit të Shenjtë, sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë, sepse ato gjykohen frymërisht”. (1 Korintasve 2:14). Ai që e përqafon një gabim të tillë nuk do të mund ta kuptojë kurrë karakterin e vërtetë të misionit të Krishtit apo planin e madh të Perëndisë për shpëtimin e njerëzimit. KiM 507.2

    Besimi që po përhapet shpejt, sipas të cilit Satani nuk ka ekzistuar kurrë ndonjëherë si qënie, si individ dhe se emri i tij përdoret në Shkrimin e Shenjtë për të përfaqësuar mendimet dhe dëshirat mëkatare të njerëzve, është një gabim tjetër i dëmshëm dhe shkatërrues.KiM 508.1

    Ideja që dëgjohet shpesh nga podiumet kishtare, sipas së cilës ardhja e dytë e Krishtit përfaqësohet nga vizita që Ai “do t’i bëjë” çdo njeriu të vdekur është një mjet, që përdoret për t’i larguar mendjet njerëzore nga ardhja e Tij e vërtetë mes reve të qiellit. Satani, për vite me radhë ka thënë: “Ja është në dhomat e fshehta” (Mateu 24:23-26); dhe shumë njerëz kanë humbur, sepse e kanë pranuar si të vërtetë këtë mashtrim.KiM 508.2

    Megjithatë, mençuria tokësore vazhdon të na thotë se lutja nuk është themelore. Shkencëtarët pretendojnë se lutjeve nuk u jepet asnjëherë një përgjigje e vërtetë, se kjo do të përbënte një shkelje të ligjeve të natyrës, do të ishte një mrekulli dhe mrekullitë, thonë ata, nuk ekzistojnë. Ata janë të mendimit se në themel të ekzistencës së universit janë ligjet dhe se edhe vetë Perëndia i respekton këto ligje. Kështu ata e paraqesin Perëndinë të mbërthyer nga ligjet e Veta - sikur në veprimtarinë e ligjeve hyjnore të mos ketë vend për liri hyjnore. Dëshmia e Shkrimeve të Shenjta e kundërshton një ide të tillë. A nuk kreu Krishti dhe apostujt e Tij mrekulli? Shpëtimtari i dhembshur jeton edhe sot e kësaj dite dhe është aq i gatshëm t’u vërë veshin lutjeve të besimit sa ç’ishte kur jetoi personalisht mes njerëzve. E natyrshmja bashkëvepron me të mbinatyrshmen. Eshtë vullneti i Perëndisë që të na dhurojë, në përgjigje të lutjeve të bëra me besim, atë që nuk do të na e jepte po të mos ia kishim kërkuar. KiM 508.3

    Kishat e krishtera po përqafojnë një numër të madh doktrinash të gabuara dhe idesh fantastike. Eshtë e pamundur që të llogariten rezultatet shkatërruese që mbart në vetvete zhvendosja e vetëm njërës prej shenjave orientuese të fjalës së Perëndisë.KiM 508.4

    Të paktë janë ata njerëz, që pas mohimit të një të vërtete të vetme kanë guximin të heqin dorë nga kjo rrugë. Pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë t’i flakin tej njëri pas tjetrit parimet e së vërtetës deri sa kthehen në jobesimtarë.KiM 509.1

    Gabimet e teologjisë popullore i kanë çuar shumë njerëz drejt rrugës së skepticizmit, njerëz që shumë mirë mund të besonin në Shkrimet e Shenjta. Eshtë e pamundur që një njeri të pranojë doktrina, që dhunojnë ndjenjën e tij të drejtësisë, mëshirës dhe dashamirësisë dhe kur këto doktrina paraqiten si mësime Biblike ai nuk mund të besojë se ajo është Fjala e Perëndisë.KiM 509.2

    Dhe pikërisht ky është qëllimi që përpiqet të arrijë Satani. Ai dëshiron me gjithë shpirt që ta shkatërrojë besimin e njerëzve tek Perëndia dhe Fjala e Tij. Satani është kryekomandant i ushtrisë së madhe të njerëzve, që dyshojnë dhe ai përdor çdo armë që i bie në dorë për t’i shtuar radhët e kësaj ushtrie me elementë të rinj. Dyshimi ka hyrë në modë. Një grup i madh njerëzish e shikojnë Fjalën e Perëndisë dhe Perëndinë Vetë me dyshim, vetëm sepse ajo e qorton dhe e dënon mëkatin. Ata që nuk duan t’i binden urdhëresave të saj (të Biblës), përpiqen ta hedhin poshtë edhe autoritetin që mbart ajo. Ata e lexojnë Biblën apo i dëgjojnë mësimet e saj të parashtruara nga podiumet kishtare vetëm që të mbajnë shënim gabimet e Shkrimeve të Shenjta apo paqartësitë e shërbesave fetare. Të shumtë janë ata, që për të justifikuar apo shfajësuar vetveten për moskryerjen e detyrave të tyre, heqin dorë nga besimi. Të tjerët përqafojnë parime skeptike falë krenarisë apo përtacisë së tyre. Tepër të dobët për të fituar lavdi përmes ndonjë vepre nderi, që kërkon përpjekje të ethshme dhe vetësakrifikim, qëllimi i tyre është që, duke kritikuar Biblën të shquhen për zgjuarësi dhe guxim. Mendja njerëzore e zhveshur nga mençuria hyjnore është e pafuqishme që të kuptojë një numër të madh gjërash. Kështu këta njerëz shfrytëzojnë këtë rast të veçantë për të kritikuar. Ka shumë njerëz, që mendojnë që të qëndrosh nga ana e mosbesimit, skepticizmit dhe pabesisë është meritë. Por nën maskën e sinqeritetit dhe çiltërsisë fshihen vetëbesimi dhe krenaria. Një numër i madh njerëzish kënaqen kur gjejnë diçka në Shkrimet e Shenjta, që është mister për të tjerët. Fillimisht disa kritikojnë dhe arsyetojnë gabim, vetëm sepse u pëlqen që t’i kundërshtojnë të tjerët. Ata nuk e kuptojnë se në këtë mënyrë herët a vonë do të bien pre e kurtheve të Satanit. Me të shprehur haptazi mosbesimin e tyre ata mendojnë se tashmë u duhet ta mbrojnë këtë ide. Pra ata bashkohen me njerëzit e padenjë dhe ia mbyllin vetvetes dyert e parajsës.KiM 509.3

    Perëndia na ka dhënë në fjalën e Tij prova të mjaftueshme pro karakterit të Tij hyjnor. Aty parashtrohen qartë të vërtetat e mëdha, që kanë të bëjnë me shpëtimin tonë. Çdo njeri me ndihmën e Frymës së Shenjtë, që u është premtuar të gjithë atyre që do ta kërkojnë me zemër të hapur, mund t’i kuptojë këto të vërteta. Perëndia ka hedhur për njerëzit themele të forta, që ata të ndërtojnë të sigurt mbi to besimin e tyre. KiM 510.1

    Megjithatë, mendjet njerëzore që kanë një cak arsyetimi, nuk mund t’i kuptojnë plotësisht qëllimet dhe planet e të Pafundmit. Kërkimet nuk do të na zbulojnë kurrë Perëndinë. Ne nuk duhet që të përpiqemi që ta ngremë me dorën e vetbesimit perden prapa së cilës Ai ka fshehur madhështinë e Tij. Apostulli thotë: “Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e Tij dhe sa të pashtershme janë udhët e Tij.” (Romakët 11:33). Ai na ka zbuluar marrëdhëniet e Tij me ne dhe motivet që e frymëzojnë që ne të mund të shquajmë shkrirjen e dashurisë dhe mëshirës pakufi me fuqinë pafund. Ati ynë qiellor e kryen gjithçka me mençuri dhe drejtësi dhe ne s’jemi më të pakënaqur dhe dyshues, por të përulemi përpara Tij me respekt dhe nënshtrim. Ai do të nxjerrë në dritë atë pjesë të qëllimeve të Tij që është mirë që ne ta njohim, më pas, ne duhet t’i besojmë Dorës së plotfuqishme dhe zemrës, që ushqen vetëm dashuri.KiM 510.2

    Edhe pse Perëndia na ka dhënë prova pafund besimi, Ai nuk do t’i fshijë të gjitha shkaqet e mosbesimit. Ata që kërkojnë grepa për të varur dyshimet e tyre, do t’i gjejnë ato. Ndërsa ata, që nuk pranojnë t’i binden dhe ta pranojnë fjalën e Perëndisë edhe pse çdo kundërshtim është hedhur poshtë dhe çdo dyshim është fshirë, do të mbeten në errësirë.KiM 510.3

    Mosbesimi tek Perëndia është fryt i natyrshëm i një zemre mëkatare, që është në armiqësi me Të. Besimi frymëzohet nga Fryma e Shenjtë dhe lulëzon vetëm atëherë kur fara e mbjellë bie në tokë të mirë. Askush nuk mund të forcohet në besim pa u përpjekur me vendosmëri. Mosbesimi fuqizohet sa herë që gjen mbështetje inkurajuese dhe në qoftë se njerëzit i lejojnë vetes që të dyshojnë dhe të ankohen vazhdimisht për hiçgjë në vend që të kapen fort pas provave që Perëndia u ka dhënë në mbrojtje të besimit të tyre ata do të vënë re se dyshimet e tyre do të përforcohen vazhdimisht.KiM 510.4

    Por ata që dyshojnë tek premtimet e Zotit dhe nuk i besojnë fjalës së Tij në lidhje me mëshirën dhe hirin, që Ai u ka falur, e çnderojnë Atë dhe ata në vend që t’i tërheqin të tjerët tek Krishti, ndikojnë negativisht, duke i larguar prej Tij. Ata u ngjajnë pemëve pa fruta, që me degët e tyre të gjata e të errëta nuk e lejojnë dritën e diellit të depërtojë tek bimët e tjera, duke i bërë ato të fishken dhe të thahen nën veprimtarinë e ngricës. Jeta e këtyre njerëzve, që nga fillimi deri në fund, do të jetë një dëshmi e pamohueshme kundër tyre. Ata po mbjellin fara dyshimi dhe skepticizmi, që nuk do të japin të korra të mbara.KiM 511.1

    Për ata që me të vërtetë dëshirojnë të çlirohen nga dyshimet ka vetëm një rrugë; në vend që të bëjnë pyetje dhe të ankohen për gjërat që nuk i kuptojnë, le t’i kushtojnë vëmendje dritës, që tashmë e kanë përpara tyre dhe, duke bërë këtë do t’u falet një dritë akoma dhe më e madhe. Le të kryejnë çdo detyrë që është e qartë për ta dhe më pas do të jenë në gjendje që të kuptojnë edhe përgjegjësitë, që dikur u ngjallnin dyshim dhe frikë. KiM 511.2

    Satani mund të krijojë një kopje të fallsifikuar kaq të ngjashme me të vërtetën saqë mund t’i mashtrojë të gjithë ata që duan të mashtrohen, ata që dëshirojnë t’i largohen vetëmohimit dhe sakrificës që mbart në vetvete e vërteta, por ai e ka të pamundur që të kontrollojë qoftë edhe një njeri të vetëm, që dëshiron me çdo kusht, ta njohë të vërtetën. Krishti është e vërteta dhe “Drita, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” (Gjoni 1:3). Njerëzve u është dërguar Fryma e së vërtetës, që t’i udhëheqë drejt vërtetësisë. Dhe përsa i përket autoritetit të Birit të Perëndisë thuhet: “Lypni dhe do t’u jepet” “Në qoftë se dikush do të bëjë vullnetin e Tij, do ta njohë nëse doktrina vjen nga Perëndia” (Mateu 7:7); (Gjoni7:17).KiM 511.3

    Pasuesit e Krishtit nuk dinë shumë për komplotet që Satani dhe agjentët e tij po thurin kundër tyre. Por Ai që ulet mbi fronin qiellor do t’i vërë kufi këtyre planeve keqdashëse për të përmbushur qëllimet e Tij mirëdashëse. Zoti lejon që populli i Tij të ballafaqohet me provat e vështira të tundimit, jo sepse i pëlqen t’i shohë të brengosur e të mërzitur, por sepse ky proçes, është pjesë themelore e fitores së tyre përfundimtare. Ai nuk mund t’i mbrojë ata vazhdimisht me lavdinë e Tij nga tundimi, sepse qëllimi i kësaj prove është që t’i përgatisë ata të përballojnë ngasjet e mëkatit.KiM 512.1

    Në qoftë se njerëzit do t’i rrëfejnë mëkatet e tyre me zemër të penduar e të përulur dhe do të bëhen pjesë e premtimeve të Tij përmes besimit që ushqejnë, as njerëzit dhe as djalli s’mund ta fshehin punën e Perëndisë apo ta fshijnë praninë e Tij prej tyre. Çdo tundimi, çdo ndikimi negativ të hapur apo të fshehur, mund t’i bëhet ballë me sukses “jo me anë të fuqisë, as me anë të forcës, por me anë të Shpirtit Tim, thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6)KiM 512.2

    “Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e Tij janë në lutjet e tyre...” (1 Pjetrit 3:12,13). Kur Balaami, i joshur nga premtimi i një shpërblimi të majmë, bëri magji kundër Izraelit dhe u përpoq që nëpërmjet flijimeve që i ofroi Zotit të ndillte një mallkim mbi popullin e Tij, Fryma e Perëndisë ia preu rrugën të keqes që ai donte të krijonte dhe Balaami u detyrua të thoshte: “Si mund të mallkoj atë që Zoti nuk e ka mallkuar? Si mund të padis atë që Zoti nuk e ka paditur?” “Vdeksha unë si njerëzit e drejtë dhe qoftë fundi im i njëllojtë me atë të tyren!” Kur u afrua një flijim tjetër, profeti i padenjë deklaroi: “Ja, unë mora urdhërin që të bekoj, po, ai ka bekuar dhe unë nuk mund ta heq bekimin e tij. Ai nuk ka vërejtur paudhësi tek Jakobi dhe nuk ka parë përdhosje tek Izraeli. Zoti, Perëndia i tij, është me të dhe klithma e një mbreti është mes tyre.” “Nuk ka magji kundër Jakobit, nuk ka shortari kundër Izraelit. Tani duhet të themi ç’ka bërë Perëndia me Jakobin dhe Izraelin!” Me t’u ngritur altari i tretë, Balaami u përpoq sërish që të shtinte në dorë një mallkim. Por përmes gojës së profetit, Fryma e Perëndisë shpalli prosperitetin e njerëzve të Tij të zgjedhur dhe qortoi ashpër keqdashjen dhe marrëzinë e armiqve të tyre: “qoftë i bekuar ai që të bekon dhe qoftë i mallkuar ai që të mallkon!” (Numrat 23:8,10,20,21,23; 24:9);KiM 512.3

    Gjatë asaj kohe, izraelitët ishin besnikë ndaj Perëndisë dhe për aq kohë sa ata vazhduan t’i bindeshin ligjit të Tij, s’kishte asnjë forcë në tokë a në ferr që të mund t’i gjunjëzonte.KiM 513.1

    Por Balaami arriti t’i mallkonte ata vetë, duke i joshur drejt “kënaqësive” të mëkatit. Me të shkelur urdhëresat e Perëndisë, ata u larguan prej tij dhe ndjenë mbi supe barrën e rëndë të fuqisë së shkatërruesit.KiM 513.2

    Satani e di mirë se edhe njeriu më i dobët që i qëndron besnik Krishtit, është më i fortë se ushtria e tij e errësirës dhe se ai nuk ka asnjë mundësi fitoreje po të shfaqet haptazi. Prandaj përpiqet që t’i largojë ushtarët e kryqit nga fortifikata e tyre e qëndrueshme, ndërsa ai bashkë me forcat e tij qëndrojnë në pritë, të gatshëm për të rrënuar këdo, që guxon të hyjë në territorin e tij. Ne jemi të sigurt vetëm kur i qëndrojmë besnikë Perëndisë dhe i bindemi urdhëresave të Tij.KiM 513.3

    Askush nuk gjen qetësi dhe siguri pa u lutur çdo ditë e çdo orë. Ne duhet t’i lutemi Zotit që të na falë veçanërisht mençuri për të kuptuar fjalën e Tij. Këtu (në Bibël) zbulohen kurthet e tunduesit dhe armët me të cilat mund t’i bëjmë ballë atij me sukses. Satani është ekspert në citimin e Shkrimit të Shenjtë dhe shpreson që të na pengojë, duke i veshur pasazhet hyjnore me interpretimin e vet. Ne duhet ta studiojmë Biblën zemërpërulur, duke pasur gjithmonë në mendje faktin që ne jemi të lidhur me Perëndinë. Ndërsa nga njëra anë duhet t’i ruhemi vazhdimisht kurtheve të Satanit, nga ana tjetër duhet të lutemi gjithmonë me besim: “O Atë, mos lejo të biem në tundim.”KiM 513.4

    1. Një nga kurthet e Satanit është që të “pushtojë mendjen” me shpërqëndrime. Çfarë shpërqëndrime ju mbajnë larg nga përkushtimi ndaj studimeve biblike dhe lutjes? KiM 513.5

    2. Qëllimet e Satanit janë që ne të mendojmë se ajo çka ne besojmë “nuk ka asnjë pasojë”. Si e reflekton këtë mashtrim të kundërshtarit, sot, mendimi postmodernist? KiM 514.1

    3. Ndërsa Perëndia na jep evidence për të besuar mjaftueshëm, Ai nuk na i heq plotësisht shkaqet për dyshime. Cila është rrënja e dyshimit? A mund ta përjetojmë ne punën e Frymës së Shenjtë në jetët tona, edhe nëse nuk mund ti japim përgjigje apo shpjegim çdo pyetjeje?KiM 514.2

    4. Asnjëra nga kurthet e Satanit nuk mund ta pengojë prezencën e Perëndisë nga njerëzit e Tij. Mbani mend premtimin e mëposhtëm: “Çdo tundim, çdo influencë kundërshtuese, qoftë e hapur apo sekrete, mund të rezistohet” “Jo nga fuqia dhe as nga forca, por nga Fryma ime, thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6).KiM 514.3

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents